Sociale

23/05/2016

A është Shqipëria midis vendeve më homofobe në Europë?

Legjislacioni shqiptar përputhet me legjislacionin europian për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të komunitetit LBGT. Megjithatë, shoqeria shqiptare eshte e papergatitur per te pranuar me shume te drejta civile per kete komunitet

17 maji është dita ndërkombëtare e homofobisë, e cila në Shqipëri u festua me një numër aktivitetesh të mbështetura nga një numër shoqatash për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LBGT. 

Në paradën e sensibilizimit të organizuar në 14 maj, përfaqësues të këtij komuniteti i kërkuan përsëri qeverisë shqiptare që të legalizojë bashkëjetesën civile ose martesat për këtë komunitet. Krahas eventeve të organizuara nga këto organizata, në media u publikuan gjatë ditëve të fundit një numër artikujsh, të cilët konsiderojnë Shqipërinë si një prej vendeve më homofobë të Europës, në mos më homofobi nga të gjithë. 

Jafaktet analizon këtë problem social përmes dokumentave zyrtarë, për të provuar nëse Shqipëria është me të vërtetë një vend homofob dhe nëse po, a shprehet kjo homofobi edhe në legjislacionin shqiptar.

Duke u ndalur tek legjislacioni, rezulton se Shqipëria ka në fuqi një numër ligjesh, të njëjta me ato të vendeve të Bashkimit Europian, çka garanton integritetin dhe ushtrimin e lirisë të bindjeve seksuale në të gjithë territorin e Republikës. Shqipëria dekriminalizoi homoseksualizmin nga kodi i saj penal në vitin 1995. Mosha minimale e lejuar për aktivitetin seksual është njehsuar për të gjithë shtetasit në vitin 2001, ndërsa që prej vitit 2008, homoseksualët janë në gjendje që të shërbejnë lirshëm në forcat e armatosura të Shqipërisë. Lejimi për të shërbyer në forcat e armatosura është një e drejtë e njohur nga pothuajse të gjithë vendet e Bashkimit Europian, e përjashtim bën momentalisht vetëm Qipro.

Që prej vitit 2010, Shqipëria ka në fuqi ligje që ndalojnë diskriminimin e personave LBGT në punësim, ligje që ndalojnë diskriminimin në të gjithë fushat e tjera, përfshi verbalisht dhe që prej vitit 2013, fyerja për shkak të bindjeve seksuale përbën një kundravajtje penale. Të gjithë këto ligje janë në fuqi gjithashtu në vendet e Bashkimit Europian dhe formojnë një kuadër të përparuar dhe efikas për mbrojtjen e të drejtave LBGT. Gjithashtu, me nje ligj te posacem, ne Republiken e Shqiperise njihet barazia gjinore dhe seksuale per te gjithe shtetasit e saj.

Përsa i përket të drejtave të tjera për të cilat kërkohet ndryshimi i kodit civil, vlen të theksohet se ato janë gjithmonë në dorë të vendeve përkatëse. E drejta për bashkëjetesë civile, e cila në Shqipëri është në proces njohje, njihet në Bashkimin Europian nga 21 prej 28 vendeve që formojnë unionin.

E drejta për martesë brenda të njëjtës gjini, e cila në Shqipëri nuk është e ligjshme, njihet aktualisht nga 12 vende të BE-së. E drejta e çifteve homoseksuale për të birësuar fëmijë, në Shqipëri e paligjshme, njihet nga 13 vende të Bashkimit Europian. E drejta për të ndryshuar ligjërisht gjininë, për të cilën në Shqipëri nuk ka ndonjë ligj të posaçëm, është gjithashtu një e drejtë e cila nuk njihet në të gjithë Bashkimin Europian. 

Ndërkohë, ndërsa Shqipëria ka një legjislacion që garanton dhe mbron të drejtat e komunitetit LBGT, ndonëse pa i njohur të drejtën e bashkëjetesës, martesës apo birësimit midis tyre, shtete si Maqedonia, Bosnja, Armenia apo Rusia, kanë në fuqi ligje që nuk garantojnë plotësisht as mos-diskriminimin e komunitetit LBGT. Vende të Bashkimit Europian, si Polonia, Sllovakia, Kroacia, kanë vendosur ndalimin e martesave gay në kushtetutën e tyre, për ta bërë pothuajse të pamundur një ndryshim në të ardhmen.

Shtete të tjera europiane, si Bjellorusia kërkojnë sterilizimin e homoseksualëve nëse kërkojnë ndryshimin e gjinisë, ndërsa shtete si Azerbajxhani, ndonëse kanë ligje jo-diskriminuese, mohojnë që në shtetin e tyre të ketë qytetar me një orientim seksual jotradicional.  Nga kjo analizë krahasimore, rezulton se Shqipëria ka një legjislacion që garanton një mbrojtje të efektshme të të drejtave LBGT, ndaj legjislacioni ynë nuk mund të konsiderohet si diskriminues apo homofob. 

Avancimi i të drejtave të komunitetit LBGT në Shqipëri është një përparësi për organizatat që përfaqësojnë këtë komunitet dhe së fundmi, disa prej shoqatave kryesore firmosën një memorandum bashkëpunimi, me qëllim koordinimin e aktivitetit të tyre, dedikuar arritjes së objektivave të tyre të përbashkëta.

Pa dyshim, homofobia ka edhe një aspekt tjetër të saj, atë që është diskriminimi social. A është Shqipëria një vend ku homoseksualët përbuzen vetëm për shkak të orientimit të tyre seksual. Të dhënat tregojnë se ndonëse në Shqipëri, rastet e sulmeve për shkak të bindjeve seksuale janë të ulta, vendi ynë mbetet një prej vendeve me opininin më të fortë kundër këtij këtij komuniteti.

Një ilustrim i vitit 2016 për përhapjen e homofobisë tregojnë të dhënat e Gallup dhe “Eurostatit”. Pyetjes nëse duhet të legalizohen martesat gay, në Shqipëri i përgjigjen pozitivisht 10%, negativisht 88%, ndërsa 2% nuk kanë opinion. Vetëm në Armeni, Bjellorusi, Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji dhe Rusi ekziston një opinion më negativ për martesat gay.

Nga ana tjetër, mbështetja për martesat gay është më e lartë në Europën Verior, në Holandë ajo shkon deri në 91%, në Suedi 90% dhe në Danimarkë 87%. 

Bazuar në këto të dhëna, harta e mëposhtme tregon me jeshile vendet ku opinioni është pozitiv dhe me të kuqe vendet ku opinioni publik mbetet me shumicë kundër martesave LBGT.

Harta e meposhtme tregon me jeshile vendet ku lejohen biresimet dhe me te kuqe vendet ku ndalohet ende

Harta e meposhtme tregon situaten persa i perket marteses, bashkejeteses dhe biresimeve per LGBT ne Europe


 

Publikuar: 18/05/2016
Përditësuar: 23/05/2016
Foto: http://www.gettyimages.ca/
Keni pyetje? Na shkruani.