Kush nuk e njeh të vërtetën është budalla, por kush e njeh dhe e quan atë gënjeshtër, ai atëhere, është kriminel. - Bertolt Brecht
04/05/2016

Kur është shpallur për herë të parë projekti për të ndërtuar një stadium të ri futbolli në Tiranë?

Në 19 tetor 2010, kryeministri Sali Berisha priti në ambientet e Kryeministrisë, presidentin e atëhershëm të UEFA-s, Mishel Platini. Në këtë takim, siç është raportuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë në atë kohë, kreu i qeverisë lajmëron për herë të parë zyrtarisht për ekzistencën e një plani për ndërtimin e një stadiumi modern, që pritej të ishte gati për 100-vjetorin e pavarësisë. 

Në këtë takim, kryeministri Berisha deklaroi: “Unë kam shumë kënaqësi t’ju informoj ju dhe shqiptarët se qeveria shqiptare dhe Federata Evropiane e Futbollit në bashkëpunim Federatën Shqiptare të Futbollit do të bëj në kryeqytetin shqiptar një prej stadiumeve më modern të rajonit dhe të Evropës. Nuk do të jetë stadiumi më i madh, por do të jetë më i bukuri. Ky është vendimi për të cilin ne ramë dakord. Puna për ndërtimin e tij do të nisë sa më shpejtë. Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që ky stadium të përfundojë në 100 vjetorin e pavarësisë”.

Çfarë ndodhi më pas me këtë projekt?

Disa muaj më pas, në datën 2 shkurt 2011, në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë u publikua vendimi nr. 79, “për krijimin e shoqërisë aksionare ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me qëllim ndërtimin, modernizimin dhe administrimin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. 

Në pikën 2 dhe 3, të këtij vendimi përcaktohet edhe formula me të cilën ngrihet shoqëria e re:

2. Aksionarët e kësaj shoqërie anonime të jenë shteti, i përfaqësuar nga ministria e përgjegjëse për sportin, dhe Federata Shqiptare e Futbollit. 

3. Raporti i aksioneve në krijimin e shoqërisë anonime të re, të jetë: - 25% shteti, i përfaqësuar nga ministria përgjegjëse për sportin; - 75% Federata Shqiptare e Futbollit

Krijimi i një shoqërie të pavarur ishte kusht i UEFA-s për të mbështetur projektin me ndihmë financiare, siç bëri të ditur edhe Platini në vizitën e tetorit 2010, kur tha:  “UEFA ka të drejtën që të investojë në një stadium që i përket njërës prej Federatave Kombëtare dhe nuk ka të drejtën që të investojë në një stadium që është i qeverisë, sepse ne jemi shoqatë sportive dhe jemi shumë të lumtur që e bëjmë këtë”. 

Cili ishte projekti i parë për stadiumin kombëtar?

Për herë të parë, një projekt u prezantua nga kompania spanjolle arkitekturore RFA. Sipas këtij projekti, Arena e re Kombëtare do të kishte një kapacitet prej 33 mijë vendesh dhe do të kushtonte rreth 35 milionë euro. 

Projekti, ndonëse nuk mori asnjëherë një aprovim zyrtar, për më shumë se një vit u reklamua se do të ishte projekti mbi të cilin do të ndërtohej stadiumi i ri. 

Ky projekt ishte ndërtuar në bazë të tre koncepteve, i pari lidhet me formën e hartës së Shqipërisë, duke qenë se pozita jonë gjeografike ka një orientim veri-jug, të ngjashëm me orientimin e një fushe futbolli. 
Koncepti i dytë lidhet me sfondin e thyer malor të Tiranës, një reliev i ashpër dhe i fortë, e koncepti i tretë ka të bëjë me ngjyrat e flamurit tonë, e kuqja dhe e zeza, që do të ishin ngjyrat e fasadës së këtij stadiumi të ri.


FOTO: PROJEKT-STADIUMI I KOMPANISE SPANJOLLE "RSA" NE VITIN 2011

Ky stadium do të ndërtohej në një sipërfaqe prej 41.500 metrash katrorë e do të kishte mbi 30 mijë vende për tifozët, 75% e tyre do të jetë e mbuluar ndërkohë që ishin projektuar edhe 330 vende parkimi. 
Shteti shqiptar akordoi fillimisht një fond me vlerë 300 milionë lek për impantin, ndërsa nga ana e saj, FSHF duhet të aplikonte te FIFA e UEFA për të siguruar një pjesë të financave për të mbuluar kostot e ndërtimit.

Çfarë ndodhi pas projektit spanjoll? Cili ishte projekti i parë i aprovuar për stadiumin?

Pavarësisht premtimit për të ndërtuar një stadium në një kohë rekord, që pritej të përfundonte me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë në vitin 2012, hartimi i një projekti konkret mori kohën e tij. 

Asokohe FIFA kontraktoi për shumën 200 mijë euro një kompani që do të bënte fizibilitetin e “Qemal Stafës” ekzistues. Ky studim sugjeroi që stadiumi i ri mund të ketë vetëm 16 mijë vende të ulura, të cilat pas negociatave FIFA-FSHF u bënë 22 mijë. 

Pas këtij studimi, Shoqëria Kuq e Zi deklaroi të hapur tenderin për ndërtimin e stadiumit. U vendos forma Koncesion 35-vjeçar, miratuar edhe nga FIFA e UEFA. 

Pas tërheqjes së aziatikëve, gjithçka u diskutua midis Bouygues Batiment Internationalinstitucione nga Franca dhe Serenissima Contruzioni nga Italia.

U shpall fituese kjo e fundit. Ashtu sic veprohet në vende si Shqipëria, firma fituese e koncesionit për Stadiumin e ri kërkoi një “Letër-Garanci” nga qeveria shqiptare.

Çfarë parashikonte konkretisht projekti fitues i kompanisë “Serenissima Construzioni” në vitin 2012?

“Serenissima Costruzioni”, kompania që paraqiti projektin fitues, nuk bëri një ofertë e vetme, por si një “konsorcium” për shkak se nuk zotëronte të gjithë resurset financiare për të ndërtuar stadiumin e vetme. 

Gjithashtu, kjo kompani nuk gëzonte përvojën e mjaftueshme për ndërtimin e stadiumeve, teksa më parë kishte punuar në Shqipëri për ndërtimin e aksit Fier-Levan. 


FOTO: PROJEKTI I KOMPANISE ITALIANE "SERENISSIMA" PER STADIUMIN NE VITIN 2012

Projekti i “Serenissima”-s parashikonte një Arenë me kapacitet prej 22 mijë vendesh, tërësisht të mbuluar dhe me një kullë në pjesën veriore të tij.

Çfarë ndodhi me këtë projekt?

Ndonëse punimet duhet të nisnin në janar 2013, fillimisht me prishjen e “Qemal Stafës” për të cilën do të angazhohej ushtria, data e fillimit të punimeve u shty vazhdimisht për arsye të ndryshme. 

Në gusht 2013, FSHF lajmëroi sërisht për fillimin e shpejtë të punimeve dhe bëri të ditura detaje të ndryshme teknike. Megjithatë, punimet përsëri nuk nisën duke u shtyrë në nëntor, datë kur planifikohej të nisnin edhe punimet për stadiumin e Elbasanit. 

Përsëri punimet u shtynë dhe pas pothuajse dy vitesh, në 2015-n, presidenti Duka lajmëroi për një shtyrje të re për shkak të mosgjetjes së financimit të nevojshëm nga kompania fituese e projektit.  “Kemi pasur nje problem me financimin. Jo nga ana jone, por parate qe duhet te vinin nga kompania fituese. Ne keto kushte po shikojme alternativa te tjera me kompanine fituese dhe nisur nga fakti se fusha eshte shume e keqe dhe kryeqytetit i mungon nje stadium, atehere ne si federate do nderhyjme shpejt per te zevendesuar tapetin e fushes, natyrisht ne bashkepunim edhe me klubet e Tiranes dhe Partizanit”. 

Përse kompania “Serenissima” nuk zbatoi detyrimet e saj?

Kompania fituese e tenderit të zhvilluar në vitin 2012 kërkoi si kusht një garanci shtetërore të miratuar në Parlament. Në mungesë të kësaj garancie, kompania vendosi që të mos zbatonte detyrimet e saj.

Çfarë ndodhi përfundimisht me projektin e “Serenisimmas” për stadiumin e mbuluar 22 mijë vendesh?

Përballë pamundësisë së fituesit të koncesionarit për të gjetur fondet e nevojshme, Federata Shqiptare e Futbollit shpalli një garë të re dhe në janar 2016 lajmëroi se do projekti i mëparshëm fitues anullohej. 

Si u zhvillua gara e re nga FSHF?

FSHF shpalli në janar hapjen e një gare të re. Subjekteve të interesuara iu kërkua që brenda datës 29 shkurt 2016 të dorëzonin ofertat e tyre të cilat duhet të përfshinin:

•    Projekt-idenë e stadiumit të ri dhe të hapësirave të shërbimit përkatëse që do të integrohen në godinën e tij.
•    Metodologjinë dhe afatet për projektin e detajuar të kompleksit të stadiumit të ri dhe të punimeve të prishjes së atij ekzistues.
•    Metodologjinë, afatet dhe kostot e ndërtimit të kompleksit të stadiumit të ri kombëtar (sipas projekt-idesë së paraqitur)
•    Modelin financiar të zbatimit të projektit


12 kompani tërhoqën dokumentacionin, duke shfaqur interes për projektin, por vetëm projekti i kompanisë shqiptare Albstar, me projektin arkitekturor të zyrës italiane “Archea” (e njëjta kompani që ndërtoi së fundmi stadiumin e ri të Udines në Itali) dorëzoi të gjithë dokumentacionin, duke u shpallur fituese pas shqyrtimit të anës teknike dhe garancive financiare.
 

Cilat janë të dhënat teknike dhe financiare të stadiumit të ri?

Stadiumi i ri nuk do të ndërtohet më sipas formulës së vjetër me koncesion 35-vjeçar dhe pronësia e tij nuk do të jetë më e ndarë 75% midis FSHF dhe 25% shtetit. 

Sipas projektit të ri, do të jetë kompania fituese ajo që do të marrë përsipër investimin prej 50 milionë eurosh për ndërtimin e stadiumit, ndërsa për të justifikuar kostot, në anën perëndimore të stadiumit do të ngrihet një godinë shumëfunksionale, e cila do të shërbejë si qendër tregtare dhe zyra. 


FOTO: PROJEKTI PERFUNDIMTAR I MIRATUAR PER "ARENEN KOMBETARE" (STUDIO ARKITEKTURORE ARCHEA)

Qendra do të jetë në pronësinë e kompanisë ndërtuese, ndërsa stadiumi dhe hapësirat për zyra kalojnë menjëherë në përfundim në pronësinë e Federatës Shqiptare të Futbollit. 

Stadiumi i ri do të jetë tërësisht i mbuluar, me një kapacitet 22 mijë spektatorë dhe do të përmbushë kriteret e UEFA-s për një stadium të kategorisë 4.

Në bazë të ligjit të prokurimit publik (neni 35/1, pika 6), a nuk duhet të jenë të paktën tre firma konkurruese në tender, për të zgjedhur në fund një ofertë fituese? Përse tenderi është i vlefshëm, ndonëse në fund ngeli vetëm një ofertë për stadiumin?

FSHF-ja ka shpjeguar se duke qenë ent jopublik dhe duke qenë se “Qendra Kuqezi” është shoqëri aksionere, mund të mos i zbatojë rregullat e prokurimit publik. Pra, edhe me një firmë mund ta quajë të vlefshëm tenderin. Sipas FSHF-së, procedurat janë të rregullta për vetë faktin se 12 kompani shfaqën ofertat e tyre, ndonëse 11 prej tyre më pas u tërhoqën ose kërkuan shtyrje për arsye të ndryshme.

A ka firma qe ka projektuar stadiumin (ARCHEA) pervoje te mjaftueshme ne projektimin e stadiumeve?

ARCHEA eshte nje kompani italiane, e cila ka projektuar vepra te medha arkitekturore ne te gjithe boten. Stadiumi i ri i Udineses, ne Udine, eshte projektuar pikerisht nga kjo kompani. Ky eshte stadiumi i dyte modern ne Itali, pas atij te Juventusit.


FOTO: STADIUMI I UDINESES, I PROJEKTUAR NGA "ARCHEA", KA HAPUR DYET PER PUBLIKUN NE SEZONIN FUTBOLLISTIK 2015-16 TE SERISE A

A është e vërtetë se përveç kompanisë fituese, edhe UEFA do të paguajë për ndërtimin e këtij stadiumi?

UEFA është angazhuar që të paguajë një pjesë të vlerës, deri në 10 milionë euro për “Arenën Kombëtare”. Kjo shumë do t’i kalohet FSHF, e cila do të investojë për të ndërtuar pjesën e zyrave dhe pjesën e brendshme të stadiumit dhe jo pjesën e kullës së bashkangjitur, e cila do të ngrihet tërësisht me shpenzimet e privatit. Në total, pas këtij investimi, FSHF do t’i mbetet në përdorim, përveç stadiumit edhe një hapësire prej 12 mijë metrash katrorë.

Cilat janë të dhënat teknike të stadiumit dhe si ndahen ato midis investitorit dhe FSHF-së?

Sipas gazetës “Panorama Sport”, e cila i referohet burimeve të FSHF-së, stadiumi që do të quhet “Arena Kombëtare” do të përfundojë brenda dy vitesh nga nisja e punimeve. Të dhënat janë:

EMRI
“Arena Kombëtare”

KAPACITETI
22 000 vende + tribuna e gazetarëve

KOSTO E PARASHIKUAR E NDËRTIMIT
50 milionë euro

NDARJA E SHPENZIMEVE
FSHF- 10 milionë euro (Investim nga UEFA)

“Alb Star”- 40 milionë euro

NDARJA E PËRQINDJEVE

FSHF- Ambientet sportive (Fusha, stolat, tribunat e mediave, zonën VIP, disa prej sipërfaqeve të zyrave)

“Alb Star” – Ambientet tregtare të ndërtesës, stadiumi

HAPËSIRAT TREGTARE

FSHF – 12 000 metra katrorë pronësi
“Alb Star” – 25 000 metra katrorë
pronësi

KATET E STADIUMIT
Dy

HYRJET NË IMPIANT
Katër, një për secilën anë gjeografike të ndërtesës

FUNKSIONET E NDËRTESËS
Hoteleri, zyra, dyqane, parking, stadium

KULLA
Lartësia – 19 kate (katër në lartësinë e stadiumit dhe 15 mbi stadiumin).

Hapësira – Sipërfaqja e
përgjithshme: 6000 metra katrorë
(afërsisht)

FUNKSIONET
Tregtare, zyra, hoteleri.

DETAJE SHTESË
Tribuna të mbuluara.
Fushë me ngrohje. 

A ka pasur alternativa të tjera për vendndodhjen e stadiumit?

Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka propozuar në shkurt 2013 edhe dy alternativa të tjera. Njëra prej tyre ishte ndërtimi në vend të stadiumit ekzistues “Selman Stërmasi” në Tiranë dhe një mundësi tjetër ishte të ndërtohej në skajin fundor, të pjesës zgjatuese të bulevardit qëndror të Tiranës. Sipas zotit Basha, prishja e “Qemal Stafës” ishte e pamundur, pasi fasada ballore e stadiumit është monument kulture.

Çfarë do të bëhet me këtë pjesë ballore të stadiumit, që konsiderohet një monument kulture?

Në bazë të projektit të ri, kjo pjesë nuk do të prishet, por do të integrohet brenda ambienteve të impiantit të ri “Arena Kombëtare”.

A nuk e pengonte urdhëri i vitit 2011, ndryshimin e destinacionit të stadiumit nga objekt sportiv në një objekt sportiv dhe tregtar?

Vendimi nr 79 i datës 2 shkurt 2011, në pikën e tij të parë, shprehimisht ndalon ndryshimin e destinacionit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, duke përcaktuar se ai duhet të ketë një destinacion eksluzivisht sportiv.


 
Megjithatë, shteti shqiptar, vendosi të ndryshojë këtë kusht në vendimin nr 1028, të vitit 2015, ku në pikën 1 të këtij vendimi shfuqizohet kushti për mosndryshimin e destinacionit. SHIKO URDHËRIN E PUBLIKUAR NË FAQEN 16 876 TË DOKUMENTIT BASHKANGJITUR.

Pas këtij ndryshimi, ndërtimi i një stadiumi shumëfunksional, që do të shërbejë si shumë më tepër se vetëm një ambient sportiv është në përputhje me ligjet në fuqi të shtetit.

 

Keni pyetje? Na shkruani.