Në kohën e mashtrimit universal, të thuash të vërtetën është një akt revolucionar. - George Orwell

Ekonomia

20/04/2016

Zgjatja e kontratës së koncensionarit të TIA-s abuzive

Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se zgjatja me dy vjet e kontratës me koncesionarin e aeroportit të Tiranës, në këmbim të hapjes së aeroportit të Kukësit, dëmton interesat shtetit. Megjithatë, formula e gjetur lejon riaktivizimin e aeroportit të Kukësit, i cili do të lejoje uljen e çmimit të biletave. Njëkohësisht, vënia në punë e Kukësit i kursen buxhetit të shtetit kostot që prej 10 vitesh paguan për ta mbajtur në gjendje pune, pavarësisht se është inoperativ

Më parë gjatë prillit, Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto dhe Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, nënshkruan me përfaqësues të konçesionarit të TIA-s (Tirana International Airport), një marrëveshje për zgjatjen e koncensionit me dy vjet, në këmbim të liberalizimit të fluturimeve ndërkombëtare në vend. Sipas marrëveshje së re, koncensioni do të përfundojë në vitin 2027. LEXO PREZANTIMIN E MARREVESHJES TE MEPARSHME KONCESIONARE ME TIA-N

Kjo marrëveshje lejon hapjen e aeroportit të Kukësit, për të cilin prej një viti të paktën një kompani fluturimesh low-cost, si Wizzair, ka shprehur interesin për të operaruar nga ky destinacion. Njëkohësisht, marrëveshja i hap rrugë rivënies në punë të aeroporteve të tjerë në Shqipëri si dhe ndërtimit të aeroporteve të tjerë, si ai i Sarandës. Nëse aeroporte të tjera do të vihen në punë, duke rihapur ekzistuesit ose duke ndërtuar të rinj, TIA-s do t’i zgjatet automatikisht marrëveshja koncesionare me shtetin shqiptar me gjysmë viti për çdo viti punë të aeroporteve të reja.

Një ndryshim i tillë i termave të koncensionit duket se është në dobi të shtetit shqiptar. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës e ka konsideruar të dëmshëm zgjatjen e kontratës. Jafaktet ka analizuar një numër dokumentash zyrtarë, për të kuptuar se cili do të jetë përfitimi ose dëmi nga ky ndryshim i koncensionit.

Revista “Monitor” ka përcjellë një reagim zyrtar të kryetares së Autoritetit të Konkurrencës dhe një shkresë zyrtare të këtij insitucioni, që rekomandon mosshtyrjen e afatit. Në këtë prononcim, Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, tha se “Autoriteti ka përshëndetur faktin që drafti është konsultuar me ta, por bazuar dhe në raportin e monitorimit që ka bërë më përpara Autoriteti, koncesionari kishte aftësi financiare të tilla që të mundësonte liberalizimin e Aeroportit të Kukësit, pa kosto shtesë për ekonominë, përsëri duke ruajtur mirëqenien ekonomike të koncesionarit”. 

Ndonëse Autoriteti i Konkurrencës shpreh shqetësimet e tij për këtë zgjatje, e njëjti institucion, në 2014-n sulmon marrëveshjen me koncesionarin si të dëmshme pikërisht për arsyen se moslejimi i funksionimit të një aeroporti të dytë, dëmton konkurrencën dhe krijon për TIA-n një pozicion dominues në treg.

Në vendimin, Nr.308, datë 21.02.2014 “Për disa rekomandime për rritjen e konkurrencës ne tregun e sherbimit të transportit ajror”, shkruhet:

Pika 2 - Shërbimet aeroportuale ofrohen për shoqëritë ajrore vetëm nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës kështu që TIA është i vetmi operator në tregun e shërbimeve aeroportuale, pra ka pozitë dominuese në këtë treg, dhe kompanitë e fluturimeve ajrore nuk kanë mundësi tjetër zgjedhjeje për të përfituar këtë shërbim. 

Pika 3 - Kompanive “low cost” të njohura për ofrimin e shërbimeve më kosto të ulët nuk ju mundësohet ofrimi i shërbimit aeroportual nga nje aeroport dytësor apo me kosto të ulët, shërbim që e synojnë kompanitë ajrore “low cost”.

Pika 7 - Për vlerësimin e çmimeve/tarifave abuzivisht të larta si rezultat i një pozite dominuese dhe çmimeve abuzivisht shumë të ulta, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se është e domosdoshme një metodologji/rregullore e cila aktualisht mungon. AAC aprovon në mënyrë automatike tarifat e kompanive të njoftuara në AAC, por pa patur një analizë kosto apo metodologji për vlerësimin e këtyre tarifave.

Gjithashtu, në vitin 2012, Autoriteti i Konkurrencës ka lidhur një memorandum bashkëpunimi me Autoritetin e Aviacionit Civil, e njeri prej qëllimeve kryesore te ketij memorandumi ishte ndryshimi i “status-quo”, për rritjen e konkurrencës në aviacion.

Pavarësisht kësaj, ndërsa mund të jetë e vërtetë që zgjatja e koncesionit të TIA-s me dy vjet, mund të dëmtojë interesat e shqiptarëve, janë edhe dy aspekte të tjera shumë të rëndësishme për të konsideruar.

Së pari, mbjatja e Aeroportit të Kukësit në gjendje inoperative, siç dëshmon edhe UDHËZIM Nr. 2127/4, datë 7.7.2014 PËR ADMINISTRIMIN E AEROPORTIT TE KUKËSIT, publikuar në Fletoren Zyrtare numër 111, datë 16 korrik 2014, faqja 4997, ka kosto për buxhetin e shtetit shqiptar, që është i detyruar të mbajë aeroportin në gjendje pune, ndonëse në të nuk punohet.

Së dyti, hapja e tregut, pavarësisht zgjatjes me dy vjet të koncensionit, do të mundësojë uljen e tarifave, të cilat për momentin janë më të shtrenjtat në rajon. Përshembull, jo më larg se kjo javë, mediat shqiptare akuzuan edhe për një rritje të re abuzive, me 60-70%, të kostos së biletës për fluturimet në Itali.

Në dritën e këtyre fakteve, duke marrë parasysh arsyet e mospëlqimit të zgjatjes së koncensionit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se ndryshimi i këtij koncensioni është legjitim, përpara interesave të shqiptarëve.
 

Publikuar: 20/04/2016
Përditësuar: 20/04/2016
Foto: www.flickr.com
Keni pyetje? Na shkruani.