Politika

A është ende Shqipëria dhe Greqia, teknikisht në gjendje lufte?
Deklarata e vitit 1987 e qeverisë greke që shpalli si të “tejkaluar statusin e Shqipërisë si vend armik” dhe traktati i miqësisë së vitit 1996 nuk kanë shfuqizuar dekretin mbretëror për gjendjen e luftës së 10 nëntorit 1940
Në 10 nëntor 1940, dy javë nga fillimi i ofensivës italiane ndaj Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Mbreti i Republikës Helene, Xhorxhi (Jorgo) II shpalli një dekret, pjesë i ligjit të emergjencës 2636/1940 “për transaksionet e armiqve dhe sekuestrimin e pronave të armiqve të shtetit”.
Ligji përcaktonte si “armiq”, konkretisht “Italinë me zotërimet e saj, përfshi territoret perandorake dhe kolonitë, si dhe Shqipërinë”. Ky dekret, pothuajse 80 vite më vonë, është shndërruar në një “mollë sherri” dhe një pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve të miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Jafaktet ka analizuar në mënyrë kronologjike këtë çështje, për t’i dhënë përgjigje pyetjes nëse dy vendet tona janë ende teknikalikisht në luftë?
Historia nis me datën 7 prill 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Mbretëria e Italisë. Qeveria kukull e instaluar në Tiranë, i kërkoi Italisë që të pranonte bashkimin e Shqipërisë me kurorën e Mbretit Emanuel, bashkim personal që u bë brenda një viti dhe që njohu Shqipërinë, formalisht si pjesë të kurorës italiane.
Në aktin e bashkimit personal, të kaluar në Kuvendin kukull të Shqipërisë në qershor 1940, Mbretëria e Shqipërisë shpalli se “do të konsiderohej në luftë me çdo shtet që do të ishte në luftë me Mbretërinë e Italisë”. Një prej pasojave që solli ky bashkim ishte edhe shkrirja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, funksionet e të cilës i “ngarkoheshin” Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë Italiane.
Greqia u sulmua nga Italia në 28 tetor 1940 dhe në deklaratën e luftës së Greqisë, nuk u konsiderua statusi i Shqipërisë si e pushtuar “de facto” dhe Shqipëria u konsiderua automatikisht si një vend armik. Ligji i luftës, më pas u përdor nga pala greke për të spastruar etnikisht territoret me popullsi shqiptare në Veri të Greqisë, kryesisht në zonën e njohur si Çamëri.
Sanksionet e këtij ligji, që mbajnë nën sekuestro preventive tokat e popullsisë çame, janë konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga shteti grek, si me nenin 2, 9 dhe 444, i dekretit presidencial 551/88, të publikuar në Fletoren Zyrtare të Greqisë me numër 259 / A / 1988, për efekt të çështjes së zyrës së taksave, hipotekave dhe shërbimeve të tjera vendore.
Sipas shoqatave çame, në vitin 1970, Gjykata Kushtetuese Greke, gjatë regjimit të juntës ushtarake, shpalli vazhdimin e sekuestros së pronave të shqiptarëve me kombësi jo greke, deri në shfuqizimin e Ligjit të Luftës dhe Nënshkrimin e Traktatit të Paqes midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Pavarësisht këtyre fakteve, Greqia pretendon se ligji i luftës nuk është më i vlefshëm, pas një vendimi të marrë nga kabineti në vitin 1987. Në 28 gusht 1987, kabineti i PASOK-ut i drejtuar nga ish-ministri i Jashtëm dhe më pas presidenti i Greqisë, Karolos Papuluas, lëshoi këtë deklaratë unanime në lidhje me Republikën Popullore të Shqipërisë: “qeveria e Greqisë deklaron se karakteri i Shqipërisë si një vend armik ka pushuar së ekzistuari. Qeveria Greke është e bindur se kjo deklaratë shërben si një pikë fillimi i rregullimit të marrëdhënieve dhe çështjeve të mbetura pezull midis qeverive tona. Përfundimi i situatës së mëparshme të luftës do të kontribuojë për fuqizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve mike dhe në rritjen e bashkëpunimit midis tyre. Në mënyrë të veçantë, nga ky ligj përfiton pakica greke, e cila vazhdon të kultivojë traditat dhe identitetin e saj kombëtar, duke u shndërrua në një urë të fuqishme lidhëse midis dy popujve tanë”.
Pavarësisht kësaj deklarate të qeverisë greke, ligji i luftës vazhdon të ketë fuqi juridike sepse nuk është shfuqizuar. Ky ligj mbetet në fuqi pavarësisht se vendet tona, në vitin 1996, nënshkruan një traktat i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke, nënshkruar 21.03.1996 dhe hyri në fuqi në 04.02.1998 (faqe 12, pika 27 e dokumentit bashkangjitur).
Për këtë arsye, pavarësisht traktatit dhe deklaratës së qeverisë greke, teknikalikisht Shqipëria dhe Greqia vazhdojnë të jenë në gjendje luftes midis tyre.