Ekonomia

Rënia e eksporteve, shenjë e një ekonomie “të sëmurë”?
Të dhënat e INSTAT konfirmojnë pretendimin e qeverisë se rënia e eksporteve në 2015-n është motivuar kryesisht nga rënia e çmimit të naftës dhe minerale në bursat ndërkombëtare, ndërsa sektorët e tjerë ekonomikë kanë rritur performancën e tyre
Rënia apo rritja e eksporteve është një prej treguesve më të qartë mbi shëndetin e një ekonomie. Gjatë vitit 2015, eksportet shqiptare njohën një rënie në vlerë. Pavarësisht kësaj, ekonomia njohje një rritje prej rreth 2,7% të PBB-së vjetore.
Për qeverinë shqiptare, rënia e eksporteve është motivuar kryesisht nga rënia e çmimit të naftës dhe mineraleve. Jafaktet ka analizuar në thellësi këtë çështje, duke marrë në konsideratë të gjithë sektorët kryesorë ekonomikë, gjatë dy viteve të fundit, për të analizuar sektor pas sektori ecurinë e eksporteve shqiptare, mbështetur në të dhënat e përmuajshme të INSTAT.
Pyetja e parë që kërkon përgjigje është: A është i vërtetë pretendimi i qeverisë për një rënie të ndjeshme të eksporteve të lëndëve djegëse dhe minerale, si pasojë e rënies së çmimit të tyre në bursat ndërkombëtare?
Të dhënat e tabelës së eksporteve 2014 (kliko për të parë tabelën e plotë), tregojnë se gjatë 2014-s, eksporti i mineraleve dhe lëndës djegëse përbënte 33% të totalit të eksporteve shqiptare, për një total prej 85 638 milionë lekësh. Pjesa tjetër e eksporteve formoheshin nga tekstile dhe këpucë 34% e totalit, material ndërtimi dhe metale 14%, ushqime, pije dhe duhan 7%, e të tjera 12%.
Të dhënat e tabelës së eksporteve për vitin 2015, (kliko për të parë tabelën e plotë), tregojnë për një rënie me pothuajse 20 miliardë lekë për mineralet dhe lëndët djegëse, nga 85 638 në 62 982 milionë lekë. Si rrjedhojë, pesha e eksportit të mineraleve dhe lëndës djegëse në totalit e eksporteve shqiptare për vitin e lënë pas ka rënë nga 33%, në 26% të totalit. Një rritje të madhe ka njohur në krahasim me 2014, eksporti i tekstileve dhe këpucëve, duke kaluar në 37% të totalit të eksporteve shqiptare gjatë vitit 2015, materiale ndërtimi dhe metale 14%, ushqime, pije, duhan në 9% dhe të tjera me 14%.
Pyetja e dytë, që lind nga krahasimi i të dhënave dy vjeçare është se si ka ndryshuar struktura e eksporteve shqiptare në këto dy vjet, të dhënat e dy viteve të fundit të INSTAT tregojnë këtë shpërndarje.
Grupmallrat |
2014 (mln lekë) |
2015 (mln lekë) |
Ndryshim vjetor % |
Ushqime, Pije, Duhan |
16730 |
21057 |
+20,5% |
Lëndë djeg. Minerale |
85638 |
62982 |
-26,4% |
Produkte kimike, plastike |
3389 |
7060 |
+108% |
Lëkurë, artikuj prej tyre |
3075 |
2897 |
+5,7% |
Prodhime druri, letre |
9178 |
8337 |
+9,1% |
Tekstile, këpucë |
85836 |
90034 |
+4,6% |
Materiale ndërtimi, metale |
37047 |
35257 |
-4,8% |
Makineri, pajisje, pjesë këmbimi |
9147 |
10748 |
+14,8% |
Të tjera |
5181 |
6164 |
+15,9% |
Përsa i përket ndryshimit vjetor të eksporteve, vihet re se sektorët që ulën performancën e tyre gjatë vitit të lënë pas janë dy, lëndë djegëse dhe minerale me -26% dhe materiale ndërtimi e metale -4,8%. Sektorët e tjerë njohën të gjithë rritje.
Njëkohësisht, Jafaktet ka analizuar ndryshimin e të gjithë sektorëve të ekonomisë gjatë dy viteve të fundit, sipas tetë tremujorëve, duke dënë një ide më të qartë të luhatjeve sezonale dhe tendencës së përgjithshme të sektorëve ekonomikë.