Ekonomia

A është e vërtetë se konkurrueshmëria e eksporteve shqiptare është ulur?
Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi, së fundmi, raportin mbi ecurinë ekonomike të Shqipërisë dhe sfidat që duhet të përballojë në të ardhmen.
Sipas këtij raporti, në kapitullin për Konkurrueshmërinë e Jashtme, theksohet se "Shqipëria ka potencial të madh për të përmirësuar eksportet e saja”. Faktorët që lidhen me këtë potencial të madh, sipas raportit janë: “afërsia gjeografike si me tregjet europiane ashtu edhe me ato të vendeve të mesdheut, një popullsi me një moshë relativisht të re dhe burime natyrore ende të pashfrytëzuara optimalisht”. Nga ana tjetër, raporti thekson se “përmirësimet në 5 vitet e fundit kanë qenë minimale, me rritje të ulët të produktivitetit, të bazuar te sektorët me intensitet të ulët të fuqisë punëtore dhe vlerës së shtuar”.
Në figurat e mëposhtme, Banka Botërore dhe Forumi Botëror i Ekonomisë pasqyrojnë trendin e konkurrueshmërisë në 5 vitet e fundit për disa vende të Ballkanit, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Nga grafiku i Bankës Botërore, Shqipëria nga viti 2014 në vitin 2015 ka humbur disa pozicione në nivelin e konkurrueshmërisë. Ndërkohë, në grafikun e Forumit Botëror të Ekonomisë, niveli i konkurrueshmërisë ka qenë në rënie nga viti 2013 deri më sot. Nga ana tjetër, vende të Ballkanit si Maqedonia dhe Mali i Zi, kanë rritur nivelin e konkurrueshmërisë në vitet e fundit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij, ndër të tjera, jep disa arsye që lidhen ngushtë me rënien e kompetitivitetit të eksporteve shqiptare:
-Probleme infrastrukturore që kufizojnë tregtinë
-Furnizimi i pasigurtë me energji elektrike ul efikasitetin
-Niveli i lartë i informalitetit ul produktivitetin
-Institucione publike të dobëta që pengojnë sundimin e ligjit
-Korrupsioni që minon konkurrencën
-Kompleksiteti i nivelit të taksave që rrit barrën për biznesin
Gjithashtu, raporti nënvizon edhe iniciativat e fundit të Qeverisë shqiptare për të adresuar problemet e mësipërme, si:
-Ligji për Investimet Strategjike i cili ofron një strukturë “onë-stop-shop” dhe një korsi preferenciale për investimet e mëdha
-Ligji për Turizmin i cili ofron një paketë gjithëpërfshirëse,të të gjithë llojeve të turizmit në vend, si dhe stimuj fiskalë e ekonomikë për investitorët.
-Krijimi i Qendrës Kombëtare të Biznesit, një “one stop-shop të unifikuar” që mundëson regjistrimin e biznesit brenda 24 orësh dhe kushton 100 lekë.
-Fushata e Qeverisë kundër Informalitetit dhe evazionit fiskal
Në fund, sipas FMN, eksportet shqiptare mund të përballen me probleme në të ardhmen për shkak të konkurrencës së madhe nga tregjet aziatike dhe rënies të çmimit të naftës dhe nënprodukteve të saj.