Sociale

Emigracioni, faktor kryesor i rënies demografike në Shqipëri?
Ndërsa emigracioni mbetet një faktor, rrudhja e popullsisë gjatë dekadës së fundit motivohet kryesisht nga rënia drastike e lindshmërisë. Që prej vitit 2004, shtesa natyrore ka kaluar nën numrin e vdekjeve, ndonëse kjo shtesë vazhdon të mbetet përsëri pozitive
Disa ditë më parë, në raportin e tij të përvitshëm për femrat dhe meshkujt në Shqipëri, INSTAT raportoi disa shifra vërtet alarmuese për vitin 2015. Sipas këtyre të dhënave, pothuajse të gjithë treguesit demografikë në vend kanë pasur një ecuri negative gjatë vitit të lënë pas.
Kështu, vdekjet janë rritur me 8%, divorcet kanë njohur një rritje dramatike në krahasim me një vit më parë me 24%. Lindjet kanë rënë me 8,5%, por pavarësisht rënies së lindjeve, abortet gjithashtu janë rritur.
Nga ana tjetër, popullsia e Shqipërisë, që prej vitit 1991 ka njohur një rënie të pandalshme. Gjatë viteve të fundit, trendi rënës është ngadalësuar, por nga 10-25 mijë banorë në vit që ishte gjatë viteve 2000, në 3-4 mijë në vit.
Përmes fakteve, Jafaktet argumenton se ndonëse rënia e popullsisë vazhdon rënie, në vitet e fundit, kanë ndryshuar arsyet që shkaktojnë këtë rënie. Në vitet 1990 dhe fillimin e viteve 2000, arsyeja kryesore e rënies ishte emigracioni masiv. Kjo deri në një farë mase kompensohej nga rritja natyrore. Kështu, në vitet 1990-92, kur filloi emigracioni masiv në vend, kishte një shtesë natyrore prej 50-60 mijë banorësh në vit.
Në vitin 2015, statistikat zyrtare tregojnë se 42 922 persona u larguan nga Shqipëria si emigrantë dhe 25 846 persona imigruan nga vende të tjera drejt Shqipërisë.
Pjesa dërrmuese e imigrantëve janë shqiptarë që lënë emigracionin, për t’u zhvendosur përfundimisht në Shqipëri. Si rrjedhojë, raporti neto i emigracion-imigracion është -17 076 persona, por falë shtesës natyrore (pothuajse 11 mijë më shumë lindje se vdekje), popullsia e Shqipërisë në vitin 2015 është pakësuar me 6 277 persona.
Nëse shtesa natyrore do të ishte e njëjtë me atë të fillim viteve 1990, popullsia jonë do të ishte rritur me mbi 40 mijë banorë, pavarësisht emigracionit. Edhe sikur shtesa të ishte si në fillimin e viteve 2000, me një diference mesatare rreth 25-30 mijë midis lindjeve dhe vdekjeve, përsëri do të njihnin një rritje demografike.
Ajo që po ndodh është që ndërsa numri i emigrantëve po ulet vit pas viti, nga 52,3 mijë në 2012-n, në 46,5 mijë në 2014-n dhe 42,9 mijë në 2015-n dhe numri i imigrantëve po rritet vazhdimisht duke zvogëluar hendekun e krijuar nga emigracioni, arsyeja kryesore se përse popullsia jonë po vazhdon të rrudhet është rënia drastike e shtesës natyrore.
Të dhënat e INSTAT tregojnë edhe një të dhëna tjetër shqetësuese, përveç plakjes së popullsisë që ka arritur moshën mesatare 37,1 vjeç në 2015. Që prej vitit 2004, shtesa natyrore ka rënë nën nivelin e vdekshmërisë në Shqipëri. Ndërsa emigracioni vazhdon të mbetet një faktor negativ mbi demografinë shqiptare, arsyeja kryesore e rënies duket se motivohet nga rënia drastike e lindshmërisë gjatë 10 viteve të fundit.
Shenim: Popullsia e shprehur ne mije perfaqeson shkallen e milionit (3,060 mije baraz me 3.060.000 milione)