Kërkimi i së vërtetës është më i rëndësishëm se sa zotërimi i saj. - Albert Einstein

Ekonomia

29/02/2016

Skavica, “një aferë” korruptive?

Ndërtimi i mundshëm i një hidrocentrali në zonën e Dibrës ka shkaktuar përplasje midis qeverisë dhe opozitës. Kjo e fundit akuzon se tenderi për Skavicën është i paracaktuar në favor të një kompanie turke të quajtur “Suzer Group”. Por, a është me të vërtetë ky tender i paracaktuar? Cila është e vërteta për këtë çështje?

Një bashkim i dy shoqërive turke, “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” ka shfaqur interesim për ndërtimin e një HEC në “Katund të Ri”, pranë Skavicës, Dibër. Përmes vendimit, Nr.1068, datë 23.12.2015, qeveria ka vlerësuar projektin e pakërkuar, duke miratuar bonusin prej 8 pikësh. Vendimi u publikua brenda afatit ligjor të 10 ditëve në Fletoren Zyrtare. Dhënia e këtij bonusi është një detyrim ligjor, i parashikuar në ligjin për prokurimin publik.

Akuzat për paracaktimin e HEC “Skavica”, në dritën e fakteve aktuale rezultojnë të pavërteta, pasi vendimi i Këshillit të Ministrave i ka hapur dritën jeshile procedurave vetëm për hapjen e garës së HEC “Katund i Ri”.

Me publikimin e vendimit Nr. 1068 në Fletoren Zyrtare, në 6 janar 2016, Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të vijojë me hapat e mëtejshme procedurale të përcaktuara në Ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar. Këto hapa përfshijnë hartimin e dokumentacionit standard të procedurës konkurruese (ToR), publikimin, vlerësimin e ofertave të mundshme dhe në rast të një procedure të suksesshme, negocimin e kontratës.  

Vetëm nëse këto procedura paraprake do të rezultojnë të suksesshme, tenderi ndërkombëtar për HEC “Katund i RI” mund të hapet dhe vetëm në këtë rast, “Suzer Group” dhe “Nurol Holding” do të përfitonin nga bonusi prej tetë pikësh, i cili në konkurrim nuk përbën asnjë garanci për suksesin përfundimtar. Ashtu si për HEC “Katund i Ri”, nuk ka asnjë tender, i cili të mund të paracaktohet, as për HEC “Skavicën”.

Publikuar: 24/02/2016
Përditësuar: 29/02/2016
Foto:
Keni pyetje? Na shkruani.