Bashkitë

Dëmshpërblimi për shpronësimet tek Bulevardi i Ri, i pamjaftueshëm?
Sipas VKM nr. 752, të vitit 2013, vlera me të cilën do të dëmshpërblehen banorët është përkatësisht 261 37 lekë (rreth 185 euro) për metër katror ose 232 17 lekë (rreth 165 euro për m2)
Dëmshpërblimi për shpronësimet në zonën ku do të ndërtohet Bulevardi i Ri në Tiranë bazohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave numër 752, datë 05/09/2013.
Sipas kësaj VKM-je, trualli i shpronësuar dëmshpërblehet me dy vlera, relative sipas zonës kadastrale ku përfshihen. Aneksi i dytë i këtij dokumenti përcakton se vlera me të cilën do të dëmshpërblehen banorët është përkatësisht 261 37 lekë (rreth 185 euro) për metër katror ose 232 17 lekë (rreth 165 euro për m2).
Një vlerë e tillë, krahasuar me tregun e pasurive të patundshme në Tiranë rezulton të jetë inferior ndaj çmimeve reale të banesave apo trojeve në kryeqytet.
VKM ku mbështetet lista e shpronësimeve ka edhe një tjetër problem, faktin që i mungon një përcaktim për ato prona informale, për të cilat aktualisht nuk përfitojnë asnjë dëmshpërblim.
Konkretisht, vlera totale e përllogaritur për shpronësimin në total është 1 757 476 521 Lekë. Janë 204 banesat e dëmshpërblyera, nga të cilat 39 objekte me certifikatë pronësie dhe 185 objekte informale në fazë legalizimi.
Aneksi i tretë i VKM-së nr 752 parashikon një formular aprovimi, që pronari i objektit informal duhet të firmosë përpara prishjes së banesës, por nuk parashikon as dëmshpërblime apo kompensime për këtë kategori dhe as ndonjë mekanizëm ligjor për atë që ndodh në rast të refuzimit të firmës.