POLITIKA E JASHTME
Misteret e avionit të radhës të Linjës “Narcotics Airlines”

Në më pak se një vit të dielën më 20 mars 2016 patëm rastin e katërtë të një aeroplani transportues droge nga Shqipëria në Itali. Ky rast është kuptimplotë, sepse tregon, që megjithë luftën antikanabis të policisë shqiptare, 5-6 muaj pas mbarimit të sezonit të korrjes së kanabisit ende bandat e strukturuara kriminale kanë në magazinat e veta sasi të mëdha kanabisi (kuintalë e tonelata), të cilat duhet të eksportohen drejt Italisë, më pak Greqisë por edhe përtej për të kënaqur kërkesën e “tregut”, që rritet me afrimin e sezonit turistike. Fatkeqësisht tashmë krahas mënyrave tradicionale të transportit edhe rruga ajrore po shndërrohet në rutinë në vendin tonë.
Rasti i avionit të Akërnisë (ish fazaneria e kohës së komunizmit) është specifik dhe ngërthen në vetvete disa mistere.
Së pari: Policia e Shtetit pretendon se ishte ajo, që në kohë rekord njoftoi partnerët italianë për avionin në fjalë dhe dyshimet e saja të arsyeshme se ky mjet fluturues po përpiqej të trasportonte drogë. Italianët (media të ndryshme on line dhe komunikata e Aeronautikës italiane) pretendojnë se për shkak të paralajmërimeve të shërbimeve sekrete italiane është rritur vigjëlenca e organeve ligjzbatuese italiane. Kjo vigjëlencë e shtuar bëri, që radarët italianë në kufirin e kapciteteve të tyre teknike arritën, ndonëse për pak kohë, ta kapnin në monitor avionin. Sipas burimeve italiane avioni gjatë një pjesë të rrugës ka fluturuar në lartësi minimale 50 metra mbi nivelin e detit për të qenë i padukshëm për radarët. Nuk është cudi, që të ketë të drejtë policia jonë dhe italianët të mburren kot. Italia si shtet jo fort serioz e ka treguar veten, që edhe në raste vigjëlence të rritur të mos arrijë të zbulojë në kohë avionët apo helikopterët, që fluturonin Brenda hapësirës ajrore italiane. Tipik është rstii MIG-ut 15 shqiptar në5 mars 1997i pilotuar nga maj. Adrian Elezi, që u ul në aeroportin ushtarak italian të Galatinës nën hundën e personelit të Brigadës 61 të aviacionit ushtarak italian pa u diktuar nga radarët. Rasti i MIG-ut ishte në kufijtë e skandalit dhe tregonte papërgjegjshmërinë e strukturave të caktuara të ushtrisë italiane, sidomos të Qëndrës operative ROC të komandës së Rajonit të tretë ajror italian të vendosur në Martina Franca.
Së dyti: Në komunikatën e policisë shqiptare bëhet fjalë për ndalimin e tre personave dhe bllokimin e dy automjeteve si të dyshuar për përfshirjen në këtë aviotrafik droge, por çuditërisht nuk thuhet asnjë fjalë për fatin e avionit dhe pilotit. Ky avion, ku ka përfunduar? A është kapur nga policia italiane apo ajo shqiptare? Është mbytur në det? Në këtë rast a ka filluar të zbatohet protokolli për procedurën SAR (Kërkim-shpëtim) për pilotin e avionit të rënën në det? Avioni ka zbritur diku në territorin shqiptar dhe mbahet i fshehur në ndonjë hangar, magazinë, plevicë fshati etj, apo mos ndoshta ndonjëri nga narkotrafikantët e ka futur avionin në xhepin e xhakoventos dhe policia nuk po e gjen dot?!
Së treti: Po me pilotin e avionit cfarë ka ndodhur? Është kapur nga italianët, nga shqiptarët? Ndoshta ka arritur t’i shpëtojë kapjes nga policia? Larg qoftëështë mbytur në det? Nëse është gjallë a dihet ndonjë gjë më shumë për fatin e tij? Po gjeneralitetet e pilotit (pa shkelur sekretin hetimor) pse nuk bëhen publike nga policia shqiptare?
Së katërti: Po droga e presupozuar se ndodhej në avion e çfarë lloji është? Kanabis apo drogë e Klasit A? Droga është kapur apo ia ka mbathur në drejtim të paditur?! Nëse po, është kapur nga italianët apo nga policia shqiptare? Është fshehur diku së bashku me aeroplanin? Për arsye pamundësie fizike përjashtohet kategorikisht, që piloti ta ketë hedhur në det drogën, ndërsa avioni ishte në fluturim, sic raportuan disa media të papërgjegjshme dhe me mungesë njohurish elementare për të tillë avionë ultra të lehtë dhe kapacitetet e tyre transportuese. Pra ku shkoi DROGA?!
Së pesti: Ky trafik droge i sofistikuar është vepër e atyre tre “pendëthyerve”, që u ndaluan nga policia, apo pas tyre qëndron ndonjë figurë e fuqishme me mundësi dhe kapacitete për të organizuar një trafik të tillë ndërkombëtar droge?
Shpresojmë, që pyetjeve të tilla tu japë përgjigje hetimi i mëtejshëm nga prokuroria dhe të mos ndodhë që ky aero-trafik ndërkombëtar droge të mbulohet nga pluhuri i harresës dhe togat tona të zeza të mos mbyllin dosjen në këmbim të ndonjë zarfi të fryrë plot me …. argumente të shëndosha juridike (Siç!)