Rendi

Numri i krimeve seksuale është dyfishuar
Të dhënat për një dyfishim të krimeve seksuale gjatë 2015-s janë të pavërteta, por është e vërtetë se është regjistruar një rritje prej 16%, të paktën referuar statistikave zyrtare
Një numër mediash kanë raportuar për një rritje alarmante të numrit të krimeve seksuale gjatë vitit 2015 në vend, deri në dyfishim krahasuar me vitin paraardhës. Jafaktet ka analizuar të dhënat zyrtare, duke u përqendruar në të dhënat statistikore të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Institutit të Statistikave për t’u përgjigjur nëse është i vërtetë ky raportim apo jo.
Raporti vjetor mbi Gjendjen e Kriminalitetit 2015, i publikuar nga Prokuroria e Përgjithshme tregon se në vitin e lënë pas, në total u regjistruan 102 krime seksuale, ndërsa Raporti i INSTAT për Femrat dhe Meshkujt 2015, tregon se në vitin 2014 u regjistruan në total 88 krime seksuale.
Në raportin e Prokurorisë, në faqen 73, theksohet se: “Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2015 ka rritje prej 16 % të numrit të procedimeve të regjistruara për krime seksuale në krahasim me vitin 2014. Ndërkohë që kemi të njëjtën rritje prej 16 % të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2014”.
Në raportin për “Femrat dhe Meshkujt në Shqipëri 2014” shikohet se në 2013-n u shënuan 89 krime seksuale, me autorë të gjithë meshkuj dhe se viti me numrin më të ulët të kësaj vepre penale është 2011, me 49 vepra të regjistruara.
Në dritën e fakteve, të dhënat për një dyfishim të krimeve seksuale rezultojnë të pavërteta, por është e vërtetë se në vitin e kaluar u vërejt një rritje e lehtë e kësaj vepre penale, krahasuar me dy vitet paraadhëse.
Në çdo rast, të dhënat e krimeve seksuale të regjistruara, nuk arrijnë të japin një pasqyrë të plotë të totalit të kësaj kategorie krimesh në Shqipëri, për faktin e thjeshtë se për një numër arsyesh sociale, kulturore e ekonomike, kategoria e këtyre krimeve mbetet një prej kategorive me raportimin më të ulët në vend.