Politika

09/06/2016

A është e vërtetë se hapja e bisedimeve është e kushtëzuar me kalimin e reformës në drejtësi?

Zyrtarisht, Bashkimi Europian ka bërë të qartë se reforma në drejtësi është kyçi që çbllokon hapjen e bisedimeve për anëtarësimin, por miratimi i kësaj reforme nuk sjell një fillim automatik të negociatave

Dështimi i takimit Rama-Basha për reformën në drejtësi mund t’i ketë kushtuar vendit shumë në rrugën e tij të integrimit europian. Në mënyrë të përsëritur, zyrtarë të Bashkimit Europian kanë thënë se miratimi i reformës në drejtësi është kyç për perspektivën europiane të Shqipërisë, por cili është qëndrimi zyrtar i Bashkimit Europian dhe a është reforma në drejtësi e domosdoshme për hapjen e negociatave apo këto të fundit do të varen edhe nga faktorë të tjerë?

Në progresraportin e vitit 2015, në faqen 12, në kapitullin e drejtësisë, shkruhet se gjatë 2016-s, Shqipëria duhet të:

  • Miratojë reformën e sistemit të drejtësisë, së bashku me një plan veprimi, përmes një procesi këshillimor dhe gjithpërfshirës, duke marrë në konsideratë standardet dhe praktikat më të mira europiane.
  • Duhet të mbushë vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Administrative.
  • Duhet të shtrijë sistemin e unifikuar elektronik të manaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe të garantojë funksionimin e tij gjatë të gjithë kohës, përmes miratimit të një buxheti për mirëmbajtjen.
  • Duhet të publikojë të gjithë vendimet e gjykatave dhe arsyetimet e bashkangjitura brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Reforma në drejtësi, në fakt do t’i japë rrugëzgjidhje një pjesë të mirë të problemeve të ngritura nga BE, sidomos përsa i përket dy pikave të para të mësipërme.

Në prill 2016, në një seancë plenare të Parlamentit Europian, raportuesi për Shqipërinë, Knut Flekenshtain tha: “Shqipëria është drejt rrugës së integrimit në BE. Vendi është duke përgatitur një reformë shumë ambicioze në drejtësi, e cila do të adresojë shqetësimet kryesore të ngritura nga qytetarët, si dhe do të ndihmojë në luftën ndaj korrupsionit. Qytetarët e Shqipërisë janë të gatshëm për integrimin në BE, tashmë është koha që politikanët e tyre të ruajnë këtë “momentum” dhe të vazhdojnë me zbatimin e reformave”.  

Në vizitën e saj në Tiranë gjatë muajit prill, kreu i diplomacisë europiane, Federica Mogherini, theksoi se një reformë e thellë në gjyqësor është e domosdoshme, jo vetëm sepse BE është duke e kërkuar këtë, por sepse qytetarët e Shqipërisë e kërkojnë në radhë të parë. “Vizita ime më ka transmetuar ndienjën e miqësisë, mirënjohjes dhe shpresës që kanë qytetarët e Shqipërisë. Ajo që po ndodh tani në Shqipëri (me reformën në drejtësi) është historike dhe vizionare”.

Mesazhin më të qartë, mbase e dha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, i I cili në një takim me presidentin Nishani në 27 prill, deklaroi: “Në këtë moment vendimtar, Shqipëria është duke ndjekur një reformë gjithpërfshirëse dhe ambicioze në sistemin e drejtësisë. E kam theksuar, edhe në takimin e mëparshëm me kryeministrin Rama në nëntor se bashkëpunimi dhe dialogu ndërpartiak janë të domosdoshëm për avancimin e perspektivës europiane të Shqipërisë”.

Nga qëndrimi zyrtar i Bashkimit Europian dhe funksionarëve të tij të lartë është e kuptueshme se miratimi konsensual i reformës në drejtësi përbën një parakusht për hapjen e negociatave për Shqipërinë, pasi pesë kushtet e vendosura në 2014-n, janë përmbushur përgjithësisht, me përjashtim të reformës në drejtësi.

A nënkupton reforma në drejtësi një hapje automatike të negociatave? Kjo nuk është e vërtetë, pasi është Komisioni Europian, ai që pas hartimit të progresraportit të ardhshëm në tetor duhet të rekomandojë ose jo për hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Teksa është e qartë se miratimi i reformës do të përmbushte kushtin e vetëm të vendosur nga BE tashmë për hapjen e bisedimeve, edhe në rast të një opinioni pozitiv, Shqipëria duhet të kalojë ende në “sitën” e 28 vendeve anëtare. Çdo veto e vendosur, qoftë nga një vend i vetëm, sjell automatikisht moshapjen e negociatave dhe në të shkuarën, historia e integrimit europian për vende të tjera ka dëshmuar se votat nuk janë të lidhura gjithmonë me qëndrimin zyrtar të BE-së, por edhe me interesa të ngushta të vendeve anëtare.

Publikuar: 08/06/2016
Përditësuar: 09/06/2016
Foto:
Keni pyetje? Na shkruani.