Ndërkohë që gënjeshtra ka arritur të udhëtojë nëpër gjysmën e botës, e vërteta është duke veshur akoma këpucët - Mark Twain
15/04/2016

Cila është e vërteta për mbifaturimet e disa qindra familjeve nga ana e Ujësjellësi I Tiranës?

Është e vërtetë që një pjesë e konsiderueshme subjektesh në disa zona të Tiranës, më saktësisht në Kombinat dhe Rr. E Kavajës, në faturën e muajit Janar (faturë që shperndahet ne fillim të Shkurtit) janë mbifaturuar përtej konsumit real mujor. Këto subjekte private, në përgjithësi janë biznese të vogla me konsum minimal mujor të ujit të pijshëm, ndërkohë në faturën e Janarit u reflektua një konsum dhjetra herë më i lartë se normalisht.

Si është realizuar mbifaturimi?

Duke rritur artificialisht numrin e faturimeve dhe për rrjedhojë dhe numrin e arkëtimeve.

Sa subjekte janë mbifaturuar konkretisht?

Të dhënat zyrtare tregojnë se janë mbifaturuar në muajin janar 7 375 subjekte.

Sa është kostoja në lekë e këtij mbifaturimi?

Vlera totale e mbifaturuar eshte 44 828 541 Lekë pa TVSH.

Cili është qëndrimi zyrtar i Ujësjellësit në lidhje me përgjegjësinë e tij dhe si do të veprohet me këto raste dhe çfarë baze ligjore do të përdoret për zgjidhjen e këtij konflikti?

Administrata e re e Ujësjellës Kanalizme Tiranë ka njoftuar të gjithë qytetarët e Tiranës se të gjitha subjektet e mbifaturuara në muajin Janar, nuk do të paguajnë asnjë qindarkë më shumë nga konsumi real i regjistruar nga matësi i tyre. 

Cila është zgjidhja e propozuar për të korrigjuar problemin e mbifaturimit?

Ujësjellësi i Tiranës ka propozuar dy zgjidhje:

1. Të gjitha subjektet të cilat janë mbifaturuar në muajin Janar dhe e kanë paguar atë vlerë, do të kompesohen në faturën e çdo muaji në vazhdim deri në likuidimin total të vlerës së paguar.

2. Të gjitha subjektet të cilat janë mbifaturuar në muajin Janar dhe nuk e kanë paguar ende këtë faturë, do të marrin një faturë me vlerë minus bashkë me faturën e muajit Shkurt. Të dyja këto fatura, do të thotë leximin real te muajit Janar dhe atë të muajit Shkurt, do të mund t’i paguajnë deri në datën 28 Mars pa asnjë kamatë-vonesë.

Kush është përgjegjës për çështjen?

Përgjegjësia për këtë abuzim nuk është përcaktuar ende ligjërisht. Prokuroria është aktualisht duke hetuar për çështjen.

Keni pyetje? Na shkruani.