Çdo njeri është gjithmonë në kërkim të së vërtetës, përndryshe nuk do të bënte gjithmonë shumë pyetje. - Anonim

POLITIKA E JASHTME

01/04/2016

Kërthiza e botës

ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Panorama

Net më parë, në një debat televiziv të gjithë të pranishmit, përfshi dhe moderatorin, fajësonin politikën tonë se nuk po e shfrytëzon si duhet krizën e emigrantëve. Argumenti strukturohej mbi një përqasje mes Turqisë dhe Shqipërisë. Erdogani dhe të tijtë po bëjnë goxha pazar, këta tanët nuk qullosin dot gjë, ngaqë kanë qenë dhe mbeten yesmen-ë.

Politika dhe qeverisja jonë ka boll kusure  Kaq shumë sa të kujton anekdotën e pilafit në restorant. Mos ka ndonjë gur? -pyeti kamerierja tek pa fytyrën e shtrembëruar të klientit. -Jo, iu përgjigj ky, tek-tuk ka edhe ndonjë kokërr oriz. Megjithatë, për të ndenjur shtrembër dhe folur drejt, do thënë se në rastin e krizës së emigrantëve, kritikat dhe qarjet nuk burojnë nga realiteti. Në Turqi kanë hyrë mbi 3 milionë refugjatë lufte, në Shqipëri nuk kanë ardhur akoma dhjetëshet e para.


Akoma më fantazmagorike ngjajnë artikulimet e ndonjë politikani të lartë që kërcënon Brukselin me dilemën: në mos daçi ju, gati janë ata. Në esencë kërcënime të tilla thonë: nëse do të zgjasni në pafundësi procedurat e pranimit, mbështetësit e integrimit mund të lodhen dhe të fitojnë terren prirjet fondamentaliste, që tani duken latente dhe që priren ethshëm nga fondamentalizmi, nga ëndrrat neo-otomane etj.

Nuk dinë ta dredhin këta tanët, më qahej pronari i minimarketit këtu pranë, le të bëjnë sikur po rilidhemi me kinezët. Të nesërmen nuk venë në Bruksel të japin llogari, po vjen Brukseli në Tiranë dhe firmos tak-fak pranimin. Këto dhe të tjera pretendime për politikë të fortë lindin mbi argumente të ndryshme, herë të mbështetur në realitet e herë në botën e fantazisë. Pavarësisht kësaj larmie, kanë diçka të përbashkët: hedhin shtat mbi iluzionin se Shqipëria qenka kërthiza e botës.

Rrënjët e këtij iluzioni janë të shumta dhe gjallojnë në rrafshe të ndryshme, duke nisur nga ai psikologjik e duke ardhur në rrafshin historik dhe pastaj në atë social, politik. 2. Në themel të iluzionit “kërthiza e botës”, le ta quajmë kështu, gjithnjë qëndron një mekanizëm që e njohin mirë lëvruesit e psikologjise sociale: njeriu normal e ka të domosdoshme të vlerësojë veten. Për t’i objektivizuar dhe bërë të besueshme këto vlerësime, nis dhe ia atribuon grupit ku bën pjesë.

Nuk mund të ekzistojë asnjë grup nëse anëtarët e tij nuk e çmojnë, vlerësojnë. Zbulimi ose shpikja e vlerave të grupit është burim kohezioni, zamkë që e lidh dhe e bën një. Imazhi i të qenit në qendër të jep zemër dhe siguri përballë kaosit, përballë një mijë e një rreziqesh e pasigurish që ofron jeta. Shërben si instrument psikologjik për të lehtësuar sadokudo ankthet ekzistenciale. Vetëm se këtu ngrenë kokë dy dukuri që duhen marrë në konsideratë.

E para, iluzioni “kërthiza e botës” historikisht është shfaqur në proporcion të zhdrejtë me dijen dhe shkallën e civilizimit: sa më pak të dish, aq më në qendër të botës e pandeh veten. Para Kopernikut njerëzit pandehnin se ishim qendra e gjithësisë, dielli dhe yjtë, rrotulloheshin rreth tokës. Kinezët e quajnë vendin e tyre Zhongguo, që do të thotë “Perandoria në qendër të botës”. Por kjo etimologji vjen nga antikiteti kinez.

Antropologët kanë vënë re se shumë popuj indigjenë, që erdhën të tillë në shekullin XX, vetëquhen me emra që kanë kuptimin “populli i vërtetë”, ose “njeri”. Madje edhe romët, që fatkeqësisht janë përbuzur dhe përjashtuar në shekuj, e quajnë veten “romani”, që do të thotë “njeri”. Dukuria e dytë që do marrë në konsideratë janë pasojat negative të këtij iluzioni. Ndër to shquan demonizimi i tjetrit, fqinjit. Si rregull kohezioni i grupit aktivizon kufijtë dhe kontrastin.

Grupi, që të jetë kompakt, duhet të ketë kufij të përcaktuar mirë ose më saktë, të imagjinuar mirë. Vlerat bëhen më mbushamendëse kur kundërvihen me antivlerat e fqinjit. Mbivlerësimi i grupit tënd shpije thuajse automatikisht në nënvlerësimin dhe, ca më keq akoma, në përbuzjen e tjetrit, fqinjit, atij që s’është i grupit tënd.

Është armik, thotë një nga personazhet e Anatol France tek “Ishulli i pinguinëve”. Pse?, -e pyesin. – Se e kam fqinj!, vjen argumenti. Të gjitha këto janë thuajse universale. Burojnë nga psikologjia e njeriut në përgjithësi. Por në rajone si Ballkani, këto prirje psikologjike ushqehen fuqishëm edhe nga faktorë social-historikë. Hapësira ballkanike ka aktualisht zhvillim të mekët ekonomik. Rrjedhimisht ka varfëri dhe agresivitet mbi normalen. Sikur të mos mjaftonin këto, vijnë dhe shtohen edhe kufijtë e diskutueshëm dhe përzierjet etnike.

Peshqeshe sa nga jeta e gjatë nën perandori shumëkombëshe, aq edhe nga zgjidhjet e shpejtuara dhe dritëshkurtra që Fuqitë e Mëdha kanë bërë në përfundim të luftërave. Nga iluzioni “kërthiza e botës” burojnë edhe një varg të këqijash të tjera, si megalomania që frenon përpjekjet për progres, se të bën të flesh mbi dafina; izolimi dhe vetizolimi që, për fat të keq, ia njohim mirë pasojat, etj., etj. 3. Ka diçka që të shtyn të mendosh. Propaganda e periudhës totalitare e stërzmadhonte deri në grotesk iluzionin “kërthiza e botës”, kur hidhte në qarkullim sintagma narkomane të tipit “fanar ndriçues për popujt e shtypur”, “rrethimi imperialistorevizionist”, “përballimi i NATO-s dhe i Traktatit të Varshavës” etj., etj.

Periudha që pason teprime të tilla shquhet për qëndrime skeptike. Shoqëria e një vendi është afërsisht si trupi i njeriut. Pas lëngatës nga teprime të tilla propagandistike, trupi krijon antikorpe, imunizohet dhe reagon automatikisht kundër teprimesh të tilla. Duket se ky lloj imunizimi nuk po funksionon, vërtet që shumica e shqiptarëve sot mbajnë qëndrim sarkastik ndaj idesë së “fanarit ndriçues”, por kur vjen puna te iluzioni “kërthiza e botës”, sikur mbyllim sy. Kjo anomali duket se ka shkaqe të ndryshme. I pari që të vjen ndër mend, por jo më i rëndësishmi, është fakti se si shoqëri kemi kujtesë të shkurtër.

Ose harrojmë shpejt, ose nuk jemi sistematikë në nxënien e mësimeve të historisë. Aktivizimi dhe riaktivizimi i iluzionit “kërthiza e botës” lidhet edhe me përmasat dhe llojin e emigracionit që po aplikojmë. Jemi popull emigrantësh. Në çdo tre shqiptarë, njëri ka marrë udhët e botës. Kjo ikje masive ka qenë dhe mbetet përgjithësisht ilegale. Për pasojë, sidomos në periudhën e parë, kjo masë e konsiderueshme ilegalësh has vështirësi shumë më të mëdha për integrim, shumë më tepër kontakte me mafien dhe katakombet sociale të vendeve pritëse, shumë më tepër diskriminim dhe përbuzje.

Të gjitha këto krijojnë qëndrime ksenofobe dhe dëshirë të vetvetishme për të kërkuar rrënjët, për të gjetur e shpikur vlera të grupit tënd etnik, për të thirrur në ndihmë mitet kombëtariste, përfshirë mes tyre edhe iluzionin “kërthizë e botës”. Fakti që sot e kësaj dite nuk e kemi zgjidhur çështjen kombëtare, jetojmë në trojet tona, por jemi të ndarë në katër shtete, përbën një tjetër faktor nxitës për iluzioni “kërthiza e botës”.

Problemi është real dhe i mprehtë, por qasjet që përdorim duket se janë bërë demode. Për inerci, ose edhe për mungesë vizioni, vazhdojmë të kultivojmë një nacionalizëm mitik e folklorik. Qasja mitiko-folklorike ishte funksionale në kohën e Rilindjes Kombëtare, kur shqiptaria duhej sjellë në jetë nga një embrion që, megjithëse u kish mbijetuar shekujve, nuk ishte dhe aq i fortë. Sot kjo qasje është bërë arkaike.

Nëse duam komb të fortë dhe të zhvilluar, duhet t’i ikim sa të mundim mitit e folklorit. Duhet ta shohim vetveten në sy dhe t’i përqendrojmë të gjitha energjitë te ndërtimi i shtetit, që për njëqind e kusur vjet e kemi “ngritur” si kalanë e Rozafës. Shteti është shtylla e kombit, ndaj dhe anglosaksonët nuk i thonë thjesht “kation”, por kanë krijuar emrin “nation state”. Iluzioni “kërthizë e botës”, megjithëse ka burime të arsyeshme dhe në ndonjë aspekt luan rol pozitiv, sjell me vete një vandak me rreziqe, si mbyllja, vetëkënaqësia, megalomania, armiqësimi me fqinjët, ngadalësimi i proceseve integruese etj., etj. Të gjitha këto mbeten të dëmshme edhe për popujt e mëdhenj. Për të vegjlit bëhen fatale.

ÇAPAJEV GJOKUTAJ
Panorama
Keni pyetje? Na shkruani.