Bashkitë

Sezoni Veror 2016
A është e vërtetë se këtë sezon turistik do të ketë vetëm plazhe private?
Përcaktimi i kritereve për të cilat plazhet mund të përdoren si zona çlodhëse dhe janë të autorizuara për përdorim publik, bëhet në bazë të Vendimit Nr. 321, datë 28.5.2014, “Për sigurinë në det, plazhe, në ujërat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”.
Sipas këtij vendimi:
Njësitë e qeverisjes vendore kanë këto detyrime:
a) Identifikimin e zonave të përshtatshme si zona çlodhëse, të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme për njerëzit.
b) Dhënien e autorizimit për plazhe, për argëtim e sporte ujore, të përshtatshme për përdorim publik, nëse ato nuk paraqesin rrezik për njerëzit nga pikëpamja shëndetësore/higjienike apo e sigurisë.
c) Dhënien e lejeve për individë ose persona juridikë bashkë me autorizimin e përdorimit të plazheve, zonave çlodhëse për përdorim publik, për argëtim e sporte ujore.
Gjithashtu, sipas Vendimit Nr. 321, datë 28.5.2014, thuhet se:
“Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimi dhe që është subjekt autorizimi për përdorim, të lërë në dispozicion për “plazh publik” 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit. Plazhi publik të menaxhohet dhe të jetë në administrim të njësive të qeverisjes vendore.Shpërndarja për stacionet e plazhit publik dhe privat të bëhet në mënyrë proporcionale”.
Në fund, vendimi Nr. 369, datë 18.5.2016 përcakton rregulloren “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”. Sipas kësaj rregullore, “Veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet nga çdo person fizik apo juridik i përzgjedhur nga njësia e vetqeverisjes vendore....” dhe “Hapësirat e plazheve të lejuara, të cilat nuk janë dhënë në përdorim për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, janë në përdorim të lirë të pushuesve dhe mirëmbahen nga njësia e vetëqeverisjes vendore”.
Këto fakte u konfirmuan edhe nga Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, e cila theksoi se “Hapësirat e plazheve publike i garantohen qytetarëve përmes një vendimi të mëparshëm të qeverisë datë 28.05.2014, e përcakton shumë qartë hapësirën e asaj që ne e quajmë “plazh publik”. Në këtë vendim thuhet shprehimisht: “Çdo njësi e qeverisjes vendore, që ka në përgjegjësi administrimin e territorit të plazhit duhet të lërë në dispozicion për “plazh publik” jo më pak se 20% të territorit të përgjithshëm të plazhit".