Ekonomia

Eksportet me vendet fqinje gjatë 2015-s u rritën
Të dhënat zyrtare tregojnë se në krahasim me 2014-n, eksportet janë rritur me të pestë vendet e rajonit, Kosovën, Greqinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi
Në një takim me 20 eksportuesit më të mëdhenj shqiptarë, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ishte një prej vendeve që gjatë 2015-s regjistroi rritjen më të madhe të eksporteve me vendet e tjera të rajonit.
Duke analizuar të dhënat zyrtare të INSTAT, Jafaktet merr në krahasim të dhënat e 5-vjeçarit të fundit për eksportet me vendet e rajonit, për të provuar nëse deklarata e kreut të qeverisë është e bazuar ose jo në fakte konkrete.
Kjo analizë, përfshin pesë shtete, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë. Me përjashtim të Serbisë, katër shtete e tjera janë fqinjë direktë të Shqipërisë, ndërsa Serbia është një prej vendeve që formojnë grupin e gjashtë shteteve të njohur në grupimin “vendev e Ballkanit Jugperëndimor”.
I vetmi shtet, nga ky bllok i fundit, për të cilin mungojnë të dhënat është Bosnja, me të cilin shkëmbimet tregare janë të ulta dhe përfshihen në kategorinë e vendeve “të tjera”.
Tabela e mëposhtme shpreh në vlerë, prej milionë lekësh, eksportet me këto vende fqinjë në 5 vitet e fundit.
Tabela 1: Eksportet sipas partnerit tregtar në milionë lekë
Partneri tregtar |
2011 |
2012 |
2013 |
2014 |
2015 |
Kosovë |
14 657 |
17 369 |
16 292 |
18 774 |
20 921 |
Greqi |
9 978 |
9 461 |
7 776 |
8 848 |
9 511 |
Maqedoni |
4 149 |
4 152 |
4 397 |
5 301 |
6 414 |
Mal i Zi |
1 684 |
1 793 |
3 173 |
3 520 |
3 375 |
Serbi |
3 597 |
1 647 |
2 247 |
1 608 |
3 204 |
Nga të dhënat e kësaj tabele, rezuton e vërtetë se eksportet në 2015-n, krahasuar me një vit më parë, janë rritur me secilin prej pesë partnerëve të mësipërm.
Njëkohësisht, gjatë këtij viti, me përjashtim të Greqisë dhe Serbisë, eksportet tona kanë arritur vlerën më të lartë historike. E thënë ndryshe, asnjëherë më parë se në 2015-n, eksportet tona nuk kanë qenë më të larta në Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi.
Krahasuar të dhënat e 2015-s, me 2011-n, eksportet me Kosovën rezultojnë të jenë 42% më të larta, me Malin e Zi janë rritur me 100% dhe me Maqedoninë 54%.
Eksportet me Greqinë, kryesisht për shkak të vështirësive ciklike të ekonomisë helene janë ulur, krahasuar me 5 vjet më parë me 4,9% dhe me Serbinë me 12,2%.
Grafiku i mëposhtëm përmbledh ecurinë e eksporteve shqiptare me vendet fqinje gjatë 5 viteve të fundit.
Nga të dhënat e marra në analizë, rezulton se pavarësisht një rënie të lehtë të eksporteve totale me 4% gjatë 2015-s, është e vërtetë se ka pasur rritje të ndjeshme të eksporteve me vendet fqinje.