Kur thuhet që nuk duhet të na vijë keq se thamë të vërtetën. E vërteta na ndihmon për të qënë të guximshëm. - Aldo Moro

POLITIKA E JASHTME

21/04/2016

Fajin nuk e ka Donald Trump!

Nga Gilman Bakalli
Mapo

Në shikimin e parë nuk të duket edhe aq simpatik. Në shikim të dytë, akoma më keq: Arrogant, i vetëkënaqur, egoman dhe llapaqen që nuk kursen askënd me fjalorin e tij vulgar. Donald Trump: Një kombinim grotesk i cullufes së tij bionde me kostumet elegante italiane. Pohimet e tij mbi gratë, meksikanët, myslimanët, politikat sociale dhe të punësimit janë provokime të pastra. Të gjitha fjalimet e tij thyejnë totalisht korrektësinë politike të establishmentit politik amerikan dhe europian.

Deri këtu, asgjë e jashtëzakonshme. Ajo që të habit akoma më fort është fronti kritik, me të cilin përballet retorika violente dhe populiste e Trump në Europë dhe, ditët e fundit, edhe në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama, të paktën në dy dalje publike, nuk i ka kursyer tonet e ashpra dhe përbuzëse ndaj kandidatit amerikan për president. “Një fatkeqësi për Amerikën” e ka quajtur kryeministri ynë Donald Trump-in, “një injorant, që duhet të udhëtojë më shumë për t’u informuar”.

Mirëpo zgjedhësit amerikanë duken se nuk e ndajnë qëndrimin e kryeministrit tonë ndaj Trump. Para pak ditësh, Trump arriti një fitore spektakolare (89 delegatë) në New York. Mesa duket, Trump po flet me zemrën e amerikanëve. Mesa duket, paraqitja e tij energjike prej djaloshi harrakat dhe retorika e tij e dhunshme dhe e drejtpërdrejtë ngjall simpati te zgjedhësit.

Para se të sulmohet Trump, duhet shtruar pyetja: Çfarë mësimesh mund të nxjerrë një sistem politik dhe përfaqësuesit e tij, kur një biznesmen si Trump arrin të jetë në majat e sondazheve dhe benjamini i programeve televizive, duke shkelur haptazi korrektësinë politike? Çfarë mësimesh mund të nxjerrë një shoqëri, kur një biznesmen, me gjasë, mund të arrijë majën e politikës thjesht duke artikuluar publikisht atë që brenda vetes e mendon (ndoshta) shumëkush? Një mësim që mund të nxirret, para se të sulmohet Trump, është se, mesa duket politika, edhe në Amerikë si këtu në Europë dhe Shqipëri, është larguar retorikisht dhe konkretisht nga zgjedhësit. Tëhuajëzimi është kaq i madh, komunikimi është kaq i dobët, saqë pakkush ndihet i përfaqësuar nga establishmenti politik aktual. Shumica e zgjedhësve bile, përveçse nuk ndihen të përfaqësuar, mendojnë se flitet, shkruhet dhe punohet kundër bindjeve, vlerave dhe interesave të tyre.

Europa e njeh mirë këtë koktej tëhuajëzimi kulturor e politik, me retorikë gojështhurur që ngjall ndjesi dorëzimi në elektorat. E quajnë populizëm. Sapo ai ngre krye, politikanët europianë (nga pas u shkon edhe kryeministri ynë), bashkë me mediat reagojnë me populizëm antipopulist. Një mënyrë e shkëlqyer për t’i bërë vetes një shërbim të jashtëzakonshëm, duke inskenuar publikisht një superioritet moral.

Mirëpo ta kritikosh me vulgaritet një retorikë vulgare nuk është fort e këshillueshme nëse do të kuptosh një fenomen si Donald Trump. Maksimumi mund t’i bëjë mirë rilindjes personale morale. E di që tingëllon si klishe e mërzitshme, por në politikë, si kudo, duhet të kesh mendje të esëllt dhe gjykim të shëndoshë. Kush jeton në shtëpi prej qelqi, nuk duhet të gjuajë me gurë!

Nga Gilman Bakalli
Mapo
Keni pyetje? Na shkruani.