Ekonomia

A është e vërtetë se Banka Botërore ka ulur në mënyrë drastike fondet për Shqipërinë, për vitin 2016?
Në vitin 2015, Banka Botërore ka financuar Shqipërinë me rreth 525 milionë dollarë. Një vit më parë, kjo shumë ka qenë 305 milionë dollarë, ndërsa deri më 29 Shkurt 2016 shuma e financuar është 32.4 milionë dollarë.
Diferencat në shumën e financuar mes vitit 2015 dhe vitit 2016 lidhet me 2 fakte:
1. Kuadri i Partneritetit ose Programi i ri 5-vjecarë 2015-2019 i Bankës Botërore me Shqipërinë, parashikon një financim deri në 1.2 miliardë dollarë për të mbështetur synimet e vendit për rritjen e qëndrueshme dhe integrimin europian. Arsyeja, se përse për vitin 2015 shuma e disbursuar është rreth 44% e totalit të parashikuar, shpjegohet në strategjinë e miratuar nga Banka Botërore ku thuhet:
“Për mbështetjen e programit të KPV-së VF15-vf19, propozohet financimi nga IBRD-ja prej 1,2 miliardë dollarësh amerikanë, me përdorim të konsiderueshëm në fazë fillestare..... deri në 40% e huadhënies pritet të marrë formën e mbështetjes buxhetore, me kusht që të ketë performancë të kënaqshme të kuadrit makrofiskal, për të cilin është rënë dakord. Për IBRD-në, viti fiskal 2015 shërben si periudhë lidhëse midis SPV-së së mëparshme dhe kësaj KPV-je.”
2. Ndërkohe, për vitin 2016, sipas të dhënave të Bankës Botërore, deri me 29 Shkurt janë disbursuar 32.4 milionë dollarë për 2 programe aktive të miratuara në vitin 2015. Në 9 muajt e ardhshëm pritet të aktivizohen programe të tjera ende në fazë shqyrtimi. Në dokumentin e Bankës Botërore thuhet shprehimisht se “numri i projekteve në vazhdim varion dhe brenda një viti financiar për shkak të miratimit dhe zbatimit relativisht të shpejtë të kredive për politikat e zhvillimit”. Gjithashtu, në këtë dokument thuhet se “programi indikativ i huadhënies së IBRD-së parashikon 15 projekte të reja, me mesataren prej tri projektesh të reja në vit”.