Ekonomia

A është shndërruar Shqipëria në një magnet për investimet kineze?
Të dhënat e “Forbes” konfirmohen nga shifrat zyrtare të INSTAT, shkëmbimet me Kinën kanë njohur një rritje mesatare prej 10-15% në vit gjatë pesë viteve të fundit
Në 14 qershor, revista financiare “Forbes” publikoi një artikull me titullin “Shqipëria shndërrohet në magnetin e ri të Kinës”. Autori i këtij shkrimi, rendiste blerjen e koncensionit të aeroportit të Tiranës nga një kompani kineze, blerjen e një pjese të Bankersit nga një tjetër kompani kineze dhe ndërtimin e pjesës së mbetur të Rrugës së Arbrit nga kinezët, si arsyet se përse Shqipëria është shndërruar në një “magnet” të ekspansionit ekonomik kinez në Mesdhe.
Gjithashtu, i njëjti artikull shkruante se rritja e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me Kinën gjatë viteve të fundit ka qenë eksponenciale, duke bërë që tashmë superfuqia e dytë ekonomike e botës të jetë partneri ynë i dytë më i madh tregtar, pas Italisë. Jafaktet analizoi të dhënat zyrtare për shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona, për të provuar nëse qëndron argumenti i “Forbes”.
Sipas INSTAT, në muajin prill 2016 (muaji i fundit për të cilin janë publikuar të dhëna zyrtare), eksportet shqiptare drejt Kinës arritën vlerën e 821 milionë lekëve, nga 424 milionë që kishin qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në periudhën janar-prill, gjithashtu vërehet një dyfishim i eksporteve, nga 1 332 milionë lekë të një viti më parë, në 2 547 milionë lekë në të njëjtën periudhë të këtij viti.
Përsa i takon importeve, gjithashtu vërehet një rritje nga 2 736 milionë lekë në prill 2015, në 3 413 milionë lekë në prillin e këtij viti. Në total, gjithashtu importet kanë njohur një rritje të lehtë gjatë katër muajve të parë të 2016-s, nga 14 915 milionë lekë që ishin në katër muajt e parë të 2015-s, në 15 782 milionë lekë në katër muajt e parë të këtij viti.
Të dhënat e INSTAT-it, për pesë vitet e fundit, gjithashtu përligjin argumentin e publikuar në “Forbes”, për rritjen e ndjeshme të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona. Tabela dhe grafiku i mëposhtëm tregon në milionë lekë, vlerën e shkëmbimeve vjetore, që prej vitit 2010.
Shkembimet tregtare me Kinen |
Eksporte (mln leke) |
Importe (mln leke) |
2010 |
8,875 |
27,034 |
2011 |
4,931 |
34,452 |
2012 |
5,743 |
33,574 |
2013 |
11,454 |
34,950 |
2014 |
8,738 |
40,335 |
2015 |
6,570 |
46,559 |
Të dhënat e mësipërme provojnë se ndërsa eksportet kanë njohur luhatje gjatë pesë viteve të fundit dhe kanë ardhur në rënie prej 2013-s, pjesërisht për shkak të rënies drastike të çmimit të naftës dhe mineraleve në bursat ndërkombëtare, importet, që prej vitit 2013 njohin një rritje mesatare prej 10-15% në vit.
Përsa i përket importeve, që përbëjnë peshën kryesore të marrëdhënieve tregtare midis dy vendeve tona, krahasimi midis vitit 2010 dhe vitit 2015 tregon qartë ndryshimin që ka ndodhur gjatë këtyre 5 viteve.
Kina siguronte në 2010, 7% të totalit të importeve shqiptare, ndërsa në 2015-n, 10%. Së bashku me Kinën, edhe pesha e Italisë e Gjermanisë është rritur, ndërsa pesha e Greqisë ka rënë nga 16%, në 10%.
Jafaktet ka marrë në analizë edhe si ka ndryshuar destinacioni i eksporteve shqiptare sipas partnerëve, nga viti 2010 në 2015-n.
Ndërsa Kina ishte destinacion i 6% të eksporteve shqiptare në 2010-n, në 2015-n, përqindja totale është përgjysmuar. Një rritje e ndjeshme vërehet me Kosovën nga 7% në 9%, ndërsa Italia vazhdon të presë më shumë se gjysmën e eksporteve shqiptare gjatë pesë viteve të fundit.