Shumë njerëz e ulërasin të vërtetën, por e thënë pa stil ajo është e kotë, nuk ndihmon askënd. - Charles Bukowski

Rendi

25/04/2016

Moratoriumi i gjuetisë ka ndalur gjuetinë e jashtëligjshme në Shqipëri?

Faktet e mbledhura nga burime të ndryshme tregojnë se Moratoriumi ka sjellë një kufizim të gjuetisë së jashtëligjshme, por pa e frenuar tërësisht këtë fenomen

Moratoriumi i gjuetisë, në Shqipëri u miratua në fillim të vitit 2014 dhe hyri në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare të datës 28 shkurt 2014, Nr.20, faqja 432. 

Në momentin e hyrjes në fuqi të ndalimit të plotë të gjuetisë në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, gjuetia kishte çuar në shfarrosjen ose kërcënonte me rrezik shfarrosje të një numri speciesh në vend.

Në një fjalim, kryeministri Rama i referohet shifrave zyrtare të Ministrisë së Mjedisit. Duke marrë vetëm disa shembuj, kreu i qeverisë thotë se në momentin e vendosjes së këtij moratoriumi, popullsia e fazanëve në vend pothuajse ishte shfarrosur plotësisht, thëllëza ishte pakësuar me 70%, lepuri ishte pakësuar me 50% dhe dhelpra me 30%.

Ndonëse efekti i ushtrimit të Moratoriumit përfundoi në mars të 2016-s, për momentin gjuetia vazhdon të jetë e ndaluar, pasi sezoni i gjuetisë fillon në 1 tetor 2016. 

Nga ana tjetër, Këshilli i Ministrave ka propozuar zgjatjen e Moratoriumit edhe me pesë vite të tjerë, për të dhënë kohë për një rigjenerim të plotë të faunës dhe florës në vend. Zgjatja e mundshme e moratoriumit do të debatohet në Parlament brenda pak javëve të ardhshme.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të ndaluar gjuetinë në vend, Jafaktet është në gjendje të mbledhë një numër rastesh që tregon se gjuetia e jashtëligjshme vazhdon të ndodhë, sidomos në zonat e thella dhe vështirësisht të aksesueshme të territorit shqiptar.

Në një numër rastesh, kanë qenë mediat të cilat kanë raportuar për vazhdimin e “masakrës”, jashtë çdo kriteri. Në 18 janar 2016, kur moratoriumi ishte ende në fuqi, gazeta “Panorama” ka publikuar një artikull ku bashkangjiten si provë një numër fotosh për gjuetinë e jashtëligjshme. 

Në mënyrë të ngjashme, në 30 mars 2016, gazeta “Shqip” raporton për gjuetinë e jashtëligjshme të një specie të rrallë baldose, e cila po rrezikon të zhduket përfundimisht nga territori shqiptar.
Media gjithashtu ka raportuar për rastet të gjuajtjes së rëqebullit të njohur si “Lynx Balcanica”, një specie gjithashtu e kërcënuar nga zhdukja e plotë.

Megjithatë, raportet më kuptimplota për gjuetinë e jashtëligjshme vijnë nga një numër organizatash jofitimprurëse, të dedikuar ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe natyrës. Zyra e Mesdheut për Ambientin, Kulturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, në një raport të publikuar në 21 janar 2016, publikon disa të dhëna vërtet shqetësuese.

Në dokumentin e bashkangjitur, kjo organizatë thotë se vetëm gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2015, “u dokumentuan 1 507 raste të gjuetisë së jashtëligjshme në Shqipëri nga ana e organizatës sonë. Pritet që rastet e gjuetisë së paligjshme të rriten në mënyrë drastike në muajt në vazhdim, sidomos pasi ulja e temperaturave gjatë dimrit sjell grumbullime të grupeve të mëdha të zogjve dimërorë në zonat lagunore”. 

Një tjetër raport, i një tjetër organizate të quajtur “PPNEA” (Protection and Preservation of Natural Environment in Albania), mbështet të dhënat e kësaj zyre.

Gjithashtu, PPNEA ka bërë një studim të thellë në korrik 2014, që tregon në mënyrë të detajuar gjendjen alarmante të popullsisë së një numri speciesh në vend, përfshi rrëqebulli ballkanik.

Gjatë dy viteve që Moratoriumi ka qenë në fuqi, sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, autoritetet kanë realizuar 650 inspektime, duke vendosur 44 gjoba dhe duke sekuestruar mbi 600 armë gjahu.

Megjithatë, përpjekjet për të ndaluar gjuetinë e jashtëligjshme në vend, përmes masave drastike si ndalimi i plotë i gjuetisë, nuk kanë dhënë ende efektin e pritur dhe sipas provave të grumbulluara, gjuetia e jashtëligjshme vazhdon të jetë një fenomen i përhapur në vend. 

Publikuar: 25/04/2016
Përditësuar: 25/04/2016
Foto:
Keni pyetje? Na shkruani.