Sociale

13/06/2016

Punësimi në Shqipëri

A është e vërtetë se papunësia në Shqipëri është ulur?

Së fundmi, INSTAT publikoi të dhënat e punësimit në Shqipëri për tremujorin e parë të vitit 2016.

Sipas këtij raporti, “në tremujorin e parë 2016, shkalla e papunësisë është 16,6 %, duke shënuar një ulje prej 0,74 pikë përqindje nga tremujori i katërt i vitit 2015”.  Gjithashtu, “në terma vjetorë (krahasimi mes tremujorit të parë të vitit 2016 me të njëjtin tremujor të vitit 2015) punësimi u rrit me 5,2 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2015 punësimi u rrit me 2,1 %” – thekson raporti.

Në ndarjen sipas grupmoshave, raporti thekson se “për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë ka pësuar një rënie prej 1,7 pikë përqindje krahasuar me tremujorin pararendës dhe 3,7 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015”. Për popullsinë 30-64 vjeç në tremujorin e parë 2016 shkalla e papunësisë është 12,9 % ose 0,2 pikë përqindje më pak krahasuar me tremujorin pararendës.

Raporti, gjithashtu, analizon edhe lëvizjet (rritjen ose uljen) në strukturën e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike. Në këtë kuadër, “ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë nga tremujori i katërt 2015 në tremujorin e parë 2016 është: 3,6 % në sektorin e bujqësisë; 2,1 % në sektorin e shërbimeve. Ndërsa në sektorin e industrisë ka një rënie të lehtë të numrit të të punësuarve prej 0,1 %” – thekson raporti.

Nga ana tjetër, sipas raportit thuhet se “në terma vjetorë, punësimi për popullsinë 15 vjet e lart u rrit me 15,5 % në sektorin e industrisë (industri nxjerrëse, industri përpunuese, ndërtim dhe industri të tjera); me 6 % në sektorin e shërbimeve dhe me 0,7 % në sektorin e bujqësisë”.

E vërtetë
Publikuar: 13/06/2016
Përditësuar: 13/06/2016
Foto: instat
Keni pyetje? Na shkruani.