Politika

10/05/2016

Reforma në Drejtësi

A do të amnistohen ish-ministrat nga ligji i ri i Reformës në Drejtësi?

Sipas draftit final të Reformës në Drejtësi, e miratuar në parim nga komisioni i posaçëm parlamentar (ende jo nen për nen) në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT, në nenin 25 dhe pika 135 (fq.10) thuhet se: Gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe e apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë, krijohet me ligj. Termi “Funksionarë të lartë” përfshin Presidentin në detyrë dhe ish Presidentët e Republikës, Kryetarin në detyrë dhe ish Kryetarët e Kuvendit, Kryeministrin në detyrë dhe ish Kryeministrat, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë, anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tre viteve të fundit, Prokurorin e Përgjithshëm, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Kryetarët e Bashkive dhe deputetët e Kuvendit, zëvendësministrat, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative, dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj…
 

Në bazë të formulimit të mësipërm, gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të apelit, ndër të tjera, kanë të drejtë të gjykojnë mbi akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar, anëtarët e Këshillit të Ministrave në detyrë dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave gjatë tre viteve të fundit. Kjo do të thotë se ish-ministrat që kanë qenë në detyrë 3 vite më parë nuk do të jenë subjekt gjykimi nga gjykatat speciale. Nga ana tjetër, ish-ministrat e  tre viteve të fundit do të jenë subjekt gjykimi.
 

Kryeministri Rama, në një deklaratë, e quajti përjashtimin e ish-ministrave që kanë ushtruar funksionin e tyre deri 3 vite më parë, si një gabim në draftimin e nenit nga “miqtë dhe partnerët” dhe se “nuk do ketë absolutisht amnisti për askënd”. Nga ana tjetër, në një qëndrim zyrtar në lidhje me draftin në përgjithësi dhe nenin 25 në veçanti, opozita “është shprehur se nuk ka kërkuar kurrë që të hetohen vetëm ish-ministrat gjatë tre viteve të fundit, por kërkon që të mos ketë kufizime në kohë për hetimin e zyrtarëve të lartë”.

Në vijim të këtyre qëndrimeve, pas miratimit në parim nga komisioni i posaçëm parlamentar të Draftit të Reformës në Drejtësi, i cili do të pasohet me miratimin nen për nen, vlen për tu parë nëse pjesa e nenit 25-së i cili amniston ish-ministrat e deri 3 vite më parë do të modifikohet apo jo.

 

Publikuar: 09/05/2016
Përditësuar: 10/05/2016
Foto: www.google.com
Keni pyetje? Na shkruani.