Rendi

A është e vërtetë se ARRSH është përgjegjëse për aksidentin ku humbën jetën dy të mitur?
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në vitin 2014, ARRSH duhet të kishte proceduar me vendosjen e gardreleve anësorë në rrugën Plepa-Qerret, por në segmentin ku ndodhi aksidenti tragjik, mbajtëset anësore përsëri mungonin
Në datën 6 maj 2016, dy fëmijë të vegjël humbën jetën në një aksident rrugor në Qerret, pranë Kavajës, pasi nëna e tyre humbi kontrollin e mjetit me të cilën po udhëtonte për të vizituar të shoqin, i cili vuante një dënim në burgun e Rrogozhinës.
Sokol Negollari ishte arrestuar disa muaj më parë në fshatin Gërmenj, pasi kishte bërë një ndërtim pa leje në tokën e tij. Në makinën e drejtuar nga Silvana Negollari, ndodhej përveç nënës, e cila i mbijetoi aksidentit edhe tre fëmijë, një foshnje 18 muajshe e cila gjithashtu mbijetoi dhe dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç, të cilët humbën jetën në vendngjarje.
Në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik mungonin garderalat anësorë, të cilët në rast se do të kishin qenë të vendosur, me shumë gjasa mund të kishin shmangur këtë fund tragjik për familjen Negollari.
Në ditët pas aksidentit, Gjykata e Kavajës ndaloi tre persona, Dritan Fejzo, drejtori juridik i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bib Gjomakaj, drejtori rajonal i Autoritetit Rrugor të Tiranës dhe Lek Tushaj, drejtori i sigurimit të cilësisë pranë ARRSh-së. Të tre këta shtetas akuzohen për shpërdorim detyre dhe me vendim gjykate janë lënë në burg në pritje të hetimit.
Fakte të dala në media hedhin dyshimin se mosvendosja e gardreleve anësore në këtë pjesë të aksit rrugor Plepa-Qerret mund të jetë bërë për të favorizuar hyrjen në një karburant, i cili ndodhet në atë segment të rrugës.
Historia e vendosjes së gardreleve në këtë aks nis në vitin 2011, kur gjatë punimeve për përfundimin e këtij aksi, kjo pikë karburanti aplikoi disa herë tek Autoriteti Rrugor për t’i krijuar një hapësirë që mjetet të hynin e të dilnin nga rruga kryesore për në pikën e furnizimit me karburant.
Kjo kërkesë nuk u pranua dhe administrator i kompanisë që administron pikën e karburantit, Pilo Këri, ngriti një padi në Gjykatën Administrative, e cila vendosi masën e sigurimit të padisë, në bazë të të cilës Autoriteti Rrufor duhet të lejonte hapësirën e kërkuar nga shoqëria private deri në përfundim të procesit gjyqësor. Më pas, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i ka dhënë të drejtë padisë së karburantit në përfundim të procesit të gjykimit në themel.
Megjithatë, ARRSH ankimoi këtë vendim në Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila ka pushtuar padinë e kompanisë, duke rrëzuar njëkohësisht edhe vendimin e shkallës së parë. Vendimi i Gjykatës së Apelit është marrë në vitin 2014 dhe deri në ditën e aksidentit tragjik, nuk janë marrë masat përkatëse për plotësimin e hapësirës me gardrele.
Njoftim seance, Gjykata e Apelit Administrativ
Njoftim seance, Gjykata e Apelit Tirane
Jafaktet disponon gjithashtu një dokument zyrtar të datës 08.05.2014, të firmosur nga administrator i kompanisë PIENVIS.SH.P.K, Pilo Këri, drejtuar kompanisë që kishte fituar tenderin për të plotësuar rrugën me sinjalistikën përkatëse dhe gardrelat anësorë. Në këtë shkresë, zoti Këri i kërkon zyrtarisht kompanisë “Salillari” që të mos procedojë me vendosjen e gardreleve, pasi çështja është ende në gjykim dhe jep detaje të tjera shtesë mbi përballjen e kompanisë së tij me drejtësinë shqiptare.
Nga analiza e fakteve, rezulton se pas vendimit të Gjykatës së Apelit të vitit 2014, ARRSH duhet të kishte proceduar me vendosjen e gardreleve anësorë dhe se përgjegjësia për mosvendosjen e tyre, përfundimisht bie mbi ARRSH-në, një autoritet që gjatë vitit 2015 shpenzoi 1,511,177,648 lekë për sinjalistikën dhe sigurinë rrugore në Republikën e Shqipërisë.
Jafaktet disponon gjithashtu një analizë vjetore që ARRSH ka bërë gjatë vitit 2015, e cila në dritën e këtyre fakteve rezulton të jetë e pavërtetë. Midis të tjerave, në faqen e dytë të kësaj analize, ARRSH vlerëson punën e saj duke thënë: “Gjate vitit 2015 ARRSH-ja ka realizuar me sukses të gjitha objektivat e paravendosura në fillim viti. Këto objektiva janë realizuar plotesisht ne te gjitha zërat, si: financimet e huaja dhe të brendshmet (ku perfshihen kontrata punimesh, mbikqyrje dhe kontrata studim – prokjektim), prokurimet, shpronësimet dhe proceset gjyqesore”.
Në ditët e fundit, mediat kanë hedhur dyshime për favorizimin e pikës së karburanteve, lidhur edhe me faktin se administratori i kompanisë PIENVIS SH.P.K, që ka në zotërim këtë karburant, ka qenë ish-deputet i Partisë Socialiste, ndërsa djali i tij, Krislen Këri është shefi i kabinetit të Haxhinastos, në Ministrinë e Transporteve.
Për momentin, nuk ka asnjë provë që të lidhë shoqërinë që administronte pikën e karburantit, me çfarëdolloj shkelje apo favorizimi nga ana e autoriteteve shtetërore. Megjithatë, nga një kërkim në transaksionet e Thesarit të Shtetit, rezulton se kompania PIENVIS.SH.P.K ka përfituar në mënyrë të përsëritur kontrata punimesh nga ana e shtetit shqiptar. Konkretisht, në linqet e mëposhtme mund të shikoni dhjetëra pagesa për punë të kryera, të përfituara nga kjo kompani.
LINK 1 – Pagesat e bëra për PIENVIS. SH.P.K nga ana e buxhetit të shtetit
LINK 2 – Pagesat e bëra për PIENVIS. SH.P.K nga ana e buxhetit të shtetit
Ka ende edhe një element shtesë në këtë çështje. Në një reagim zyrtar, pas aksidentit, administrator i kompanisë, zoti Pilo Këri, akuzon ARRSH-në për një modifikim të projektit, që ka dëmtuar kompaninë e tij.
Sipas Kërit rruga dytësore nuk ka qenë as pjesë e projektit dhe as pjesë e prokurimit dhe kjo ështe arsyeja përse ai ka nisur betejën ligjore për të patur dalje në rrugën kryesore, ashtu siç thuhet në lejen që i është dhënë për zhvillimin e aktivitetit. Në “TV Klan”, zori Këri u shpreh: ““Rruga u projektua dhe u prokurua me katër kalime pa rrugë dytësor. Në datën 01.07.2010 është shtuar dhe rruga dytësore, e cila nuk është vënë në funksionim”.
Ligji nr 104/20144, datë 31.07.2014, “për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, publikuar në VKM 137/2014, neni 45, faqe 6 332, thotë: (LEXO TEKSTIN NE IMAZHIN BASHKANGJITUR).
Në bazë të këtij neni, pikat 1 dhe 2, leja për ndërtimin e karburantit nuk duhet të ishte dhënë, nëse në kohën e ndërtimit të tij do të kishin qenë dispozitat ligjore në fuqi prej vitit 2014.