Të tjera

Ligji i ri për portalet online kufizon lirinë e medias?
Bazuar në Direktivën 2000/31 KE dhe çështjen e zgjidhur nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut, MTE Index kundër Hungarisë, liria e medias duhet të balancohet me liritë thelbësore të njeriut dhe detyrimin e mbrojtjes së konsumatorit. Ndryshimet e propozuara në ligjin aktual janë në frymën dhe përputhje me legjislacionin europian
Një projekt-ligj i ri që do të ndikojë në mënyrën e funksionimit të portaleve online është vendosur në qendër të vëmendjes mediatike, për shkak të ndryshimeve që sipas një numri ekspertësh do të kufizojnë lirinë e medias.
Sipas qëndrimit zyrtar të Ministrisë së Inovacionit, projekt-ligji i ri do të adresojë një numër problematikash që ka ligji në fuqi “për tregtinë elektronike”, i hyrë në fuqi në vitin 2009.
Aktualisht, Ligji nr. 10128, datë 11.5.2009 “Për tregtinë elektronike” i ndryshuar, ka zbatuar një numër rekomandimesh mbi direktivën Nr. 2000/31/KE, “Mbi disa aspekte ligjore të shërbimeve të Shoqërisë së Informacionit, veçanërisht mbi tregtinë elektronike në tregun e brendshëm”. Direktiva në fjalën njihet ndryshe si direktiva për tregtinë elektronike.
Projektligji në debat, nëse do të shndërrohet në ligj, do të sjellë disa ndryshime kryesore, disa prej të cilëve do të jenë:
1. Ndryshimin e titullit të ligjit, duke qartësuar se ky nuk është thjesht një ligj për tregtinë elektronike, por për shërbimet e shoqërisë së informacionit;
2. Qartësimin e detyrimit të portaleve online (ofruesit të shërbimeve të shoqërisë së informacionit) për të pasur një pikë kontakti të identifikuar;
3. Vendosjen e rubrikës së raportimit për lajmet apo komentet me përmbajtje të paligjshme, në të cilin lexuesit e portalit mund të sinjalizojnë për materiale apo komente me përmbajtje të jashtëligjshme.
4. Vendosjen e një afati 48 orësh brenda së cilës portalet duhet të bëjnë ç’aktivizimin e komenteve me përmbajtje të paligjshme, raciste, ksenofobe etj, nga momenti që ato marrin dijeni sipas përcaktimeve të
Kodit Penal dhe atij Civil.
5. Përcaktimin e organeve mbikqyrëse të zbatimit të këtij ligji, që në kohën kur ai ishte miratuar në vitin 2009 nuk ekzistonin, si ALCIRT, sektori i krimit kibernetik në polici etj.
Jafaktet ka krahasuar një numër ndryshimesh me frymën e përgjithshme të direktivës europiane. Pika e debatueshme që detyron portalet online të kenë një pikë kontakti të identifikueshëm përputhet me nenin e pestë (shih artikujt e nenrenditur të nenit 5) të direktivës, e cila përcakton se:
Emri i personit juridik, adresa e saktë, të dhënat bankare nëse bëhet fjalë për tregti online, duhet të jenë gjithmonë të aksesueshme dhe të verifikueshme nga klientët.
Portalet, si subjekte tregtare, duhet të jenë gjithmonë të idenfikueshëm gjatë shërbimit që ato ofrojnë. Ndërsa është e vërtetë që një pikë e tillë mund të kufizojë lirinë e medias, ky kufizim bëhet për një të drejtë tjetër, që është ajo e mbrojtjes së konsumatorit.
Një tjetër pikë e debatueshme, nëse kufizon ose jo lirinë e medias, është ajo për detyrimin e heqjes së komenteve me përmbajtje të paligjshme, raciste, ksenofobe etj.
Një përcaktim i tillë ligjor ka qenë në qendër të vëmendjes së qarqeve juridike në Europë dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur mbi këtë përcaktim vetëm në 2 shkurt 2016. Vendimi i dalë rishtaz i përket një çështje të shumëdebatuar, asaj midis MTE Index kundër Hungarisë.
PER ME SHUME MBI CESHTJEN MTE INDEX VS HUNGARI, SHIH GJITHASHTU LINKUN BASHKANGJITUR
Në vendimin e saj, gjykata përcaktoi se “publikuesit e komenteve nuk mund të mbahen përgjegjës për përbërjen dhe natyrën e komentit, përsa kohë ata kanë një sistem të efektshëm të eliminimit të komenteve që shkelin rregullat e përgjithshme”.
Një vendim i tillë i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, saktëson se ndërsa portalet nuk janë përgjegjës direkt për atë që shkruajnë komentuesit, ata duhet të vendosin në punë në mënyrë të efektshme një sistem gjurmimi dhe fshirje të komenteve denigruese.
E ndërsa dhe ky përcaktim përbën një tjetër kufizim, edhe ky kufizim justifikohet nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut me nevojën për të mbrojtur liritë themelore.
Përsa i përket këtij përcaktimi në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Inovacionit, duket se edhe ai është në frymën e direktivave dhe ligjeve në fuqi në zonën e Bashkimit Europian.
Në progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, për vitin 2015, gjithashtu thuhet, në nenin 4.10, faqja 38 e këtij dokumenti zyrtar, se “Bashkimi Europian mbështet mirëfunksionimin e tregut të brendshëm për komunikimin elektronik, tregtinë elektrinike dhe shërbimet audio-vizuale”.
Në dritën e fakteve, duket se amendimi i ligjit aktual për tregtinë elektronike, për ta bërë fushën e tij të veprimit më të gjerë, duke zgjidhur njëkohësisht disa nga boshllëqet që ka aktualisht ky ligj, do të ishte në frymën e rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë dhe në përputhje me ligjet që sot rregullojnë funksionimin e portaleve online në Bashkimin Europian.
Njëkohësisht, kufizimet e mundshme që mund të sjellë ky ndryshim ligjor, do të ishte të përligjura nga balancimi i lirisë së medias, me liritë themelore të njeriut dhe me detyrimin e mbrojtjes së konsumatorit.