Ekonomia

A është e vërtetë se të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë rritur?
Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave për gjashtë muajt e parë të vitit flasin për rritje të mbledhjes së të ardhurave në pothuajse të gjithë sektorët, përveç të ardhurave të rentës minerare
Të ardhurat nga doganat dhe tatimet kanë qenë prej kohësh një objekt debati midis qeverisë dhe opozitës.
Kjo e dyta ka akuzuar në mënyrë të përsëritur autoritetet për keqadministrimin e vendit, duke argumentuar këtë me rënien e të ardhurave nga doganat dhe tatimet.
Ndërsa është e vërtetë se të ardhurat e mbledhura pësuan luhatje gjatë vitit 2015, të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave për gjashtë muajt e parë të këtij viti flasin për një panoramë shumë më optimiste.
Treguesit fiskalë të janar-qershor 2016, me përjashtim të të ardhurave nga renta minerare, janë të gjitha në rritje.
Sipas këtyre të dhënave zyrtare, të ardhurat totale, sikurse tregohet në tabelën e treguesve fiskalë paraprakë, janë realizuar në masën 198.1 miliardë lekë, me një tejkalim rreth 102 milionë në raport me planin e 6-mujorit të parë 2016.
Të ardhurat nga “Tatime dhe Dogana” (përfshirë kontributet e mbledhura nga DPT) për 6 mujorin e vitit 2016 u realizuan në vlerën 170.4 miliard lekë, që do të thotë 17.7 miliard lekë më shumë se 6 mujori i vitit 2015 ose +11.6% dhe 2.3 miliard lekë më shumë se plani, ose +1.4%.
Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar në vlerën 2.85 miliard lekë, 9.6% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe me një performancë +2.5% ose më shumë se plani.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 19.2 miliard lekë, 10.3% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe +4 % ose 0.7 miliard lekë më shumë se plani.
Ky realizim reflekton kryesisht rritjen e sasisë së cigares së importuar me 269 ton ose +24.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015 duke arkëtuar 1.5 miliard lekë më shumë se e 6 mujori i vitit 2015 për këte artikull. Arsyet e performances pozitive përveç permirësimit te vazhdueshëm në administrim, lidhen me situatën e normalizuar të fluksit të importeve, të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016 për cigaret.
Tregues të tjerë pozitivë janë shënuar edhe në të ardhurat e mallrave të tjerë të akcizës për shkak të rritjes së sasive krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, si më poshtë:
Karburante Import + Prodhim Vendi + 7.6 %
Birre Import + Prodhim Vendi + 5.2 %
Verë Import + Prodhim Vendi + 9.1 %
Pije Alkolike Import + Prodhim Vendi + 30 %
Pije Energjike + 30.4 %
Të ardhurat nga renta minerale janë realizuar në vlerën 1.2 miliard lekë, -35.1% krahasuar me 6 mujorin e vitit 2015 dhe -39.7% krahasuar me planin. Arsyet lidhen me rënien drastike të çmimit të naftës bruto në tregun ndërkombëtar. Në kushtet që renta llogaritet si përqindje ndaj vlerës, rezultoi se megjithëse sasia e eksportit të naftës bruto u rrit me 73 mijë ton ose +17.9%, të ardhurat nga renta u ulën me 546 milion lekë krahasuar me vitin e kaluar.
Të ardhurat nga TVSH-ja në import janë realizuar në vlerën 45.7 miliard lekë, +5.06% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 99.2 %, ndikuar nga rënia e çmimit në bursat ndërkombëtare të karburanteve që megjithë rritje e kursit të këmbimit të dollarit që kuotohen këto produkte, ka rezultuar rënie e të ardhurës së TVSH për litër nga 27.1 lek në 6 mujorin e parë 2015 në 22.1 lek në 6 mujorin e parë 2016.
Të ardhurat nga TVSH-ja brenda vendit janë realizuar në vlerën 17 miliard lekë, 18% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe me një realizim të planit të periudhës në masën 97.3%, duke reflektuar rritjen e rimbursimeve me 21.3 % ose +0.7 miliard lekë si rezultat i masave përmirësuese për thjeshtësimin dhe reduktimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë realizuar në vlerën 16.5 miliard lekë, 22% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 25.4 % më shumë se plani. Ndikimin kryesor në këtë rezultat e ka patur rritja e ndërgjegjësimit të taksapaguesve për deklarimin real të transaksioneve në import dhe zinxhirin e shitjeve. Faktorë të tjerë përmendim: fazën e dyte të planit të veprimit kundër informalitetit të orientuar drejt kontrolleve bazuar në analizën e riskut dhe në vazhdimësine e proçeseve. Thjeshtësimi i proçedurave të deklarimit dhe instalimi i një komunikimi permanent me operatorët e biznesit po gjeneron performancë më të lartë.
Edhe zëri “Taksat Kombëtare” paraqitet me një performancë pozitive duke realizuar 15 miliard lekë, 14.5% më shumë se 6 mujori i vitit 2015, dhe me një realizim të planit në masën 92.6%, si rezultat i konjukturave të çmimit ndërkombëtar të mineraleve duke sjellë uljen e sasisë dhe vlerës për njësi.
Të ardhurat nga kontributet e DPT janë realizuar në vlerën 36.8 miliard lekë, 13.46% më shumë se 6 mujori i vitit 2015 dhe 2.3% më shumë se plani.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 6 mujorin e parë të vitit 2016, arritën në rreth 180.1 miliardë lekë me një realizim në masën 89%. Kjo tregon se në terma të planit 6 mujor niveli i realizimit të shpenzimeve të përgjithshme publike ka patur një rritje krahasuar me një muaj më parë, me një tendencë rritëse për gjysmën e dytë të vitit 2016.
Shpenzimet korrente paraqesin një realizim në raport me planin 6 mujor të këtij viti, prej 91 për qind, duke rezultuar 161.8 miliardë lekë. Krahasuar me një muaj më parë ka një përmirësim të konsiderueshëm të termave të realizimit për treguesit e shpenzimeve në tërësi.