
10 vjet nga shpallja e parkut industrial të Koplikut, lexoni historikun e tij
Ditën e mërkurë, qeveria shqiptare, përmes një VKM vendosi të shpallë “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 61 (gjashtëdhjetë e një) ha, një zonë në Koplik, pranë Shkodrës. Jafaktet analizon dokumentat zyrtare, për të analizuar historinë e këtij parku industrial, të nisur që në vitin 2007.
Kur u parashtrua për herë të parë ideja për ndërtimin e një zone ekonomike në Koplik?
Ideja për ndërtimin e disa parqeve industriale, ekonomike apo energjitike ishte pjesë integrale e platformës qeverisëse së aleancës së kryesor nga demokratët në zgjedhjet e 2005-s. Në këtë platformë, midis të tjera konsiderohej se ndërtimi I këtyre parqeve ishte mënyra më e mirë për të përthithur investime të huaja direkte në Shqipëri.
“Ofrimi i lehtesirave ne formen e parqeve industriale, lehtesirave fiskale, lehtesimit te partneritetit me biznesin vendas, si dhe pasurimi e intensifikimi i informacionit mbi mundesite per biznese ne Shqiperi do te jene disa nga programet specifike per nxitjen e investimeve te huaja”, shkruhej midis të tjerave në këtë platforme.
A u konkretizua ndonjëherë ky projekt për ndërtimin e këtij parku?
Në vitin 2007, qeveria shqiptare, në datën 19 shtator 2007, mori një vendim për shpalljen e një zone prej 61 hektarësh në Koplik si “Park industrial’. Në këtë zonë ekonomike parashikohej të zhvilloheshin veprimtari prodhuese, industriale dhe agropërpunimi, tregtare, eksport-importi e aktivitete të tjera ndihmëse. Ndërtimi I zonës do të kontraktohej me koncension që do të zgjaste 35 vjet.
Çfarë ndodhi më tej me parkun industrial të Koplikut?
Në vitin 2008, përmes vendimit numër 773, të datës 4.6.2008, u aprovua dhënia e një bonusi prej tetë pikësh për firmën “Zona industriale dhe tregtare Koplik sh.p.k”, pas kjo firmë parashtroi një propozim të pakërkuar për ndërtimin e parkut. Kjo procedurë paralajmëroi fillimin e shpejtë të punimeve nga firma në fjalë dhe firma fitoi më pas të drejtën për të nisur ndërtimin e këtij parku, por zona industriale e Koplikut mbeti sërish pa u ndërtuar.
Përse parku nuk u ndërtua nga kompania fituese e koncesionit?
Aksionerë në këtë sipërmarrje të “Zona industriale dhe tregtare Koplik sh.p.k” ishte edhe “Degennaro grup” përmes DEG S.P.A, pronarët e së cilës ishin nga Bari. Pas katër vjetëve dy vëllezërit De Gennaro u arrestuan në Bari dhe u akuzuan për korrupsion dhe aktivitet mafioz. Dënimi I tyre la përfundimisht pa kompletuar investimin e miratuar që kapte shumën 18.5 milionë euro dhe do të krijonte 16 374 vende pune.
Çfarë do të ndodhë përfundimisht me këtë zonë?
Të mërkurën e 22 qershorit 2016, qeveria shqiptare vendosi ta riaktivizojë këtë zonë, si një mundësi të mirë për të zhvilluar ekonomikisht zonën e Malësisë së Madhe. Ndryshimi I vetëm është se zona e Koplikut nuk konsiderohet më “park industrial”, por një “zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”. Sipërfaqja mbetet e njëjtë, prej 61 hektarësh. Më poshtë mund të lexoni të plotë VKM-në e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë një ditë më parë. Megjithatë, është ende e parakohshme të flitet për një datë apo për mundësinë që kjo zonë teknologjike të bëhet realitet.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË TEKNOLOGJISË DHE ZHVILLIMIT EKONOMIK NË KOPLIK, MALËSI E MADHE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 61 (gjashtëdhjetë e një) ha, pjesë e zonës kadastrale nr.2220, në Koplik, Malësi e Madhe, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes së kësaj zone përcaktohen në hartën treguese, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë janë të llojit:
a) prodhuese, industriale dhe agropërpunimi;
b) tregtare dhe magazinimi mallrash;
c) shërbime.
4. Periudha e funksionimit të zonës është deri në 99 vjet.
5. Zona e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik jepet me qira, me çmimin 1 euro.
6. Përzgjedhja e zhvilluesit të zonës të bëhet nëpërmjet procedurës konkurruese.
7. Kriteret, në bazë të të cilave do të vlerësohen zhvilluesit, janë:
a) propozimi i projektit teknik;
b) ndikimi mjedisor;
c) ndikimi social;
ç) kohëzgjatja e punimeve;
d) kapaciteti financiar i kompanisë dhe mundësia e financimit të projektit.
8. Vendimi nr.12, datë 4.1.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës ekonomike në Koplik, Shkodër”, dhe vendimi nr.773, datë 4.6.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike në Koplik, Shkodër, dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, shfuqizohen.
9. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Pyetje:Strategjia e Strehimit Social 2016-2025
Pergjigje:Strategjia e Strehimit Social 2016-2025 është një dokument politik i rëndësishëm, që i ka munguar këto vite politikave sociale të vendit. Ai është konceptuar në bazë të parimeve orientuese sipas të cilave duhet të ketë një paketë të përgjithshme të strehimit që të jetë e gatshme, e arritshme, e përballueshme financiarisht dhe përshtatshme.

Pyetje:Ofrimi i shërbimeve publike inovative me qendër Qytetarin. Strategjia e Qeverisë dhe roli i Teknologjisë së Informacionit.
Pergjigje:Mirëqeverisjes inovative është deklaruar nga qeveria aktuale si një nga gjashtë prioritetet kryesore për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Zgjidhjet inovative dhe të teknologjisë së informacionit konsiderohen si elemente me rol kritik në këtë proces.