Politika

02/06/2016

A duhet të largohen deputetët dhe kryebashkiakët me precedentë?

Gjashtë ligjvënës dhe pesë kryetarë bashkie rezultojnë të kenë pasur probleme në të shkuarën me drejtësinë. Megjithatë, shklejet e tyre nuk përfshihen në listën e shkeljeve që mbartin detyrimin e lënies së menjëhershme të detyrës

Publikimi i formularëve të vetdeklarimit për deputetët dhe kryetarët e bashkive ka nxjerrë në dritë se një numër funksionarësh të lartë të shtetit shqiptar kanë pasur në të kaluarën e tyre probleme me drejtësinë shqiptare apo të huaj.

Në total, janë gjashtë ligjvënës dhe pesë drejtues vendorë, që kanë deklaruar se kanë pasur probleme në të shkuarën me drejtësinë, por cili prej tyre duhet të lërë në mënyrë imediate postin, siç parashikohet në ligjin Nr. 138/2015 PËR GARANTIMIN E INTEGRITETIT TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE?

Ky ligj, në nenin e tij të dytë, parashikon disa dhjetëra vepra penale, të cilat sjellin ndalimin për të ushtruar funksione publike. Listën e plotë e veprave penale që sjellin humbjen e të drejtës së përjetshme për të ushtruar një funksion publik, mund ta lexoni më poshtë. Jafaktet ka analizuar dokumentat e deklarimit të deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, për të shqyrtuar nëse këta funksionarë përfshihen në listën e veprave, për të cilat parashikohet lënia e detyrës.

Lista e deputetëve që kanë pasur probleme me drejtësinë

Mhill Fufi, shtë ndaluar 3 herë, 1 herë për ngjarjet e 14 shtatorit 1998 dhe 2 herë në periudhën 2000-2001 për shfrytëzim prostitucioni. Vepra e dytë përfshihet në nenin 114 të Kodit Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”. Megjithatë, Prokuroria ka pushuar çështjen dhe Fufi nuk është dënuar asnjëherë me vendim të formës së prerë, ndaj mund të vazhdojë të mbajë postin e tij si deputet.

FORMULARI MHILL PJETER FUFI

Fatmir Mediu është hetuar në Milano për pengimin e forcave të drejtësisë për kryerjen e detyrës. Ai është shpallur i pafajshëm për këtë akuzë, me vendim të Gjykatës së Lartë, ndaj mund të vazhdojë të mbajë pozicionin e deputetit.

FORMULARI FATMIR ALI MEDIU

Edi Paloka është dënuar dy herë nga Gjykata, për veprën penale 120/2 “Shpifje” dhe veprën penale 262/1 “Organizim i manifestimeve të jashtëligjshme”. Ndaj tij është marrë edhe masa e sigurisë “arrest me burg”. Asnjëra nga këto dy vepra nuk përmban detyrimin e lënies së menjëhershme të detyrës.

FORMULARI EDI TONIN PALOKA

Arben Ristani është dënuar me pesë muaj me kusht, për dhënie vendimi të padrejtë. Vepra penale për të cilën ai është dënuar parashikohet në nenin 116 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Kjo vepër nuk përfshihet në listën e atyre neneve që sjellin humbjen e postit publik, ndaj Ristani mund të vazhdojë të mbajë funksionin e tij si deputet.

FORMULARI ARBEN PETRO RISTANI

Blendi Klosi është dënuar në vitin 1994, për shkeljen e nenit 129 të Kodit të vjetër Penal, nen më pas i shfuqizuar. Shkelja e tij nuk përfshihet në listën e atyre veprave penale që mbartin detyrimin e lënies së detyrës.

FORMULARI BLENDI PELLUMB KLOSI

Alban Zeneli është një tjetër deputet që ka pasur probleme me drejtësinë. Ai është dënuar me 6 muaj heqje lirie në 1992, për shkeljen e nenit 81 të rregullave të qarkullimit rrugor dhe është dënuar me 30 mijë lekë gjobë për shkeljen e neneve 236 dhe 274 për kundërshtim të polisë dhe prishtje të qetësisë publike. Asnjëra nga këto vepra nuk mbart detyrimin e lënies së mënjehershme të detyrës.

FORMULARI ALBAN JONUZ ZENELI

Lista e kryetarëve të bashkive që kanë pasur probleme me drejtësinë

Elvis Roshi, kryetari i Bashkisë së Kavajës është dënuar dy herë me gjobë, për shkeljen e nenit 89, plagoje e lehtë me dashje dhe për nenin 278/2, mbajtja e armëve, bombave apo minave, lëndëve plasëse pa lejen e organeve kompetente shtetërore. Gjithashtu ai ka ndryshuar emrin nga Elvin në Elvis në vitin 2002. Përveç këtyre shkeljeve, Roshi ka raportuar edhe se është proceduar në Mynih, Gjermani, për një arsye të cilën nuk e mban mend. Pas këtij procedimi, Roshi është dëbuar nga Gjermania. Prokuroria e Shkodrës ka hetuar Roshin gjithashtu për goditje për shkak të detyrës. KQZ duhet të japë opinionin e saj për rastin e kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Neni 89 dhe neni 278/2 i kodit penal nuk mbartin detyrimin e lënies së menjëhershme të detyrës.

FORMULARI ELVIS AZEM ROSHI

Artur Bushi, kryetari i Bashkisë së Krujës ka qenë i dyshuar për trafik narkotikësh në Itali, por hetimet janë pushuar dhe çështja është arkivuar.

FORMULARI ARTUR XHEKE BUSHI

Adriatik Zotkaj, kryetari i Bashkisë së Poliçanit është dënuar me tre vjet heqje lirie për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor (neni 81), me 10 muaj burgim për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik (neni 236/1) dhe me një vit burgim për shkeljen e neneve 250 dhe 187/1, përkatësisht për kryerjen e veprimeve arbitrare dhe për falsifikimin e dokumenteve shkollore.

FORMULARI ADRIATIK MALIQ ZOTKAJ

Agron Kapllanaj, kryetari i Bashkisë së Ballshit është dënuar me dy vjet burgim me kusht nga një Gjykatë në Itali për shkeljen e nenit 624 të Kodit Penal të Republikës Italiane, “vjedhje”.


FORMULARI AGRON FASLLI KAPLLANAJ

Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë së Kamzës është dënuar me një vendim të formës jo të prerë nga Gjykata e Tiranës për shpërdorim detyre. Duke qenë se vendimi nuk është i formës së prerë, Mziu nuk është i detyruar të braktisë menjëherë detyrën e tij aktuale. Mziu gjithashtu ka qenë i hetuar për veprën penale të shkeljes së baraziësë në tendera.

Lista e shkeljeve të kodit penal që mbartin detyrimin e lënies së menjëhershme të detyrës

Neni 73 – Genocidi
Neni 74 - Krime kundër njerëzimit
Neni 75 - Krimet e luftës
Neni 76 - Vrasja me dashje
Neni 77 - Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër
Neni 78 - Vrasja me paramendim
Neni 79 - Vrasja në rrethana të tjera cilësuese 
Neni 86 - Tortura 
Neni 87 - Tortura me pasoja të rënda 
Neni 88 - Plagosja e rëndë me dashje 
Neni 89/a - Shitblerja e transplanteve, si dhe çdo veprimtari që lidhet me heqjen dhe implantimin e paligjshëm të organeve, dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vjet. Kur këto vepra kryhen me qëllim fitimi, dënohen me burgim nga 10 deri në 20 vjet.  
Neni 100 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur
Neni 101 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç
Neni 102 - Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura
Neni 103 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur
Neni 104 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës
Neni 105 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën
Neni 106 - Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari
Neni 109 - Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit
Neni 109/b - Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë
Neni 110 - Heqja e paligjshme e lirisë (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 27)
Neni 110/a Trafikimi i personave
Neni 111 - Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera
Neni 114 - Shfrytëzimi i prostitucionit
Neni 128/a - Fshehja ose ndërrimi me dashje i fëmijës
Neni 135 - Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
Neni 136 - Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit
Neni 140 - Vjedhja me armë
Neni 141 - Vjedhja me pasojë vdekjen
Neni 143/a - Skemat mashtruese dhe piramidale
Neni 215 - Dëmtimi i objekteve mbrojtëse
Neni 216 - Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake
Neni 217 - Marrja e shpërblimeve
Neni 218 - Vënia në shërbim të shteteve të huaja
Neni 219 - Atentati
Neni 220 - Komploti
Neni 221 - Kryengritja
Neni 222 - Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
Neni 230 - Vepra me qëllime terroriste
Neni 230/a - Financimi i terrorizmit
Neni 230/b - Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin
Neni 230/ç - Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur
Neni 231 - Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të terrorizmit
Neni 232 - Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
Neni 232/a - Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
Neni 232/b - Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
Neni 233 - Krijimi i turmave të armatosura
Neni 234 - Prodhimi i armëve luftarak
Neni 234/a - Organizata terroriste
Neni 234/b - Banda e armatosur
Neni 278 - Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit
Neni 278/a - Trafikimi i armëve dhe i municionit
Neni 282/a - Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive
Neni 283 - Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
Neni 283/a - Trafikimi i narkotikëve
Neni 284/a - Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale
Neni 287 - Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
Neni 333 - Organizata kriminale
Neni 333/a - Grupi i strukturuar criminal
Neni 244 - Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 245 - Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor
Neni 248 - Shpërdorimi i detyrës
Neni 248/a - Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose e të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore
Neni 259 - Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 260 - Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor
Neni 319 - Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë
Neni 319/ç - Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë

Publikuar: 23/05/2016
Përditësuar: 02/06/2016
Foto:
Keni pyetje? Na shkruani.