Ekonomia

27/04/2016

Ekonomia shqiptare dhe indeksi i çmimeve të konsumit.

A është ekonomia shqiptare në deflacion?

Për të konsideruar një ekonomi në deflacion duhet që indeksi i çmimeve të konsumit të jetë negativ, pra nën 0%.Në këtë kuadër, sipas statistikave të INSTAT, viti 2015 u mbyll me një indeks të çmimeve të konsumit prej 2%. Një vit më parë, në 2014 indeksi i çmimeve të konsumit ishte 0.7%. 

Sipas objektivave të Bankë së Shqipërisë, inflacioni duhet të jetë ndërmjet 2% dhe 4%. Mesatarja e artë duhet të jetë 3%.
Në tre muajt e parë të vitit 2016 indeksi i çmimeve të konsumit ka qenë përkatësisht: 1.5% për muajin Janar, 0.2% për muajin Shkurt dhe 0.3% për muajin Mars. Mesatarja e tremujorit të parë të vitit 2016 është 0.65%. 

Sipas të dhënave të INSTAT, rënia e indeksit të çmimeve për vitin 2016 krahasuar me një vit më parë është reflektuar më shumë në grupin “Ushqime dhe pije joalkolike”, që ka kaluar nga 5.1% në 2.9%, në grupin “Pije alkolike dhe duhan” e cila ka kaluar nga 3.3% në 2.83% dhe në grupin “Transporti” i cili ka kaluar nga -0.6% në -3.7%. Indeksi i çmimeve për grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” është rritur krahasuar me vitin e kaluar por vazhdon të mbetet në vlera negative duke kaluar nga -2% në -1.2%. 

Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, “këto janë prirje disinflacioniste dhe jo deflacioniste, pasi inflacioni nuk ka qenë në nivele negative”. Gjithashtu ai theksoi se “rënia e inflacionit ka ardhur si pasojë e ndikimit të rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe e çmimeve bujqësore”. Në BE, inflacioni për vitin 2014 ka qenë 0.5% dhe për vitin 2015 ka qenë 0%. 

Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2016, inflacioni do të jetë në nivelin 1.9%. Në mesin e vitit 2018, Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të kthehet në objektivin e 3%.

 

Publikuar: 27/04/2016
Përditësuar: 27/04/2016
Foto: https://bankinghub.de
Keni pyetje? Na shkruani.