Shendetesia

A është e vërtetë se kontrata për Check-Up ka kushtuar 120 milionë euro?
Pretendimet e ngritura në media se kontrata për Check-Up falas për qytetarët e moshës 45-60 vjeç ka kushtuar 120 milionë euro nuk është mbështetur asnjëherë mbi fakte apo shifra, duke e bërë të pamundur vërtetimin e këtij pretendimi.
Nga ana tjetër, në përgjigje të akuzave, Ministria e Shëndetësisë është shprehur se shuma e cila do të paguhet për këtë kontratë është 64 milionë dollarë në 10 vite, apo 6.4 milionë dollarë për vit.
Por si është llogaritur kjo shumë?
Sipas kontratës së firmosur nga ky institucion, kompania do të paguhet çdo vit për 475 mijë kontrolle, në çdo skenar të mundshëm, pra edhe nëse kjo kuotë nuk do të plotësohet. Ndërkohë që kosto për të cilën do të paguhet për një kontroll është 1,537 lekë (pa TVSH).
Për vitin 2015, Ministria e Shëndetësisë ka raportuar se janë kryer mesatarisht 30 mijë kontrolle në muaj. Kjo shifër është më e ulët se numri i kontrolleve që Ministria i paguan kompanisë fituese, por për vitet në vazhdim parashikohet që fluksi mujor të jetë mbi 43 mijë kontrolle.