Të tjera

A është e vërtetë se ligji ri për lejet mjedisore nuk është në përputhje me direktivat e BE-së?
Në një deklarate për shtyp, Partia Demokratike u shpreh se amendimi i ligjit nr. 10448, datë 14.7.2011 “Për lejet mjedisore”, i miratuar më datë 19.06.2014, shkel direktivat e BE-së, duke detyruar të pajisen me leje mjedisore disa subjekte që nuk ishin të përcaktuar më parë.
Direktiva e BE-së 2008/1/CE ose e quajtur ndryshe IPPC (Parandalimi dhe Kontrolli i Integruar i Ndotjes) përcakton qartë se marrja e lejes mjedisore është kusht kryesor për aktivitetet industriale dhe bujqësore të cilat kanë potencial të lartë ndotës si: industria e prodhimit të energjisë, prodhimi dhe përpunimi i metaleve, produktet minerale, industria kimike, menaxhimi i mbeturinave dhe mbarështimi i kafshëve. Për aktivitetet e tjera që kanë potencial më të ulët ndotës, direktiva i jep të drejtën shteteve të përcaktojnë normat dhe kushtet e marrjes së lejes mjedisore.
Ligji nr. 10448, datë 14.7.2011 është hartuar në përputhje me direktivën e BE-së 2008/1/CE, dhe përcakton 3 tipe të ndryshme lejesh mjedisore, A, B dhe C në bazë të nivelit të ndotjes. Në kategorinë A përfshihen aktivitetet e përcaktuara në direktivën e BE-së 2008/1/CE, me potencial të lartë ndotës.
Ky ligj përcakton në pikën 3 të nenit 4, që në çdo kohë, Ministria e Mjedisit apo Agjencia Rajonale e Mjedisit mund të rishikojë këto tipe lejesh në rast se:
a) shfaqen elemente të reja ekologjike, të panjohura në kohën e dhënies së saj;
b) dalin dispozita të reja për mjedisin, që e kërkojnë shprehimisht ndryshimin e
saj;
c) vërtetohet ndotje tej normave të lejuara;
ç) ka ndryshime themelore të veprimtarisë;
d) ka përparime në fushën e teknikave më të mira të mundshme, që lejojnë
pakësimin e rëndësishëm të shkarkimeve në mjedis dhe që nuk kërkojnë shpenzime të
mëdha.
Direktiva e BE-së 2008/1/CE është zëvendësuar nga direktiva 2010/75/UE në lidhje me sistemin e emetimeve industriale, ndërsa dispozitat e saj kanë qenë në fuqi deri në 4 Janar 2014. Direktiva e re e BE-së 2010/75/UE përcakton se publiku duhet të ketë mundësinë të marri pjesë paraprakisht në procesin e autorizimit mjedisor.
Amendimi i ligjit nr. 10448, datë 14.7.2011 “Për lejet mjedisore”, i miratuar më datë 19.06.2014 parashikon përfshirjen e disa aktiviteteve të reja që duhet të marrin leje mjedisore si: spitalet, ambulancat, poliklinikat dentare me mbi tre poltrona, aktivitete që emetojnë zhurma në mjedis etj,
Paraprakisht, këto aktivitete janë provuar se shkaktojnë ndotje tej normave të lejuara. Sipas ligjit nr. 10448 datë 14.7.2011,(neni 4, pika 3), kjo provë i jep të drejtën Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencive Rajonale, të ripërcaktojnë normat dhe kushtet për këto aktivitete.
Ligji i ri është në përputhje të plotë me direktivat e BE-së për ndotjen mjedisore, të cilat bazohen mbi parimin: “kush ndot paguan”.