Të tjera

KQZ nuk ka respektuar afatet për publikimin e vetdeklarimeve?
A është e vërtetë se KQZ nuk ka respektuar afatet për publikimin e vetdeklarimeve për Ligjin e Dekriminalizimit?
Procesi i plotësimit të formularëve të dekriminalizimit – në bazë të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015” – përfundoi më 4 Maj të këtij viti.
Duke iu referuar vendimit të Kuvendit nr. 17/2016, në Kreun VI, pika 3 thuhet: “Organet përgjegjëse, brenda 15 ditëve nga skadimi i afatit, sipas pikës 1 të këtij kreu, bëjnë publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit pranë tyre. Si rregull, në çdo rast, organi përgjegjës për administrimin merr masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet. Publikimi është i detyrueshëm nëse kërkohet nga një subjekt i interesuar”.
Gjithashtu, duke iu referuar ligjit nr. 138/2015, neni 5, pika 4 e tij, theksohet se: “Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit: a) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore”, dhe vendimit të Kuvendit nr.17/2016 Kreu II, pika 4 theksohet se: “Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet nga: a) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për funksionin e: i) deputetit të Kuvendit të Shqipërisë; ii) Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave që nuk është deputet; iii) kryetarit të bashkisë apo këshilltarit në këshillin bashkiak”.
Nga dy paragrafët e mësipërme, del në pah se: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili administron formularët e vetëdeklarimit për deputetet, Kryeministrin dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk janë deputetë dhe Kryetarët e Bashkive apo Këshilltarët në Këshillat Bashkiakë, deri më 19 Maj duhet të kishte bërë “publike listën e funksionarëve publikë që kanë depozituar formularët e vetëdeklarimit pranë tyre” dhe duhej të kishte “marrë masa për publikimin e vetëdeklarimeve në faqen zyrtare të tij në internet”.
Nga ana tjetër, në ligjin nr. 138/2015, neni 5, pika 6 thuhet se: “Kërkesa për marrjen e formularit të vetëdeklarimit dhe/ose të dhënave të përfshira në të nuk mund të refuzohet apo kufizohet në asnjë rast. Refuzimi apo kufizimi i dhënies së tyre përbën vepër penale, sipas neni 248 të Kodit Penal” dhe në vendimit e Kuvendit nr. 17/2016,Kreu II, pika 10 thuhet se: “Kërkesa për marrjen e formularit të vetëdeklarimit dhe/ose të të dhënave të përfshira në të nuk mund të refuzohet apo kufizohet në asnjë rast”. Kjo do të thotë se pas kalimin të afatit 15 ditor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin ligjor të japi informacion mbi vetëdeklarimet për këdo subjekt që e kërkon, në të kundërt refuzimi apo kufizimi i dhënies së tyre përbën vepër penale, sipas neni 248 të Kodit Penal.