Ekonomia

Treguesit e besimit në ekonomi
A ka rënë besimi i biznesit dhe konsumatorëve në ekonomi?
Banka e Shqipërisë, së fundmi, publikoi raportin mbi besimin e biznesit dhe konsumatorit në ekonomi për tremujorin e parë te vitit 2016. Në faqen e parë të këtij raporti thuhet se: “treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ra me 5.7%, në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zbritur poshtë mesatares historike për herë të parë pas tre tremujorëve”.
Më poshtë, Banka e Shqipërisë analizon treguesin e besimit për çdo sektor. Kështu, për sektorin e industrisë, treguesi i besimit u ul me 3% por qëndron 4.5% mbi mesataren.
Për sektorin e ndërtimit, treguesi i besimit ra me 16.7%. Niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me 15.4% dhe poshtë mesatares së periudhës 2008 – 2015 me 9%.
Për sektorin e shërbimeve, treguesi i besimit ra me 1%. Niveli i tij qëndron poshtë mesatares historike me 3.7%.
Për sektorin e tregtisë, treguesi i besimit ra me 4.1% por vijon të qëndrojë mbi mesataren historike.
Nga ana tjetër, sipas këtij raporti, besimi konsumator shënoi rënie me 2.5% për tremujorin e parë të vitit 2016. Në analizë shpjegohet se: “niveli më i ulët i TBK-së u drejtua kryesisht nga rënia e balancës së blerjeve të mëdha, me 7.6 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël nga balancat më të ulëta të situatës financiare të pritur të familjes (-1.9 pikë përqindje) dhe të situatës së të ardhurave/shpenzimeve (-1.8 pikë përqindje). Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBK-së, situata e përgjithshme ekonomike në vend gjatë tremujorit të ardhshëm, u rrit me 1.5 pikë përqindje, duke dhënë sërish një kontribut të vogël në kahun rritës për treguesin.