Politika

A përbën shkelje emërimi i gjyqtarëve me short?
Zv/ministri i Drejtësisë ka akuzuar KLD-në për shkeljen e procedurave mbi emërimet e gjyqtarëve të rinj
Ditën e hënë, përmes një statusi në Facebook, zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, sulmoi Këshilin e Lartë të Drejtësisë për mënyrën e emërimit të magjistrantëve me short. Sipas tij, ky emërim është bërë në shkelje të ligjeve në fuqi, pasi është anashkaluar renditja sipas rezultateve të vlerësimit të shkollës së magjistraturës.
Në pritje të reagimit zyrtar të KLD-së, mbi procedurat për emërimin e magjistrantëve të rinj, Jafaktet ka analizuar procedurat ligjore në fuqi, për të kuptuar nëse emërimi i mundshëm me short përbën ose jo një shkelje, sipas pretendimit të zv/ministrit Isaraj.
Aktualisht, funksionimi i shkollës së magjistraturës rregullohet sipas ligjit 8136, të vitit 1996. Është neni 20, i ndryshuar me ligjin 9414, të datës 20.5.2005, i përditësuar, ai që rregullon funksionin e emërimeve të reja.
Ky nen, përcakton shprehimisht se përzgjedhja e kandidatëve bëhet në bazë të raporteve dhe vlerësimeve që i janë bërë stazhierëve gjatë procesit të stazhit të tyre.
Shprehimisht, ky nen thotë:
"Vlerësimi përfundimtar i kandidatëve bëhet nga këshilli pedagogjik, në bazë të rezultateve teorike dhe praktike të stazhit. Me kërkesë të Drejtorit të Shkollës, kryetari i gjykatës ose drejtuesi i prokurorisë, ku zhvillohet stazhi, caktojnë gjyqtarë ose prokurorë, të cilët, pasi kontrollojnë punën e stazhierit, paraqesin raporte vlerësimi për të. Drejtoria e shkollës i dërgon Presidentit të Republikës të dhënat e procesit të vlerësimit për të bërë emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla, pas propozimeve të bëra, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe nga Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët. Kur këto vende mungojnë, ata që janë në pritje të emërimit përfitojnë pagën dhe të drejtat e tjera, përkatësisht, të gjyqtarit ose të prokurorit. Kandidati për gjyqtar ose prokuror, në mungesë të vendeve të lira, me pëlqimin e tij, mund të punojë në administratën gjyqësore, në atë të prokurorisë, në Ministrinë e Drejtësisë ose si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në hapjen e vendit për gjyqtar ose prokuror".
Për këtë arsye, nëse provohet se KLD ka emëruar gjyqtarët e rinj përmes shortit, ky institucion është në kundërshtim me specifikimet ligjore për shkollën e magjistraturës.