Të tjera

16/06/2016

A është e vërtetë se ndryshimet kushtetuese hapin rrugën për njohjen e martesave gay?

Ndryshimet kushtetuese nuk do të bëjnë që automatikisht të njihet e drejta e komunitetit LBGT për t’u martuar, bashkëjetuar ligjërisht apo birësuar, por është e vërtetë se ato hapin rrugën për rishikimin e Kodit Familjar, me qëllim lejimin e këtyre të drejtave

Ndryshimet kushtetuese që do të sjellë miratimi i mundshëm në reformën në drejtësi nuk do të reformojnë vetëm sistemin e drejtësisë, por do të kenë pasoja të tjera që shtrihen shumë përtej sistemin të drejtësisë. Njëri prej këtyre ndryshimeve, sipas ekspertëve do të hapë rrugën për miratimin e martesave gay ose partneritetit civil në Shqipëri (LEXO ME SHUME NE JAFAKTET PER TE DREJTAT DHE PERCEPTIMIN MBI KOMUNITETIN LBGT NE SHQIPERI).

Jafaktet ka marrë në shqyrtim ndryshimet që priten të ndodhin, duke arritur në përfundimin se ndërsa është e vërtetë që ndryshimet kushtetuese e lejojnë këtë mundësi, ato nuk do të çojnë automatikisht në të drejtën e komunitetit LBGT për t’u lidhur në martesë apo për të birësuar fëmijë.

Përsa i përket diskriminimit, Shqipëria është aktualisht firmëtare e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ndalon çdo formë diskriminimi.

Aktualisht, në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila i referohet ndalimit të diskriminimit, shkruhet:

1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.

3. Askush nuk mund të diskriminohet për shkaqet e përmendura në paragrafin 2, nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Në pikën 4 të draftit final për ndryshimet kushtetuese, ky paragraph do të ndryshohet, duke u bërë si më poshtë:


Neni 18, pika 2 ndryshon si vijon:

Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca,feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, identiteti gjinor, orientimiseksual, gjendja ekonomike, pasurore, arsimore, origjina sociale, lindja, aftësia ekufizuar, përkatësia shoqërore, prindërore ose të tjera.

 

Me këto ndryshime, për herë të parë, në Kushtetutë ndalohet e drejta e diskriminimit për shkak të identitetit gjinor dhe orientimit seksual, duke zgjeruar shumë më tepër hapësirën e veprimit të këtij neni, që aktualisht kufizohet vetëm tek ndalimi i diskriminimit për arsye gjinore.

Me këtë ndryshim, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet me përkufizimin e asaj që quhet diskriminim dhe nëse lind një papajtueshmëri midis Kushtetutës dhe Kodit Civil. Nëse kjo papajtueshmëri vërtetohet, atëherë duke qenë se Kushtetuta është ligji themelor në Republikën e Shqipërisë, do të lindë nevoja që edhe Kodi Civil e Kodi i Familjes të modifikohen, për të eliminuar këtë papajtueshmëri.

Për momentin, Kodi i Familjes, e përjashton mundësinë e partneritetit civil, martesave apo birësimeve gay.

Konkretisht, ky kod thotë mbi bashkëjetesën, neni 163, faqe 58:

Kuptimi i bashkëjetesës

Neni 163

Bashkëjetesa është një bashkim fakti midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

Përsa i përket martesës, neni 7, faqe 11, ky kod shprehet se:

Mosha e lidhjes së martesës

Neni 7

Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.

Ndërsa përsa i përket birësimit, Kodi i Familjes, neni 242, faqja 81 thotë:

Neni 242 i mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë.

Me këto formulime, aktualisht Kodi i Familjes përjashton qartësisht të drejtën e komunitetit LBGT për të lidhur në martesë, për të birësuar apo për të qenë të lidhur në partneritet civil (bashkëjetesë e njohur nga ligji).

Ndryshimet kushtetuese nuk do të bëjnë që automatikisht të njihen këto të drejta, por është e vërtetë se ato hapin rrugën, për rishikimin e Kodit Familjar, me qëllim lejimin e këtyre të drejtave.

Publikuar: 16/06/2016
Përditësuar: 16/06/2016
Foto:
Keni pyetje? Na shkruani.