Sociale
A është e vërtetë se banorët e Qarkut Shkodër nuk janë dëmshpërblyer për përmbytjet e Nëntor-Dhjetorit 2010?
Eshtë dëmshpërblyer 17% e dëmit total. Aktualisht, janë ende 5942 familje të cilëve shteti u detyrohet 100 % të vlerës së dëmeve në ndërtim dhe 7563 familje të cilëve shteti u detyrohej ende 50% të vlerës së dëmeve në bujqësi
Dëmi total i verifikuar nga shteti për përmbytjet e muajit Nëntor dhe Dhjetor 2010 është: 3 209 744 272 lekë, nga të cilat:
a. Për dëmet në objekte, vlera prej 2 097 440 930 lekë nuk është miratuar (shih faqja 14, raporti i Avokatit të Popullit)
b. Për dëmet në kultura bujqësore, vlera prej 1 112 303 342 e cila është miratuar me VKM Nr. 842, datë 6.12.2011, është likuiduar në masën 50%.
Bazuar kësaj VKM-je, pika 3 e saj, parashikon që fondi prej 1 112 303 342 (një miliard e njëqind e dymbëdhjetë milionë e treqind e tre mijë e treqind dyzet e dy) lekësh do të përballohej nga shuma, në të njëjtën vlerë, që do të paguante Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), në buxhetin e shtetit, në një llogari të veçantë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri më fundin e mandatit të qeverisë së kaluar, në vitin 2013, vlera e miratuar nga VKM Nr. 842, datë 6.12.2011 u likujdua në masën 50%. Kjo do të thotë se në total, vetëm 17% e shumës së verifikuar nga shteti si e dëmtuar është kompensuar.
Si rrjedhojë, aktualisht mbeten për t’u dëmshpërblyer:
5942 familje të cilëve shteti u detyrohet 100 % të vlerës së dëmeve në ndërtim
7563 familje të cilëve shteti u detyrohej ende 50% të vlerës së dëmeve në bujqësi.
Dëmshpërblimet për banorët e Shkodrës, aktualisht janë objekt i VKM nr. 482, datë 5.6.2015 “Për fillimin e procedurave për kalimin dhe shuarjen me kompensim të detyrimeve, ndërmjet KESH, sh.a.-së, OSHEE, sh.a.-së dhe disa banorëve të përmbytur në zonën e Shkodrës, të përcaktuar në vendimin nr.842, datë 6.12.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerës së kompensimit të dëmeve të shkaktuara në kulturat bujqësore e në biznese nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarkun Shkodër”.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.