Të tjera

A duhet që INSTAT të ndryshojë metodologjinë e përllogaritjes së prodhimit bujqësor?
Ministri Panariti pretendon se statistikat për bujqësinë nuk reflektojnë rritjen reale të saj, pasi në të përfshihet sektori i pyjeve dhe lihet jashtë agropërpunimi, i cili përllogaritet në zërin e industrisë. Krahasimi me EUROSTAT tregon se INSTAT përdor të njëjtat metodologji si edhe institucioni më i madh europian i statistikave
U rrit apo pësoi rënie bujqësia gjatë vitit 2015? Të dhënat zyrtare kanë një “kontradiktë”. Sipas INSTAT, në vitin e lënë pas, bujqësia pati një ndikim negative në rritjen ekonomike, ndërsa ishte në rënie në tre prej katër tremujorëve, të krahasuar me tremujorët përkatës të vitit të mëparshëm.
STATISTIKAT E INSTAT
TREMUJORI IV 2015
TREMUJORI III 2015
TREMUJORI II 2015
TREMUJORI I 2015
Nga ana tjetër, është fakt se eksportet bujqësore pësuan një rritje historike, duke shënuar nivelin e tyre më të mirë ndonjëherë, me 21 miliardë lekë të rinj, 25% më shumë se viti 2014 ose 60 milionë dollarë më shumë. Të dhenat tabeles se meposhtme bazohen ne raportet e INSTAT, per eksportet bujqesore nga viti 1993 deri me sot.
Përballë këtyre dy fakteve, Ministri i Bujqësisë, zoti Edmond Panariti publikisht deklaroi se INSTAT ka një problem në metodologjinë e përdorur për të vlerësuar aktivitetin bujqësor. Kreu i bujqësisë shqiptare argumentoi se këto të dhëna, nuk janë reale për shkak se në aktivitetin bujqësor përfshihen edhe pyjet, për të cilët është vendosur një moratorium dhe sepse të dhënat e agropërpunimit, një sektor me rritje të ndjeshme, përfshihen në zërin e industrisë në statistikat zyrtare.
Një tjetër “kontradiktë” logjike, duket se është fakti: A mund të ketë një sektor rënie, kur faktikisht eksportet rriten në mënyrë drastike? Shpjegimi i kësaj pyetje të dytë lidhet me një numër ndryshimesh strukturore që po ndodhin në bujqësinë shqiptare.
Prodhimet tona kanë filluar të gjejnë gjithmonë e më shumë akses në tregjet rajonale. Kjo bën që eksportet të njohin një rritje të pandërprerë vit pas viti. Megjithatë, pjesa që shkon për eksport është vetëm një pjesë ende e vogël e prodhimit të brendshëm bujqësor, e revista “Monitor”, në një shkrim të saj e llogarit vetëm 7% të totalit.
Kështu që ndërsa eksportet kanë njohur rritje, aktiviteti bujqësor në total ka pësuar një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë, kjo ndikuar edhe nga një seri përmbytjesh që goditën të mbjellat gjatë 2015-s. SHIH ME LART TE DHENAT E INSTAT PER TREMUJORET
Përsa i përket argumentimit të ministrit, duket se zoti Panariti ka një argument të fortë, kur thotë se agropërpunimi është i lidhur direkt me bujqësinë dhe duhet të klasifikohet në këtë zë. Megjithatë, një krahasim me institutet e statistikave europiane, përfshi Eurostat, tregon se agroindustria është një sektor që klasifikohet kudo në zërin e industrisë dhe INSTAT, duke bëtë këtë thjesht ndjek një metodologji të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht.
Konkretisht, në faqen hyrëse të EUROSTAT, statistikat për bujqësinë grupohen ashtu si në Shqipëri në Bujqësi, Peshkim, Pyje. Instituti Europian i Statistikave klasifikon si produkt bujqësor vetëm produktet bazë dhe jo produktet e përpunuara, që edhe ato shkojnë në zërin e industrisë. Më gjerësisht, në bujqësi, peshkim dhe pyje përfshihen aktivitetet ekonomike që lidhen me të mbjellat, kafshët e gjalla, mishi, qumështi dhe produktet e tij, shitja e pesticideve, fermat organike, pyjet dhe statistikat nga peshkimi.
Nga ana e saj, sipas statistikave të FAO-s, Organizatës Botërore të Ushqimit, në agropërpunim përfshihen produktet ushqimore dhe pijet e përpunuara, duhani, tekstilet, lëkura, këpucët, produktet e drurit, letra, goma dhe disa nënprodukte të tjera.
Të dhënat e Jafakteve tregojnë se bujqësia do të kishte të dhëna më të favorshme nëse në të do të përfshihej një sektor me një rritje të rëndësishme si agropërpunimi, por statistikisht, ky sektor nuk përfshihen në të dhënat e bujqësisë nga asnjë prej institutive partnere të statistikave. Gjithashtu, deklarat e zotit Panariti se bujqësia ishte sektori me rritjen më të madhe ekonomike gjatë 2015-s rezulton e pavërtetë. Sektori me rritjen më të madhe në vitin e lënë pas ishte ndërtimi.
Gjithashtu, zoti Panariti argumenton se moratoriumi i pyjeve dëmton sërisht bujqësinë, kur të përllogariten të dhënat e saj. Megjithatë, moratoriumi hyri në fuqi vetëm gjatë këtij viti, ndaj nuk ka ndonjë impakt në të dhënat statistikore për bujqësinë gjatë 2015-s.