Përsëriteni një gënjeshtër njëqind, një mijë, një milion herë dhe ajo do të kthehet në një të vërtetë. - Joseph Goebbels

Të tjera

06/04/2016

A do të rrisë certifikata e energjisë kostot për qyterarët?

Bazuar në draftin aktual të projektligjit, është Këshilli i Ministrave ai që do të përcaktojë specifikimet për kushtet e pajisjes me këtë certifikatë, me një vendim të mëtejshëm

Një ligj që është përgatitur nga ekspertët e Ministrisë së Energjisë mund të vendosë si detyrim pajisjen me certifikatë energjie, nga data 1 janar 2017, për një numër banesash në mbarë vendin (PER KATEGORINE E BANESAVE, SHIH NENIN 4 DHE NENIN 10 TE PROJEKTLIGJIT BASHKANGJITUR)

Sipas Ministrisë së Energjisë, certifikata do të specifikojë karakteret teknike të vendbanimeve, duke rritur cilësinë e shërbimit, reduktuar humbjet në rrjet dhe duke rritur gjithashtu sigurinë për qytetarët.

Nëse ligji do të aprovohet, certifikata do të jetë një dokument shoqërues me vlefshmëri 10-vjeçare, pajisja me të cilin do të jetë i detyrueshëm për të gjithë kategoritë e banesave të parashikuara nga ligji.

Por, a do të sjellë certifikata e energjisë, nëse miratohet, kosto shtesë për qytetarët?

Jafaktet zotëron projektligjin përfundimtar, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, të datës 21 janar 2016.

Duke shqyrtuar këtë projektligj, momentalisht mbetet e paqartë nëse do të ketë kosto shtesë për konsumatorin.

Konkretisht, në nenin dhjetë të projektligjit, në faqen 11 të dokumentit bashkangjitur, pika 6, parashikohet se një numër specifikash do të përcaktohet në një moment të dytë me një vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni në fjalë thotë:

Procedurat dhe kushtet e certifikimit të performancës së energjisë të ndërtesave si dhe modeli, përmbajtja, kushtet e regjistrimit të certifikatës së performancës së energjisë të ndërtesave përkatëse sipas parashikimit të Nenit 11, përcaktohen Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe ministrisë përgjegjëse për ndërtimin.

Ajo që përcakton ky projektligj është penalitetet për ata që nuk zbatojnë kushtet e kësaj certifikate. Moszbatimi i këtij ligji do të përbëjë një kundravajtje penale, të ndëshkueshme me gjoba që sipas formatit aktual të projektligjit, SHIH NENIN 15 DOKUMENTI BASHKANGJITUR, variojnë nga 300 000 Lekë, deri në 1 000 000 milionë Lekë të rinj.

Përfundimisht, bazuar në draftin aktual, i cili duhet ende të debatohet me grupet e interesit, përpara se të kalojë në Komisionet Parlamentare, nëse projekligji do të shndërrohet në ligj, mund të thuhet me siguri se do të ketë kosto shtesë për kundravajtësit, ndërsa për qytetarët e zakonshëm do të pritet një vendim i Këshillit të Ministrave, për të përcaktuar nëse kjo certifikatë me ose pa tarifë.

Publikuar: 06/04/2016
Përditësuar: 06/04/2016
Foto: ec.europa.eu
Keni pyetje? Na shkruani.