Sociale

Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri
A ështe rritur çmimi i energjisë elektrike?
Në fillim të vitit 2015, struktura e çmimit të energjisë elektrike ndryshoi - bazuar në vendimmarrjen e Bordit të ERE, datë 26.12.2014 - duke unifikuar çmimin për konsumatorët familjarë në 9.5 lekë/kWh, nga ai me dy fasha që ishte, përkatësisht 7.7 lekë/kWh dhe 13.5 lekë/kWh.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë - në një publikim të datës 28.4.2016 – thuhet se: "Çmimi mesatar i realizuar për konsumatorët familjarë në vitin 2015 rezulton të jetë 9.52 lekë/kWh. Nëse struktura e çmimeve të konsumatorit familjar për vitin 2014 do të zbatohej për peshat specifike të sasisë së konsumuar gjatë vitit 2015, çmimi mesatar që do të paguanin familjet do të ishte 11.06 lekë/kWh. Shifër kjo, dukshëm më e lartë edhe se ajo e realizuar në vitin 2015 prej 9.52 lekë/kWh". Në bazë të këtij studimi, çmimi mesatar për vitin 2015 është ulur me 1.54 lekë/kWh krahasuar me vitin 2014. Rënia e çmimit konfirmohet edhe nga të dhënat e Eurostat, ku çmimi mesatar për kategorinë konsumatore në vitin 2013 dhe vitin 2014 ishte 0.116 euro/kWh dhe në vitin 2015 u ul në 0.081 euro/kWh ose me 0.035 euro/kWh.
Enti Rregullator i Energjise argumenton rënien e çmimit të energjisë duke nënvizuar se:
- Sasia e konsumuar në sistemin elektroenergjitik shqiptar në 2015 është 6.77% më e ulët se sasia e konsumuar në raport me vitin 2014 si rezultat edhe i evidentimi i konsumatorëve që merrnin energjinë në mënyrë të paligjshme (konsumonin pa limit) dhe faturimit korrekt për këtë kategori.
- Humbjet e vitit 2015 janë 31.34% në raport me humbjet e vitit 2014 prej 37.81%, të cilat tregojnë një ulje të ndjeshme prej 6.47 pikë përqindje. Kjo diferencë në uljen e humbjeve të energjisë elektrike i korrespondon një sasie në total prej 587 GWh.
- Nga konsumatorët familjarë në vitin 2015, vihet re një ulje e ndjeshme e sasisë se konsumit të energjisë elektrike për nivelin deri në 300 kWh.
Pika e mësipërme shpjegohet edhe në raportin e fundit të Entit Rregullator të Energjisë, ku analizohet faturimi sipas kategorive të konsumatorëve krahasuar me një vit më parë (fq.73). Si rezultat i evidentimit të konsumatorëve që merrnin energjinë në mënyrë të paligjshme, konsumatorët private janë rritur me 6.8 % krahasuar me vitin 2014 ose 37.8 % te faturimit total. Një pjesë e madhe e tyre, para vitit 2015 fshiheshin në fashën e mbrojtur deri në 300 kWh. Nga ana tjetër, konsumatorët familjar janë ulur me 8.4 % krahasuar me vitin 2014, ose 49.6 % te faturimit total. Konsumatorët buxhetorë dhe jo buxhetorë zene 12.6 % te faturimit total, ose 1.6% më shumë se viti i kaluar.
Në figurën 40 të këtij raporti (fq. 75), pasqyrohet shpërndarja e konsumatorëve familjarë sipas fashave të konsumit dhe sasia qe konsumojnë. Në këtë drejtim, rreth 78% e tyre konsumojnë deri në 300kWh ose 42% e sasisë totale të shpenzuar nga konsumatorët familjarë. Ndërsa 22% konsumojnë mbi 300kWh ose 58% e sasisë totale të shpenzuar nga konsumatorët familjarë. Nga këto të dhëna, konkludojmë që: nëse çmimi mesatar për vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 është ulur më 1.54 lekë/kWh, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 300 kWh (78% e tyre) është rritur me 1.8 lekë/kWh, duke kaluar nga 7.7 lekë/kWh në 9.5 lekë/kWh.