Kur thuhet që nuk duhet të na vijë keq se thamë të vërtetën. E vërteta na ndihmon për të qënë të guximshëm. - Aldo Moro
15/04/2016

- Përse u ndaluan lejet e ndërtimit?

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, më datë 18.10.2013 u miratua vendimi “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në zonat me rëndësi kombëtare të trashëgimisë kulturore dhe historike”.

Me pak fjalë, vendimi i mësipërm i ndaloi dhënien e lejeve zhvillimore deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar.
Arsyeja e dhënë prej ministres së Zhvillimit Urban lidhej me faktin se kjo është një masë e rëndësishme për të ndaluar ndërtimet pa leje, si dhe krijimin e zonave të reja informale.

- Kur u vendos zhbllokimi i tyre?

Në mbledhjen e datës 6 prill, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar.

Përmes VKM-së, bëhet e mundur vënia në funksionim dhe përdorim e Sistemit Elektronik të Lejeve,  përmes të cilit do të realizohen elektronikisht procedurat e aplikimit për leje, si dhe procedurat e shqyrtimit  dhe miratimit të këtyre kërkesave.

- Kur nisin aplikimet online dhe a do të mund të aplikohet në mënyra të tjera?

Sipas njoftimit të Ministrisë së Zhvillimit Urban, aplikimet online nisin prej datës 20 prill. Deri më datë 31 gusht 2016, qytetarët mund të vijojnë të aplikojnë në të dy mënyrat: në rrugë elektronike dhe në formë shkresore.

Por në njoftimin e ministrisë theksohet se duke filluar nga data 1 shtator 2016, aplikimi, shqyrtimi dhe miratimi i lejeve do te kryhet ekskluzivisht përmes sistemit elektronik.

- Si do të funksionojë aplikimi online për lejet e ndërtimit?

Sistemi elektronik i lejeve do të bëjë të mundur realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop). Përmes aplikimit online në portalin e-Albania, kërkesa do t’i dërgohet bashkisë dhe bashkia do të kryeje vete – përmes sistemit - të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike.

- Sa ditë do të zgjasë procesi nga aplikimi deri në marrjen e lejes?

Afati për shqyrtimin e kërkesës nga bashkia është 15 ditë. Brenda këtij afati nuk llogaritet afati 10-ditor që kanë institucionet e tjera për të dhënë përgjigje. 

Gjithashtu, nëse bashkia nuk përgjigjet brenda 60 ditëve nga dërgimi i kërkesës, sistemi do të gjenerojë dokumentin përkatës që do të lejojë fillimin e punimeve.

- Cilat janë përfitimet e këtij procesi?

Bllokimi i lejeve të ndërtimit në vitin 2013 goditi një sektor të rëndësishëm të ekonomisë sonë, atë të ndërtimit. Hapja sërisht e lejeve të ndërtimit do të sjellë një rritje të aktivitetit ekonomik të firmave ndërtuese, sektor i cili ka një numër të lartë të punësuarish. 

Gjithashtu zhbllokimi i lejeve të ndërtimit do të ndikojë pozitivisht në mjedisin e të bërit biznes në Shqipëri. Mjafton fakti që vitin e kaluar, vendi ynë pësoi një rënie me 35 vende në raportin e Doing Business, kryesisht për faktin se në Shqipëri nuk ishte e mundur marrja e një leje ndërtimi.

Me rihapjen e lejeve të ndërtimit, nëse në sektorët e tjerë të vlerësimit të raportit Doing Business nuk do të ketë përkeqësime domethënëse, vendi ynë do të rimarrë minimalisht vendet e humbura në renditje. Ndërkohë që nëse sistemi i ri online i lejeve të ndërtimit do të implementohet me sukses, gjasat janë që vlerësimi në këtë raport të jetë akoma më pozitiv. 
 

Keni pyetje? Na shkruani.