Sociale

A vijon Shqipëria e dyta për azilkërkues në Gjermani në 2016-n?
Të dhënat e EUROSTAT tregojnë se fluksi i azilkërkuesve shqiptarë për në Gjermani ka njohur një ulje të ndjeshme gjatë 2016-s, duke bërë që shqiptarët të mos jenë më midis vendeve kryesore të origjinës së azilkërkuesve në tremujorin e parë të këtj viti
Ditën e hënë, një raport botëror i UNHCR për emigracionin dhe azilkërkuesit gjatë 2015-s tregoi se për herë të parë në historinë e njerëzimit, mbi 60 milionë njerëz jetojnë jashtë vendeve të tyre, si refugjatë apo azilkërkues.
Ky raport, në faqen 38, sillte në vëmendje edhe situatën e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, duke thënë se gjatë vitit të kaluar, numri i azilkërkuesve u rrit nga 7 900, në 53 800, një gjashtëfishim i numrit të azilkërkuesve shqiptarë krahasuar me 2014-n. Vitin e lënë pas, shqiptarët zinin vendin e dytë në Gjermani për azilkërkues, vetëm pas Sirisë, duke lënë mbrapa Kosovën, Afganistanin, Irakun dhe Afganistanin.
Shifrat e tilla janë konfirmuar edhe nga EUROSTAT dhe nga Ministria Federate Gjermane për Emigracionin dhe Refugjatët. Pavarësisht kësaj rritje drastike, burime zyrtare nga kjo ministri konfirmojnë se për shkak se Shqipëria konsiderohet si një vend i origjinës së sigurt, bazuar në përcaktimet e direktivës 2011/95 të Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian të datës 13 dhjetor 2011, si dhe mbi bazën e përcaktimeve të përgjithshme të Rregullores nr 2 të Dublinit të 2003-shit (kjo rregullore zëvendësoi Konventën e Dublinit mbi azilkërkuesit), përqindja e përfituesve shqiptarë është më e ulët se 0,2% të totalit të azilkërkuesve. Pjesa tjetër i nënshtrohet riatdhesimit të detyruar.
Ndërsa të dhënat zyrtare konfirojmë se shqiptarët janë grupi i dytë për azilkërkues në Gjermani gjatë 2015-s dhe formojnë 5% të totalit të përgjithshëm të kërkesave të 2015-s në BE, viti 2016-s ka sjellë një rënie të ndjeshme të këtij trendi. EUROSTAT konfirmon se në nivel europian, shqiptarët formuan në tremujorin e parë të vitit 2016-s 2% të totalit të kërkesave (nga 5% të një viti më parë) dhe se në këto tre muaj, shqiptarët nuk janë midis vendeve kryesore të origjinës që kërkojnë azil në Gjermani.
Faktikisht, shqiptarët janë të parë për azilkërkues vetëm në Islandë, ku për shkak të numrit të ulët të kërkesave, 30 aplikime nga shqiptarë në janar-mars 2016 e bëjnë Shqipërinë të renditet e para dhe jemi të dytët në Holandë, me 705 aplikime.
Bazuar në të dhënat e EUROSTAT, mund të përcaktohet me siguri se trendi i azilkërkuesve shqiptarë ka pësuar një rënie të ndjeshme me fillimin e 2016-s, ndonëse fluksi vazhdon të mbetet më i lartë se në 2014-n. Për këtë arsye, nuk është e vërtetë se shqiptarët vazhdojnë të jenë midis grupeve kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Gjermani edhe gjatë këtij viti.
Më poshtë, mund të gjeni të dhënat për numër azilkërkuesish shqiptarë në Gjermani, mbi bazë tremujori, nga viti 2014 e më tej.
REFERENCA
Tabela eshte mbeshtetur ne te dhenat e meposhtme
EUROSTAT - Record number of over 1.2 million first time asylum seekers registered in 2015
EUROSTAT - First time asylum applicants in the EU-28 by citizenship, Q1 2015 – Q1 2016.png
EUROSTAT - More than 410 000 first time asylum seekers registered in the third quarter of 2015
EUROSTAT - Asylum applicants and first instance decisions on asylum applications: 2014