Çdo njeri është gjithmonë në kërkim të së vërtetës, përndryshe nuk do të bënte gjithmonë shumë pyetje. - Anonim

Të tjera

08/04/2016

Helikopteri i ushtrisë po transportonte mermer në veri të vendit?

Helikopteri u nis në fluturimin stërvitor nga Farka në orën 12:10 në përputhje me programin e planifikuar dhe miratuar më parë, por u zhduk nga radari i Qendrës së Kontrollit dhe Raportimit në Rinas në orën 13:45. Helikopteri i fotografuar në Hanin e Hotit është në pronësi të një kompanie private transporti

Në datën 6 prill 2016, një helikopter “EC 145” i Forcave të Armatosura, me numër bordi 637, humbi kontrollin për arsye ende nën hetim dhe u përplas në Grizhë të Malësisë së Madhe, duke shkaktuar vdekjen e kapitenit Florian Deliaj e togerit Donald Hoxha, si dhe plagosjen e ushtarit profesionist Gerald Baramuça.

Të nesërmen e këtij aksidenti, një numër mediash dhe disa përfaqësues të opozitës argumentuan se helikopteri në fjalë ishte nisur nga baza ushtarake e Farkës për të transportuar mermer, në kundërshtim me çdo protokoll dhe rregullore, për në doganën e Hanit të Hotit.

Për të provuar këtë pretendim, në media u publikuan edhe fotot e një helikopteri, të fotografuar në të njëjtën ditë në Hanin e Hotit.


Foto e helikopterit te ulur ne Hanin e Hotit 

Megjithatë, helikopteri i fotografuar në Hanin e Hotit, krahasuar me foton e helikopterit të rrëzuar kanë një numër ndryshimesh që bëjnë të qartë se bëhet fjalë për dy helikopterë të ndryshëm. Ndryshimi më i qartë, midis shumë të tjerëve është se ndërsa helikopteri në Hanin e Hotit ka rrota, helikopteri ushtarak është me slitë në zonën e uljes dhe i mungojnë rrotat. Një tjetër ndryshim, në bishtin e helikopterit të ulur në Hanin e Hotot vërehet emri “Shega Trans”.

Një ditë pa aksidentit, në një reagim për mediat, një shoqëria e transportit “Shega Trans”, qartësoi se helikopteri i Hanit të Hotit ishte në fakt në pronësinë e tyre dhe po transportonte disa pllaka mermeri dhe materiale ndërtimi për një monument që do të ngrihet në zonë.

Sa i takon udhëtimit të përfunduar në tragjedi, burime zyrtare të Forcave të Armatosura kanë shpjeguar se ai ndodhej në një fluturim stërvitor rutinë, të paraprogramuar, duke ndjekur itenerarin Farkë-Tujan-Qafë Murr-Qafë Buall-Shupenzë-Peshkopi-Kukës-Qafë Luzhë-Qafë Valbonë-Vermosh-Rapstarje-Koplik-Shkodër-Farkë.


Foto e helikopterit te rrezuar vetem dy dite perpara aksidentit ne 4 Prill 2016, ne sheshin "Nene Tereza" ne Tirane

Helikopteri u nis në fluturimin stërvitor nga Farka në orën 12:10 në përputhje me programin e planifikuar, por u zhduk nga radari i Qendrës së Kontrollit dhe Raportimit në Rinas në orën 13:45.

Në dritën e këtyre fakteve, rezulton qesharak se pretendimi që helikopteri ushtarak ishte duke zhvilluar një udhëtim të paligjshëm.

Publikuar: 08/04/2016
Përditësuar: 08/04/2016
Foto: mbrojtja.gov.al
Keni pyetje? Na shkruani.