15/04/2016

- Cila është problematika me të zhdukurit e komunizmit?

- Më shumë se 20 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, numri i saktë i personave që janë zhdukur mbetet ende i paqartë, ndonëse shifra besohet të jetë rreth 6 mijë. Shumica e këtyre personave të zhdukur janë ekzekutuar me ose pa vendim gjyqi.

-Çfarë është bërë në vite për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve?

- Sipas të dhënave të Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur (ICMP), i vetmi autoritet zyrtar ndërkombëtar për këtë çështje, që prej vitit 1991, qeveritë e ndryshme shqiptare janë përpjekur të adresojnë çështjen përmes 24 akteve legjislative. Megjithatë, çështja mbetet ende e pazgjidhur.

- Cilat janë hapat konkretë të ndërmarrë në 10 vitet e fundit për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve?

Në vitin 2006, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një rezolutë “për dënimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri”. Rezoluta është publikuar në fletoren zyrtare nr. 117, 15 nëntor 2006. Kjo është hera e parë që Kuvendi i Shqipërisë apelon përmes një rezolute për zgjidhjen e fatit të të zhdukurve. Neni 15 i kësaj rezolute bën thirrje, faqja 4671, për:

“Kuvendi i Shqipërisë mbështet hartimin e një strategjie kombëtare për eliminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurve polkitikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërbpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe arkodimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike”.

Në mars 2010, qeveria shqiptare vendosi ngritjen e një “Task Force”, me vendimin nr. 133, datë 24.2.2010, për “kërkimin, zbulimin dhe identifikimin e personave të ekzekutuar gjatë regjimit komunist”. “Task Force” u vendos nën drejtimin e zëvendësministrit të brendshëm, me përfaqësues të tjerë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ Kombëtar dhe një numër agjensish të tjera shtetërore.

Në Prill 2010, Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Zhdukur (ICMP) nisi kontaktet e rregullta me qeverinë shqiptare, familjet e të zhdukurve dhe një numër OJQ-sh që merren me këtë problem, duke ofruar njëkohësisht ndihmë teknike mbi këtë çështje.

Nga ana e tij, ICMP i sugjeroi autoriteteve shqiptare që të:

  • Forcojnë legjislacionin e brendshëm
     
  • Të krijojnë një agjensi qëndrore statistikore mbi të zhdukurit.
     
  • Të sigurojnë pjesëmarrjen e familjeve të viktimave dhe shoqërisë civile në këtë proces
     
  • Të ngrejnë një proces të integruar shkencor për zbulimin e vendndodhjes, për rikuperimin dhe identifikimin e viktimave përmes teknikave të zbulimit të ADN-së.
     
  • Në tetor 2012, kryeministri i atëhershëm, zoti Sali Berisha bëri thirrje për krijimin e një Konference Donatorësh, që do të mundësojë mbledhjen e fondeve për vënien në jetë të sugjerimeve të mësipërme të ICMP-së.
     

-Çfarë janë duke bërë autoritetet aktuale për adresimin e këtij problemi?

Në nëntor 2015, në konferencën “Kërkimi dhe identifikimi i personave të zhdukur, viktima të regjimit komunist në Shqipëri”, kryeministri Rama u zotua publikisht se do të angazhojë të gjithë aparatin shtetëror për një identifikim dhe rikuperim sa më të shpejtë të të gjithë eshtrave të viktimave të komunizmit, që familjet nuk kanë ende një vend ku ti qajnë.

Në këtë dalje publike, kreu i qeverisë, midis të tjerave tha: “Pas miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, fillimi i programit për gjetjen e personave të zhdukur është një ndër vendimet më të rëndësishme politike të shtetit shqiptar që i shërben shkëputjes dhe distancimit nga krimet e komunizmit në Shqipëri. Hapja e dosjeve dhe fillimi i programit për gjetjen e të zhdukurve të diktaturës janë pjesë të të njëjtit proces që synon dekomunistizimin e vendit”.

Që prej atëherë, autoritetet kanë ndërmarrë katër hapa konkretë për zgjidhjen e këtij problemi shumë të rëndësishëm për disa mijëra familje shqiptare.

1.Në mars 2015 ICMP mori një ftesë zyrtare nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të diskutuar shtigjet e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet ICMP dhe autoriteteve shqiptare për të adresuar çështjen e personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist.

2.Në tetor 2015, një delegacion nga Qeveria Shqiptare realizoi një udhëtim studimor tre ditor në zyrat e ICMP-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Delegacioni shqiptar, vizitoi laboratorët e ADN-së së ICMP-së në Sarajevë dhe Tuzla, dhe Sektorin për Koordinim e Identifikim si dhe Projektin e  Identifikimit të Podrinjës në Tuzla; ata u informuan mbi të gjitha aspektet e programeve të ICMP-së që mund të aplikohen në kontekstin shqiptar.

3.Aktualisht, po punojet me dy projekte pilot, për rikuperimin e eshtrave të 56 personave të ekzekutuar në Malin e Dajtit dhe identifikimin e tyre si dhe për rikuperimin e identifikimin e 86 viktimave të komunizmit, që sipas dokumentacionit të kohës rezulton të jenë varrosur në Ballsh.

4.Krahas këtyre projekteve pilot, faqja e katërt e dokumentit bashkangjitur, punohet për krijimin e një Qendre Kombëtare të Personave të Zhdukur, çka do të kërkojë një ndërhyrje plotësuese në legjislacionin përkatës. Puna për krijimin e kësaj qendre do të përmbyllet pas përfundimit të trajnimit të ekspertëve, në bashkëpunim me ICMP.

A ka një afat kohor konkret kur parashikohet që rikuperimi dhe identifikimi i eshtrave të përfundojë me sukses?

Jo, për momentin është ende e paqartë se procesi i nisur aktualisht përmes dy projekteve pilot mund të përfundojë.

Keni pyetje? Na shkruani.