Njeriun e shkencës nuk e bën zotërimi i njohurive, por hulumtimi kritik, këmbëngulës dhe i shqetësuar i së vërtetës. - Karl Popper

Sociale

07/04/2016

A është e vërtetë se është lënë në harresë gjetja e eshtrave të viktimave të komunizmit?

Autoritetet shqiptare kanë riaktivizuar kërkimet që prej marsit 2015 dhe aktualisht po punohet për idenfikimin e viktimave në dy varreza masive. Megjithatë, ende nuk dihet kur procesi do të përmbyllet

Përgjatë pothuajse gjysmë shekulli diktaturë, mbi 6 mijë persona u ekzekutuan në Shqipëri dhe eshtrat e disa qindra prej tyre rezultojnë ende të pagjetura.

Në nëntor 2015, në konferencën “Kërkimi dhe identifikimi i personave të zhdukur, viktima të regjimit komunist në Shqipëri”, kryeministri Rama u zotua se do të angazhojë të gjithë aparatin shtetëror për një identifikim dhe rikuperim sa më të shpejtë të të gjithë eshtrave të viktimave të komunizmit, që familjet nuk kanë ende një vend ku ti qajnë.

Në këtë dalje publike, kreu i qeverisë, midis të tjerave tha: Pas miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, fillimi i programit për gjetjen e personave të zhdukur është një ndër vendimet më të rëndësishme politike të shtetit shqiptar që i shërben shkëputjes dhe distancimit nga krimet e komunizmit në Shqipëri. Hapja e dosjeve dhe fillimi i programit për gjetjen e të zhdukurve të diktaturës janë pjesë të të njëjtit proces që synon dekomunistizimin e vendit”.

Por, a ka pasur me të vërtetë një vullnet të qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kësaj çështje? Cilat janë hapat e ndërmarra deri tani nga autoritetet shqiptare?

Bazuar në këto dokumente zyrtare; në planin e veprimit të Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur për Shqipërinë dhe

në dokumentin e Ministrisë së Mirëqënies Sociale, “Zgjidhja e Çështjes së Personave të Zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri” rezulton se:

1.Në mars 2015 ICMP mori një ftesë zyrtare nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të diskutuar shtigjet e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet ICMP dhe autoriteteve shqiptare për të adresuar çështjen e personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist.
 

2.Në tetor 2015, një delegacion nga Qeveria Shqiptare realizoi një udhëtim studimor tre ditor në zyrat e ICMP-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Delegacioni shqiptar, vizitoi laboratorët e ADN-së së ICMP-së në Sarajevë dhe Tuzla, dhe Sektorin për Koordinim e Identifikim si dhe Projektin e  Identifikimit të Podrinjës në Tuzla; ata u informuan mbi të gjitha aspektet e programeve të ICMP-së që mund të aplikohen në kontekstin shqiptar.
 

3.Aktualisht, po punojet me dy projekte pilot, për rikuperimin e eshtrave të 56 personave të ekzekutuar në Malin e Dajtit dhe identifikimin e tyre si dhe për rikuperimin e identifikimin e 86 viktimave të komunizmit, që sipas dokumentacionit të kohës rezulton të jenë varrosur në Ballsh.
 

4.Krahas këtyre projekteve pilot, faqja e katërt e dokumentit bashkangjitur, punohet për krijimin e një Qendre Kombëtare të Personave të Zhdukur, çka do të kërkojë një ndërhyrje plotësuese në legjislacionin përkatës. Puna për krijimin e kësaj qendre do të përmbyllet pas përfundimit të trajnimit të ekspertëve, në bashkëpunim me ICMP.

Në dritën e këtyre fakteve, rezulton se autoritetet shqiptare e kanë riaktivizuar që prej marsit 2015 përpjekjet për identifikimin dhe se aktualisht po punohet për idenfikimin e viktimave në dy varreza masive. Megjithatë, nuk ka ende një kohëzgjatje të përcaktuar për idenfikimin e të gjithë viktimave të komunizmit.

Së fundmi, një dokument i Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, tregon në menyre kronologjike hapat qe janë hedhur nga autoritetet për zgjidhjen e kësaj çeshtje, dokument qe dëshmon se midis viteve 2012-2015, procesi i rikuperimit dhe identifikimit te shtrave ka qenë praktikisht i bllokuar.

Publikuar: 07/04/2016
Përditësuar: 07/04/2016
Foto: sociale.gov.al
Keni pyetje? Na shkruani.