Të tjera

A do të mësohet feja nëpër shkolla?
Sipas projektit aktual, nuk do të ketë një orë teologjie, por parashikohet të përfshihet në program një lëndë për mësimin e historisë së kulturave fetare. Kjo lëndë do të njohë nxënësit me të dhëna të përgjithshme për origjinën dhe historikun e besimeve, por nuk do të ndalet në specifika apo në predikimin e librave të shenjtë.
Një deklaratë e Kryeministrit Rama, në një ceremoni të organizuar nga Komunitetit Musliman Shqiptar me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed, në datën 9 prill 2016, i ka dhënë jetë spekulimeve për përfshirjen e teologjisë si lëndë mësimore në sistemin parauniversitar në vend.
A është e vërtetë se së shpejti nxënësit do të bëjnë një orë feje? A e cënon kjo parimin e laicitetit të shkollave publike? Cila ishte deklarata e vërtetë e kreut të qeverisë?
Konkretisht, sipas tekstit të fjalimit të publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, kryeministri Rama, midis të tjerave ka thënë:
Unë besoj fort se ka ardhur momenti që me kurajo, shteti shqiptar t’i çelë dyert e shkollave për njohjen e besimeve fetare, t’i çelë dyert e shkollave për t’i dhënë çdo fëmije, mundësinë që të armatoset me instrumentet e dijes…
Atë që kryeministri nënkupton me këtë deklaratë, e shpjegoi në një reagim zyrtar, dy ditë pas kësaj deklarate, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli.
Sipas saj, nuk do të ketë një orë teologjie, por parashikohet të përfshihet në program një lëndë për mësimin e historisë së kulturave fetare. Kjo lëndë do të njohë nxënësit me të dhëna të përgjithshme për origjinën dhe historikun e besimeve, por nuk do të ndalet në specifika apo në predikimin e librave të shenjtë.
Në deklaratën e saj, të raportuar nga “Top-Channel”, ministrja Nikolli u shpreh se: “Nuk janë leksione fetare kurrësesi, sepse shkolla shqiptare është laike dhe do të mbrohet fortë laiciteti. Ka të bëjë me një specifikë të caktuar për mësimin e historisë së kulturave fetare dhe jo feja”.
Burime brenda Ministrisë së Arsimit, u shprehën për Jafakte.al se historia e besimeve fetare do të përfshihet brenda kurrikulës së lëndës së qytetarisë dhe do të nisë të zbatohet në vitin e ardhshëm shkollor, 2016-17, në pesë shkolla nëntëvjeçare dhe në 5 gjimnaze të ndara në qytet dhe fshat.
Aktualisht, nuk ka ende ndonjë tekst gati për këtë lëndë të re, por Minitria e Arsimit po bashkëpunon me Observatorin e Laicitetit në Francë, për të hartuar një tekst të caktuar.
Në shtator nis projekti pilot që do të zbatohet në 5 pesë shkolla nëntëvjeçare dhe 5 gjimnaze të ndara në qyet dhe fshat. Nuk ka ende një tekst gati, por për këtë po bashkëpunohet me Observatorin e Laicitetit në Francë, shpjegon ministrja Nikolla. Në dritën e këtyre fakteve, rezulton nuk ka aktualisht asnjë plan për të zbatuar një projekt për mësimin e teologjisë në shkolla.
Për momentin, në Shqipëri, predikimi i teksteve fetare, në ambiente mësimore, lejohet vetëm në shkollat nën varësinë e Komuniteve të caktuara Fetare.