Politika

Ligji i Ri për Pronat
A është e vërtetë që Ligji i Ri për pronat shkel Kushtetutën?
Ligji nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i cili u hartua vitin e kaluar dhe hyri në fuqi më 8 Shkurt të këtij viti, u kontestua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup ish-pronarësh, opozita dhe President i Republikës Bujar Nishani. Pretendimet e ngritura prej tyre se “kjo do të sjellë pasoja të pariparueshme për të gjithë pronarët, jo vetëm atyre që i drejtohen AKKP-së, por përbën çështje gjyqësore edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut” u hodhën poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Gjykata e Strasburgut.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që u bë publik nga kreu i kësaj Gjykate z. Bashkim Dedja, thuhej se: “Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi edhe pretendimet e palëve në seancë, në lidhje me kërkesën për masën provizore të pezullimit, vlerëson që zbatimi i këtij ligji deri në përfundim të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese dhe publikimin e vendimit përfundimtar, nuk sjell pasoja të pariparueshme, të cilat lidhen në varësi të vendimmarrjes që do të bëjë Kushtetuesja në lidhje me themelin e çështjes”. Në thelb të këtij vendimi, Ligji i Ri për Pronat nuk mund të pezullohet “pasi nuk sjell pasoja të pariparueshme”, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës.
Nga ana tjetër, Gjykata e Strasburgut dhe Këshilli i Europës e konsiderojnë ligjin në përputhje me të drejtat e njeriut. Gjithashtu, Gjykata e Strasburgut konfirmoi indirekt mbështjen e saj për ligjin e ri, duke pezulluar përfundimisht shqyrtimin e padive të reja të pronarëve kundër shtetit shqiptar. Këtë gjë e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama gjatë seancës së fundit parlamentare, pas kërkesës së bërë disa ditë më parë nga dy ministrat e qeverisë, Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani, drejtuar Presidentit të Gjykatës Europiane, z. Guido Raimondi.