Të tjera
01/03/2016

Taksa diskriminuese për avokatët?
Në bazë të ligjit numër 10 383, data 24.2.2011 për “Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”, profesionet e lira ishin të detyruar të paguanin deri më tani kontribute sipas dy fashave, për pagën minimale 22 mijë lekë ose për pagën 44 mijë lekë.
Një ligj i tillë shkakton një deformim të tregut, duke bërë që shumë avokatë të paguajnë sigurime shëndetësore më pak se pothuajse çdo profesion tjetër. Konkretisht, një avokat që siguronte veten mbi pagën minimale, deri më tani paguante 6 556 lekë, ndërsa një i mësues apo nëpunës i shtetit paguan midis 150-200 mijë lekë mesatarisht.
Kontributet për sigurimet shoqërore të profesionistëve të lirë përcaktohen rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave, por janë jo më të ulëta se 5,390 lekë në muaj dhe jo më të larta se 23,772 lekë në muaj.
Vendimi i Këshillit të Ministrave numër 37, datë 21 janar 2016, publikuar në Fletoren Zyrtare në datën 29 janar, është ai që përcakton në aneksin e tij të dytë dhe të tretë, konkretisht se cila do të jetë paga e referencës, në bazë të së cilës do të paguajnë avokatët sigurimet shëndetësore.
Në përcaktimin e këtyre pagave mbahen parasysh lloji i veprimtarisë profesionale, zona ku ajo zhvillohet, vitet e punës në profesion, numri i të punësuarve, paga për të njëjtin profesion në sektorin publik, vitet e punës në bazë të licencës në profesion dhe statusi i profesionit.
Për avokatët, ashtu si edhe për të gjithë profesionet e tjera të lira, ndarja në bazë të vendndodhjes së ushtrimit të profesionist bazohet në pesë kategori, ku kategoria e parë, ajo që paguan më shumë është Tirana si qytet (pagë reference 73 800 lekë).
Në kategorinë e dytë përfshihen qytetet e mëdha si Durrës, Vlorë, Fier, Korçë, Shkodër e Elbasan, e kështu me radhë, deri në kategorinë e pestë ku përfshihen qytet e vogla si dhe kategoria për zonat rurale, që paguajnë përkatësisht 61,254 lekë dhe 40 250 lekë (për më shumë shih listën e plotë në linkun e mësipërm).
Përvoja i ndan avokatët në tre kategori. Të sapodiplomuarit paguajnë më pak në tre vitet e para të profesionist dhe avokatët me përvojë 3-6 vite punë paguajnë më pak se avokatët me më shumë se 6 vite eksperiencë.
Publikuar: 01/03/2016
Përditësuar: 01/03/2016
Foto: Foto ilustruese