Rendi

11/07/2016

A është e vërtetë se Shqipëria vazhdon të jetë një vend kyç në trafikun e kanabisit?

Raporti i OKB-së për drogën në vitin 2016 konfirmon se vendi ynë vazhdon të jetë një vend eksportues i kanabisit në tregjet ndërkombëtare

Ditën e hënë, Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi raportin e saj të përvitshëm, për gjendjen e kultivimit dhe rrugët e trafikut të drogës në të gjithë botën.

Ky raport i referohet Shqipërisë në dy pjesë të tij. Në faqen numër 43, raporti analizon vendet kultivuese të kanabisit, për periudhën 2009-2014. Në këtë raport vlerësohet se prodhuesi më i madh i hashashit në botë mbetet Maroku, ndjekur nga Afganistani, Libani, India dhe Pakistani. Megjithatë, raporti thotë se “gjatë kësaj periudhe, ka tregues të rëndësishëm që dëshmojnë se Shqipëria, Kolumbia, Xhamajka, Holanda dhe Paraguai mbeten vende të rëndësishme origjine të hashashit për tregjet ndërkombëtare”.

Një përfundim i tillë i OKB-së duket se konfirmohet edhe nga progresraporti i vitit 2015 për Shqipërinë, që ndonëse vlerësoi “një rritje të efikasitetit në luftën kundër drogës”, i kërkoi Tiranës zyrtare që të rrisë kapacitetet policore dhe të mundësojë një ndëshkim më të efektshëm të trafikantëve nga ana e sistemit të drejtësisë. FAQE 18, E PROGRESRAPORTIT BASHKANGJITUR

Duke iu rikthyer raportit të OKB-së, në faqen numër 104, ai analizon përfitimet që besohet se siguron trafiku i drogës për organizatat e përfshira në këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Sipas vlerësimit të OKB-së, “rruga e Ballkanit” gjeneron rreth 28 miliardë dollarë përfitime në vit, pothuajse shtatë herë më shumë se vetë buxheti i shtetit të Shqipërisë dhe më shumë se dyfishi i PBB-së sonë.

Megjithatë, raporti saktëson se gjysma e këtyre përfitimeve shpërndahen në vendet që janë destionacione përfundimtare, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Përsa i përket Shqipërisë, raporti vlerëson se të ardhurat nga trafiku i drogës janë të barabarta me një vlerë sa 2,6% e PBB-së, përafërsisht 300 milionë dollarë në vit.



 

Publikuar: 11/07/2016
Përditësuar: 11/07/2016
Foto:
Keni pyetje? Na shkruani.