Politika

A është e vërtetë se neni 88 për reformën në drejtësi konsideron kuotat si mekanizëm zhbllokues?
Drafti përfundimtar i Komisionit të Venecias kërkon që drafti të miratohet me pjesëmarrjen e opozitës, përmes një mekanizmi që garanton efektivisht këtë pjesëmarrje, por nuk shprehet për mundësinë e kuotave.
Takimi i datës 6 qershor për reformën në drejtësi, midis Ramës, Bashës dhe Vasilit nuk arriti të prodhonte një konsensus për miratimin e draftit final të Venecias, pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve.
Në tavolinën e diskutimeve, kryeministri Rama pranoi kërkesën e opozitës për miratimin e reformës me një shumicë prej 2/3, por kërkesa për garantimin e kuotave të përfaqësimit në trupat e reja gjyqësore që do të përzgjidhen nga kjo reformë ndeshi në kundërshtinë e qeverisë shqiptare.
Kryeministri Rama pretendon se vendosja e kuotave është e barazvlefshme me vazhdimin e kapjes së drejtësisë, nga gjyqtarë potencialisht të korruptuar.
Nga ana e saj, përballë presionit publik dhe atij ndërkombëtar, Partia Demokratike i është referuar nenit 88 të draftit përfundimar të Komisionit në Drejtësi, si pika ku bazohet pretendimi i tyre për vendosjen e kuotave të përfaqësimit të opozitës.
Jafaktet analizon draftin përfundimtar, për të kuptuar nëse vendosja e kuotave është parashikuar nga ky Komision.
Konkretisht, Komisioni i Venecias i referohet pjesëmarrjes së opozitës në pikën e parë të nenit 88.
Ky nen, shprehimisht thotë:
88. Në pritje të miratimit të tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias rekomandon autoritetet shqiptare që të tregohen të vëmendshme ndaj disa çështjesh kryesore, si më poshtë:
88.1 – Nëse partitë politike nuk arrijnë në një konsensus për një shumicë të kualifikuar për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në trupat e reja që do të formohen, ose një model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte një influence të caktuar të opozitës në procesin e përzgjedhjes.
Në rekomandimet e Venecias, në këtë nen nuk flitet për kuota si mekanizëm zhbllokues. Në vetvete, kuotat janë një deduksion i opozitës, i lindur nga kërkesa e Venecias për të garantuar përfaqësimin e opozitës në këtë proces.
Në këto kushte, dy pyetje kryesore duhet të marrin përgjigje nga aktorët e përfshirë?
E para, nëse kuotat janë një mekanizëm zhbllokues, sipas pretendimit të opozitës, përse Komisioni i Venecias nuk i është referuar në mënyrë eksplicite atyre? Për më tepër, cila është një kuotë e arsyeshme?
E dyta, a garanton formula aktuale e propozuar, ajo e 2/3, influencën e drejtëpërdrejtë të opozitës në procesin e përzgjedhjes?
Në mungesë të këtyre dy përgjigjeve, mbetet e qartë se kërkesa eksplicite për kuotat është një deduksion mbi atë që ka shkruar Venecia dhe jo një kërkesë e drejtëpërdrejtë e Komisionit të Venecias.