Politika

Dekriminalizimi, amendamentet PD nuk merren parasysh
Partia Demokratike, në seancën e Parlamentit të 25 shkurtit 2016 kërkoi që të shtohen amendamente në ligjin për integritetin e funksionarëve publikë, kërkesë e cila nuk u morr parasysh.
I njohur gjerësisht si ligji i dekriminalizimit, ligji 138/2015 u miratua me konsensus në Kuvend në datën 17 dhjetor 2015.
Përpara se të miratohej, ligji u diskutua për disa muaj me radhë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, të kryesuar nga një deputet i Partisë Demokratike, z. Oerd Bylykbashi.
Në fillim të dhjetorit, kryetari i këtij Komisioni, z. Bylykbashi, në disa deklarata publike, si ajo e datës 3 dhjetor akuzoi qeverinë për vonimin e miratimit të draftit që ishte rënë dakord.
Amendamentet e propozuara në datën 25 shkurt nuk ishin paraqitur asnjëherë më parë gjatë procesit të diskutimit disa-mujor të ligjit në Komisionin Parlamentar.
Drafti i miratuar në 17 Dhjetor, me përjashtim të propozimit për detyrimin e kryerjes së një testi droge për funksionarët u miratua i plotë, me pëlqimin e të gjitha partive politike në vend.
Miratimi me konsensus i dekriminalizimit, sipas draftit të pëlqyer nga të gjitha palët u përshëndet nga partnerët ndërkombëtarë dhe konsiderohet nga Bashkimi Europian, nëpërmjet një reagimi zyrtar, si një hap i rëndësishëm përpara drejt hapjes së bisedimeve për anëtarësim.