Rendi

21/04/2016

Zgjatja e Memorandumit të Gjuetisë e legjitimuar?

Qeveria ka propozuar zgjatjen e Moratoriumit të Gjuetisë me pesë vjet, për të konsoliduar efektet pozitive në rigjenerimin e florës dhe faunës, por sipas të dhënave, edhe sepse mungojnë kapacitetet për një kontroll të plotë të territorit

Qeveria shqiptare ka propozuar së fundmi zgjatjen me pesë vjet të Moratoriumit të Gjuetisë, i cili skadoi më parë gjatë marsit pas dy viteve në fuqi. Vendimi ka ngjallur kundërshtitë e shoqatave të gjuetarëve në Shqipëri, që kanë kërkuar një kompromis me autoritetet, për lejimin e të paktën të disa zonave ku mund të ushtrohet gjuetia. 

Çështja e moratoriumit i prek drejtëpërsëdreti 17 mijë gjuetarë, anëtarë të 35 shoqatave të gjuetisë në vend. Cila palë ka të drejtë në këtë përballje? A është zgjatja e Moratoriumit e legjitimuar?
Jafaktet ka analizuar dy aspekte të kësaj çështje, duke analizuar së pari Moratoriumin nga pikëpamja e rigjenerimit të florës dhe faunës shqiptare dhe së dyti, duke analizuar nëse kjo masë drastike është shenjë ose jo e pafuqisë së shtetit për të kontrolluar të gjithë territorin ku ushtrohet gjueti në Republikën e Shqipërisë.

Moratoriumi i gjuetisë, në Shqipëri u miratua në fillim të vitit 2014 dhe hyri në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare të datës 28 shkurt 2014, Nr.20, faqja 432. Në momentin e hyrjes në fuqi të ndalimit të plotë të gjuetisë në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, gjuetia kishte çuar në shfarrosjen ose kërcënonte me rrezik shfarrosje të një numri speciesh në vend.

Në një fjalim, kryeministri Rama i referohet këtyre shifrave. Duke marrë vetëm disa shembuj, kreu i qeverisë thotë se në momentin e vendosjes së këtij moratoriumi, popullsia e fazanëve në vend pothuajse ishte shfarrosur plotësisht, thëllëza ishte pakësuar me 70%, lepuri ishte pakësuar me 50% dhe dhelpra me 30%.

Duke iu referuar përsëri të dhënave zyrtare, në këto dy vjet, pavarësisht se me të gjitha gjasat gjuetia e paligjshme nuk është ndaluar plotësisht, Moratoriumi ka pasur efekte pozivite, duke lejuar një rigjenerim të një numri speciesh në vend. Nga ana tjetër, autoritetet kanë realizuar në dy vjet mbi 650 inspektime, duke vendosur 44 gjoba dhe duke sekuestruar mbi 600 armë gjahu,

Pyetja nëse ky moratorium duhet të zgjatej edhe me pesë vite të tjera, për të garantuar një rigjenerim të plotë të popullatës së shumë specieve në vend meriton një përgjigje shkencore. Megjithatë, bazuar në të dhënat në fuqi dhe rezultatet pozitive të këtij moratorium, mund të vlerësohet se nga pikëpamja ambientaliste, zgjatja e ndalesës së gjuetisë do të ketë efekte pozitive shtesë, në florën dhe faunën e vendit.
Nga ana tjetër, mbetet një pyetje e rëndësishme. A është kjo masë drastike, një shenjë e pafuqisë së shtetit për të kontrolluar gjuetinë në çdo zonë të vendit, përfshi edhe zonat e thella malore? Zyra e Mesdheut për Ambientin, Kulturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, në një raport të publikuar në 21 janar 2016, publikon disa të dhëna vërtet shqetësuese.

Në dokumentin e bashkangjitur, kjo organizatë thotë se vetëm gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2015, “u dokumentuan 1 507 raste të gjuetisë së jashtëligjshme në Shqipëri nga ana e organizatës sonë. Pritet që rastet e gjuetisë së paligjshme të rriten në mënyrë drastike në muajt në vazhdim, sidomos pasi ulja e temperaturave gjatë dimrit sjell grumbullime të grupeve të mëdha të zogjve dimërorë në zonat lagunore”. 

I njëjti shqetësim ngrihet edhe në progresraportin e vitit 2015, i cili në faqen numër 67-68 për Shqipërinë, në kapitull për mjedisin, thotë se “Shqipëria duhet të sigurojë ende një mbrojtje të efektshme për zonat e mbrojtura”.

 Konkretisht, në progresraport flitet për mbrojtjen mjedisore në paragrafët e paraqitur në këto imazhe të prera nga dokumenti zyrtar.



Në dritën e këtyre fakteve, duket se kërkesa e gjuetarëve, për lejimin e aktivitetit të tyre në zona të caktuara, ndalohet më shumë për shkak të pamundësisë së autoriteteve për të kontrolluar efektivisht të gjithë territorin se sa nga shqetësimi për popullatën e specieve të ndryshme në vend.

 

Pjesërisht e vertetë
Publikuar: 21/04/2016
Përditësuar: 21/04/2016
Foto: www.jafaktet.al
Keni pyetje? Na shkruani.